Nga Richard Crampton-Platt- Rene Redzepi (Rexhepi), shefi i kuzhinës pas Noma-s, restorantit në Kopenhagen që dikur është kurorëzuar si më i miri në botë, po përballet me akuza për abuzim dhe poshtërim publik. Sipas një hetimi të kryer nga New York Times, punonjësit u goditën me grushte në fytyrë, u përplasën në mur dhe u kërcënuan me deportimin e familjes së tyre. Kushdo që ka ndjekur kulturën moderne të restoranteve do të ketë vështirësi të habitet. Megjithatë, Rexhepi nuk iu shit botës si një tiran i stilit të vjetër, por përkundrazi si e kundërta: e ardhmja progresive e ushqimit të mirë.
Ky imazh ishte qendror në mistikën e Noma-s. Kjo ishte kuzhina e ndriçuar, një vend gatimi hiper-sezonal, përbërësish etikë, mbledhjeje ushqimi, fermentimi dhe mënyra e re nordike.
Në politikat e Rexhepit refuzohej mizoria e ‘shefit’ dhe hierarkia në kuzhinë dhe në sytë e të gjithëve, gjithçka ishte perfekte.
Asgjë nuk e kapi këtë imazh më mirë se Ali Sonko, kuzhinieri gambian i Noma-s. Kur Noma fitoi çmimin e 50 Restoranteve më të Mira në Botë në vitin 2010, Sonko duhej ta merrte atë në emër të restorantit. Pastaj, kur problemet me vizën e penguan ta bënte këtë, ekipi u shfaq në skenë me bluza me fytyrën e tij.
Dy vjet më vonë, ai e pranoi çmimin personalisht. Në vitin 2017, ai mori një pjesë të biznesit. Ishte simbolikë e përsosur: figura më e përulur në grup u ngrit si provë se ky ishte një ‘institucion’ më i sjellshëm dhe më demokratik.
Hëngra në Noma në vitin 2016 dhe e gjeta vendin tepër të vetëkënaqur. Pasi hëngrëm, kishim përballë një staf të heshtur të kuzhinës që na shikonte me tmerr, pasi dikush nga grupi im u sëmur në tavolinë. Pavarësisht kësaj, stafi i restorantit përsëri këmbënguli të na çonte në një turne të ndërtesës për ta admiruar.
Vetëpërgëzimi i tyre ishte më i rëndësishëm sesa rehatia jonë!
Duke parë prapa, shenjat e asaj që po ndodhte vërtet pas skenave ishin aty.
Në vitin 2008, Rexhepi u filmua duke u bërtitur shefave të kuzhinës në dokumentarin Noma at Boiling Point. Në vitin 2015, ai shkroi një artikull për Lucky Peach në të cilin tha “Kam qenë një ngacmues për një pjesë të madhe të karrierës sime”.
Afërsisht gjysma e kuzhinës përbëhej nga praktikantë të papaguar që mbulonin vetë kostot e tyre të jetesës në Kopenhagen. Akuzat që dalin tani përfshijnë periudhën nga viti 2009 deri në vitin 2017, kur Noma po festohej si destinacioni më i ndriçuar i ushqimit në botë.
Rezulton se është vetëm një version tjetër i një historie moderne të njohur. Institucionet që mburren më me zë të lartë për virtytet e tyre shpesh kanë më shumë për të fshehur. Sa më e zhurmshme të jetë shfaqja publike e mirësisë dhe progresit, aq më shumë ka të ngjarë të jetë fshehur diçka pas skenave.
Merrni vetëm Barbara Lynch, një nga shefat e kuzhinës më të suksesshme të Bostonit, të cilën ‘Time’ dikur e quajti një nga “100 njerëzit më me ndikim në botë”. Ajo është një ëndërr progresive: një grua e klasës punëtore me një fëmijë dhe një nga zërat e parë që flet kundër seksizmit dhe abuzimit brenda industrisë së restoranteve të dominuar nga meshkujt në Amerikë.
Megjithatë, kur dy nga shefat e saj të kuzhinës vdiqën nga mbidoza e drogës brenda disa javësh nga njëri-tjetri, ajo shkoi e dehur në një takim me stafin. Një shef kuzhine e sfidoi, ajo e pushoi nga puna në vend dhe më vonë, në një grindje publike me të bërtitura, ajo kërcënoi se do t’i nxirrte kokën nga dritarja.
Nuk duhet të tronditemi që kuzhinat mund të jenë abuzive. Auguste Escoffier shkroi se shefi i tij i parë nuk mund të ‘qeveriste’ një kuzhinë pa “një shi shuplakash”. Ndërkohë kuzhinieri Marco Pierre White ka qëlluar shefa kuzhine me shishe qelqi dhe Clare Smyth ka pranuar hapur abuzimin fizik të stafit.
Por ajo që bëri Rexhepi ishte ndryshe. Ai u përpoq ta fshihte atë dhe i shiti botës të njëjtën tirani të zbutur nga bisedat për barazi dhe ndjenjat politike në modë. Noma ka rëndësi sepse nuk është thjesht një histori e një shefi kuzhine të keq, por e një lloji të tërë kulturor: ‘institucioni’ që ngatërron sinjalizimin e virtytit me virtyt. Shefat e vjetër ishin të paktën të ndershëm në lidhje me pushtetin. Shefat e rinj shfaqin ndjeshmëri në publik dhe pastaj, privatisht, hedhin një tenxhere.
*Richard Crampton-Platt është ish-pronar restoranti dhe tashmë gazetar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje