Komunitet

Skandali i pronave në Shëngjin, qytetari: Ma vodhën deputetë, prokurorë e biznesmenë

Skandal me prona në Malin e Shëngjinit. 15 vjet përpjekje për të regjistruar një pronë në Hipotekën e Lezhës, që me letra e gëzojnë ndër të tjerë ish-deputetë, ish-regjistrues e juristë, prokurorë, punonjës të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe biznesmenë.

Nikollë Palokaj ka gati 15 vjet që paraqitet tek Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Lezhë për të regjistruar pronën prej 107 dynymesh të kthyera me vendim gjykate dhe nga Agjencia e Kthimit të Pronave.

Janë gjithsej 18 familje bashkëpronare që e trashëgojnë prej shekujsh këtë truall. Beteja gjyqësore nisi në vitin 2006.

“E fituam gjyqin! Zyra e Regjistrimit të Pasurive, në vend që ta regjistronte pronën në emrin tonë, nisi të bëjë transaksione. Në 2007 kam çuar numrin e ekzekutimit nga përmbaruesi shtet”, thotë Nik Palokaj.

Ai akuzon të vëllanë, nipin, noteren dhe ish-drejtuesit e Hipotekës se me falsifikim dokumentash i kanë tjetërsuar pronën.

Vëllai i Nikollës, nipi i tij dhe noterja Zana Dema ishin tre personat që u dënuan me burgim, të tjerët u lanë të lirë dhe përsëri çështjes iu vu kapak.

Në vitin 2012, i lodhur nga sorollatjet e Përmbarimit Shtetëror, i drejtohet një përmbaruesi privat.

“Në 2012 bëra një urdhër ekzekutimi, se më tha përmbaruesi privat që ta ekzekutoj unë. Sot e kësaj dite nuk është bërë gjë”, shton ai.

Për vite me radhë i drejtohet Krimit Ekonomik.

“Krimi ekonomik e çoi çështjen në Prokurorinë e Rrethit, Prokuroria e pushoi çështjen. Krimi ekonomik ja dorëzoi Prokurorisë së Përgjithshme. Prokuroria e Përgjithshme e çoi në Shkodër. Edhe në Shkodër po e njëjta gjë ndodhi, pushoi hetimet, sepse prokurori prokurorin nuk e dënon, as gjyqtari gjyqtarin”, shton Nik Palokaj.

Në vitin 2014 më në fund nga Hipoteka e Lezhës merr një përgjigje. Një listë e gjatë me emra të të gjithë njerëzve që ishin bërë pronarë me certifikatë pronësie në tokën e Nikës. Disa prej tyre nuk ishin emra dosido.

“Deputeti i LSI-së, Gjovalin Kadeli, i cili pastë dritë ka vdekur, ka prona në të dyja parcelat diku tek 10 dynymëshi, sepse mendonin të bënin një fshat turistik atje. Arjan Qafa, ish-inspektor i KLD-së, që është në punë në gjykatë. Mira Markvuka, që ka të bëjë me Përparim Vukën, që ishte deri vonë kryeprokuror që nuk ka lejuar të ekzekutohej vendimi. Është edhe Angjelin Fusha, biznesmen që merret me këto matrapazllëqet e pronave. Një herë e kam gjetur Angjelin Fushën vetë të pestin duke më shitur tokën. Më njoftuan dhe kam dalë bashkë me kushëririn tim dhe i kam thënë që për 5 minuta nuk iku nuk e gëzon as ai dhe as unë”, rrëfen Nik Paloka.

Nik Palokaj thotë se në listën e atyre që kanë marrë nga një copë tokë është edhe ish-Prokurori i Lezhës, Gjin Niklekaj me të bijën e tij. Sipas tij ishte pikërisht ky prokuror që në 2008, pas ankesës që bëri një nga pronarët e ligjshëm nuk kreu asnjë veprim, përkundrazi i hapi rrugën vjedhjes së pronës.

“Gjin Niklekaj, ish-prokurori që i nxorri të gjithë nga burgu. Sot është në pension në Tiranë, bën punën e avokatit”, sqaron ai.

Nikolla tregon se si është realizuar gjithë kjo listë e gjatë shit-blerjesh.

“45 transaksione, që të gjitha janë bërë për një ditë më 06 dhjetor 2012. Për një ditë janë të bërë të gjitha këto, janë bërë 105 transaksione në pronën time. Është ndarë në parcela të vogla vetëm si e si që të humbnin adresën e saj duke i bërë shit-blerje”, deklaron Nikolla.

Pas një pritje prej 1 orë në Hipotekën e Lezhës, regjistruesi Ilir Dibra na kërkoi që të dorëzojmë një kërkesë me shkrim për të marrë përgjigje në lidhje me këtë çështje, që punonjës të vjetër të Hipotekës së Lezhës, ndoshta e kanë mësuar edhe përmendësh.

Ka 14 vjet që Nikoll Paloka po lufton për pronën e tij që ndodhet rreth 2 km larg Ranës së Hedhun, që ishte kryefjala e një skandali tokash që shpërtheu pak kohë më parë në Shëngjin.

“Të gjitha të zezat më kanë kapur vetëm prej stresit dhe dallavereve që më janë bërë në këtë pronë. Lekë nuk kam, ligj s’ka, shtet nuk ka. Sot nuk kam asgjë, vetëm letrat”, shton ai.

Si.

New method to detect falsified medicines


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë