Ka ndodhur

Skandali i pagave, jep dorëheqjen drejtori i IT tek Tatimet

Dy ditë pas publikimit të listës me pagat e shqiptarëve të punësuar dhe vetëpunësuar, Drejtori i Sistemit Informatik në Drejtorinë e Tatimeve ka dhënë dorëheqjen.

Ervin Muça mësohet se është vënë në dispozicion të hetimeve të nisura nga Prokuroria e Tiranës, e cila po heton për tre vepra të ndryshme penale “Shpërdorim detyre”, “Ndërhyrje në sistemet kompjuterike” dhe “Ndërhyrje në të dhënat kompjuterike”. Kryeprokurorja e Tiranës e pyetur për këtë çështje, tha se hetimet po vijojnë.

Prokuroria ka dërguar këtë të premte grupe hetimore në Drejtorinë e Tatimeve, Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit dhe Institutin e Sigurimeve Shoqërore, nga ku dyshohet se ka rrjedhur lista me të dhënat për pagat.

Prokurorët po verifikojnë të gjitha veprimet e kryera në sistem, me shpresën se përmes tyre do të arrijnë të personi që i ka shkarkuar të dhënat nga database.

Janë katër raste në vetëm 12 vite, kur të dhënat të ndjeshme të qytetarëve dhe bizneseve në Shqipëri, janë sabotuar dhe jo prej ndonjë sulmi kibernetik, por nga vetë duart e shtetit dhe në tri rastet e mëparshme hetimet janë mbyllur pa përgjegjës e fajtorë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë