Gazeta Si - Me kapele në kokë dhe syze të errëta, Alma Kaçi është paraqitur këtë të enjte në GJKKO për heqje të masës së sigurisë ndaj saj për video skandalin seksual me ish-kryebashkiakun e Kukësit, Safet Gjici. Por gjykata vendosi të shtyjë seancën për në 12 shtator.
Megjithatë, në momentin që doli nga SPAK, Alma Kaçi ka pasur edhe një moment debati me gazetarët, që e pyetën, “çfarë lypët tek zyra e Gjicit”?
“Jeni bërë si ato lypësit te semafori. Edhe ju lypni informacione te SPAK-u. Mirë kjo, por edhe i keqinterpretoni”, u tha Alma gazetarëve.
Kur u pyet se çfarë lypi te Safet Gjici, ajo u përgjigj: “Atë që lypni ju këtu…”. Ndërsa avokatja e saj deklaroi se ka kërkuar ndryshim mase nga “arrest shtëpie” në detyrim paraqitjeje.
“Deri tani janë të njëjtat të dhëna që janë prezantuar në organin e akuzës. Të shohim në të ardhmen, mund të dalin të dhëna të reja që janë në efekt të hetimit”, theksoi avokatja e Alma Kaçit.
“Nuk ka element të veprës penale të korrupsionit aktiv. Ne duhet të respektojmë fazën e hetimeve dhe tani nuk mund të shprehem”, shtoi avokatja.
Avokatja e Almës paralajmëroi se në të ardhmen mund të ketë një qëndrim krejt ndryshe, por nuk shpjegoi se çfarë po paralajmëronte me këtë deklaratë.
Lidhur me skandalin erotik, Safet Gjici u arrestua më 24 qershor me akuzën e korrupsionit pasiv, ndërsa pretendoi se nuk ka shkelur ligjin, por, siç ka thënë ai në seancën gjyqësore, ra pre e një kurthi të ngritur nga ata që nuk e duan.
Pas arrestimit të tij në lidhje me videon, ku ai shihet teksa kryen marrëdhënie seksuale me një vajzë në ambientet e zyrës së bashkisë, SPAK vijon hetimet për të parë nëse ka persona te tjerë që e kanë ndihmuar Alma Kaçin për të realizuar videon në zyrën e shtetit, e cila u publikua më 16 qershor.
Në disa sekuenca filmike, Gjici dhe Kaci kryejnë marrëdhënie seksuale e më pas diskutojnë për një projekt për ndërtimin e qendre për qentë në Bashkinë e Kukësit.
Të dy protagonistët u shprehën se janë në një lidhje intime me njëri-tjetrin, por më pas rezultoi se takimi me Gjicin kishte ndodhur vetëm dy herë.
Nga ana tjetër Gjici pretendon se nuk ka kryer veprën penale të korrupsionit pasiv me argumentin, se ka mbetur deklarative çështja e projektit të sterilizimit të qenve të rrugëve, dhe se asnjë procedurë nuk është kryer nga institucioni që ai drejtonte.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.