Treg

Skandali me ushqimet, AKU na “risjell” në tryezë produktet e sekuestruara si të skaduara e toksike

Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit për kontrollin e cilësisë së ushqimeve që konsumojnë çdo ditë shqiptarët është “zyrtarizimi” i perceptimit të përgjithshëm qytetar se mbrojtja nga produktet e skaduara dhe ato të dëmshme është fare minimale.

KLSh ka publikuar gjetjet e një auditimi të veprimtarisë dyvjeçare të Drejtorisë Rajonale të Qarkut të Tiranës të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit. Që në hyrjë, audituesit thonë se “nga auditimi i ushtruar në drejtim të çështjeve që lidhen me vlerësimin e aktivitetit të institucionit, procedurat e inspektimit, administrimi i mallrave të sekuestruara, të aktivitetit ekonomike-financiar, nuk ka rezultuar efektive si rrjedhojë e mangësive në zbatimin e procedurave në përputhje me kuadrin ligjor”.

E thënë më thjesht, AKU nuk ka zbatuar ligjin. Por, zbatimi i ligjit duket se është problematika më e vogël e pasqyruar në raportin e KLSh-së. Raporti me 22 faqe gjen një mori shkeljesh dhe jep rreth 40 rekomandime drejtuar Autoritetit Kombëtar të Ushqimit.

Problematikat e vërejtura janë të mëdha, që nga mungesa e një laboratori të akredituar për kryerjen e analizave për ushqimet shtazore dhe joshtazore, shkelja e ligjit, VKM-ve dhe rregullave të tjera të brendshme të AKU-t, ku inspektorët bëjnë interpretimin e normave të substancave të lejuara dhe jo specialistët e fushës, mungesë infrastrukture për ruajtjen e produkteve të sekuestruara, mosmbajtje të procesverbaleve të asgjësimit të produkteve, tejkalim kompetencash nga drejtori i përgjithshëm i AKU-t, inspektorë të specializuar për kontrollin e fruta-perimeve kontrollojnë mishin e qumështin dhe anasjellas, e më flagrantja ruajtja e produkteve të sekuestruara nga një subjekt privat të një tjetër subjekt privat, pa një kontratë qiraje, por me “mirëbesim”.

Gazetasi.al mëson se praktika të tilla të ruajtjes me “llaf burri” te privatët e produkteve të sekuestruara, kryesisht mishit, qumështit dhe nënprodukteve të tyre zbatohet prej vitesh dhe është shndërruar në një shteg për korrupsion, duke ngjallur dyshime se këto produkte nuk asgjësohen, por rihidhen në treg.

“Raste të tilla janë një praktikë dhe problematikë e njohur. Në AKU e dinë të gjithë, po askush nuk bën zë. Edhe mosmbajtja e procesverbaleve të asgjësimit, ose mbajtja e tyre jashtë formateve të përcaktuara nga ligji dhe rregullat ngre dyshime të forta se këto produkte nuk asgjësohen, por rihidhen në treg”, thonë burimet.

Cilat janë gjetjet kryesore të KLSh?

Së pari, laboratori i Drejtorisë së AKU-t për Qarkun e Tiranës, tashmë në varësi direkte të Drejtorisë së Përgjithshme të AKU, ende nuk është i akredituar për kryerjen e analizave të produkteve me origjinë shtazore dhe joshtazore.

Ndërmjet sektorit të laboratorit dhe atij të inspektimit nuk ka koordinim në përcaktimin e treguesve mikrobiologjik që duhet të analizohen për një mostër të kontrollit zyrtar, ku theksojmë se treguesi që do të analizohet përcaktohet nga inspektori dhe jo nga specialisti i laboratorit.

Nga auditimi i praktikave të inspektimit të produkteve me origjinë shtazore, në 12 raste është konstatuar se produkti mish, i cili është konfiskuar gjatë inspektimit të subjekteve, të cilat kanë qenë në shkelje të ligjit, nga inspektorët është dërguar në ambientet e subjekteve private në një kohë që këto subjekte janë vetë objekt inspektimi.

“Theksojmë se ky veprim është kryer në tejkalim të kompetencave ligjore, pasi për kryerjen e tij, (pra mishin e konfiskuar ta dërgosh në ambientet e një tjetër subjekti privat), nuk ka patur minimalisht as edhe një kontratë qiraje për dhomë/magazinë frigoriferike, ndërmjet AKU dhe këtyre subjekteve, që të lejonte kryerjen e këtij veprimi”, thotë KLSH.

Për këtë pjesë, KLSh rekomandon që brenda këtij viti, AKU të marrë masat e nevojshme, duke analizuar dhe vlerësuar mundësitë e investimit në blerjen e dhomave frigoriferike, ose marrjes me qira të tyre, me qëllim që produktet, të cilat bllokohen gjatë inspektimit dhe që do të asgjësohen, të ruhen në këto ambiente.

“Nëse ky proces finalizohet, të sigurohen minimalisht 4 dhoma frigoriferike, pra 1 dhomë në dispozicion të 3 Qarqeve. Në këtë mënyrë çdo produkt, i cili bllokohet sipas përcaktimeve të Ligjit të ushqimit, nuk do t’i lihet në ruajtje subjektit, duke shmangur në këtë mënyrë edhe mundësitë, që produktit ta futet përsëri në treg”, sugjeron KLSh.

AKU-t i rekomandohet që të marrë masat e nevojshme për të siguruar asgjësimin e produkteve të sekuestruara pa lënë pas hije dyshimi për realizimin, ose jo të këtij procesi.

“Pjesë e dosjeve, të jenë edhe: procesverbali i asgjësimit i mbajtur nga inspektorët e tatimeve, mjedisit dhe ushqimit; Dokumenti i transferimit të mbetjeve; Fletë-dalja nga magazina e subjektit privat; Kontrata e shërbimit; Fatura tatimore e shërbimit, si dhe foto të ngarkimit të produkteve në makinën shkatërruese/transportuese sipas rastit deri në depozitimin e tyre në landfill”, thotë raporti.

Audituesit kanë gjetur mangësi edhe te praktikat e inspektimit për qëllime të licencimit të aktiviteteve. Në të paktën një rast, KLSh ka gjetur mangësi në dokumentacion dhe pavarësisht këtyre mangësive, aplikuesi ka marrë licencën për ofrimin e shërbimit.

KLSH ka gjetur se në disa raste, inspektorët e AKU të vendosur në pikat kufitare në Portin e Durrësit dhe të Qafë-Thanës me Maqedoninë e Veriut, kanë lejuar hyrjen në treg të produkteve ushqimore me mungesë të theksuar dokumentacioni shoqërues, që nga origjina e produktit, analiza e cilësisë. Produktet janë 42 tonë yndyrë vegjetale që në treg është shitur si gjalp dhe 20 tonë djath.

Dokumentet e importit kanë patur mangësi në formë dhe përmbajtje, kryesisht certifikata veterinare, certifikata e analizave laboratorike që janë fotokopje, pa vulën e laboratorit përkatës dhe jo në gjuhën shqipe, mungesa e akt-kontrollit të inspektorëve, si dhe në 1 rast, në mënyrë të paligjshme janë zhbllokuar produkte importi të një subjekti, pavarësisht se ishte në mungesë të dokumentacioni.

Problematika tjetër është edhe vonesa e përgjigjes për analizat që kryhen nga Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë. KLSh ka identifikuar të paktën 10 raste kur përgjigjet për prani pesticidesh në fruta e perime kanë dalë pas tre muajsh, duke humbur qëllimin e kryerjes së tyre.

“Sepse perimet e frutat janë shitur plotësisht pasi nuk kanë qenë të bllokuara dhe nuk ka dalë përgjegjësia”, thotë raporti.

KLSh gjen gjithashtu se në disa raste janë nisur procedura inspektimi në subjekte të caktuara private, por janë mbyllur po brenda ditës, duke ngritur dyshime të forta për korrupsion. Edhe në rastet e bllokimit të produkteve, AKU, sipas raportit, nuk ka përdorur të njëjtin standard, ku herë aplikonte gjobë ndaj subjekteve për prishjen e shenjave dalluese të bllokimit të produktit dhe në raste të tjera jo.

Auditimi ka gjetur se në të paktën 22 raste kryeinspektorët kanë marrë kompetencat e drejtorit të Përgjithshëm të AKU, duke autorizuar inspektorë të sektorit të bimëve për të inspektuar produkte e mishit, qumështit, apo nënprodukteve të tyre dhe e anasjella.

“Pra, jo sipas formimit profesional të tyre dhe përfshirja e tyre në inspektime për llogari të një sektori tjetër brenda drejtorisë rajonale, bëhet me urdhër caktimi të Drejtorit të Përgjithshëm të AKU, pasi vetëm ai ka kompetencën ligjore për kryerjen e lëvizjeve”, thotë KLSh.

Auditimi ka gjetur me shkelje edhe vetë Drejtorin e Përgjithshëm të AKU, që raporti thotë se ka tejkaluar kompetencat ligjore me nxjerren e një urdhri të brendshëm për marrjen e mostrave nga subjektet që tregtojnë fara dhe plehëra për përdorim për bimësitë, detyrë kjo që u takon drejtorive të bujqësisë.

Gjithashtu, KLSh thotë se drejtoria e AKU-t për Tiranën nuk ka të kontabilizuar dhe pasqyruar në bilancet e veta financiare katin e tretë të godinës me një vlerë pre 520 mijë euro.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë