Ana e errët

Skandali, Dajti s’është transferuar, “përkëdhelet” në paraburgim

Skandal në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve. Pavarësisht se Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda shpalli vendim të formës së prerë për Dritan Dajtin që prej datës 8 shkurt, ai vazhdon të mbahet në ambientet e paraburgimit.

Sic thanë burime të sigurta të gazetës “Si”, Dajti nuk është dërguar ende në një burg të sigurisë së lartë, por ai po mbahet në kundërshtim me ligjin në paraburgimin 302, në Tiranë. Nuk jepet asnjë shpjegim se cilat janë shkaqet dhe arsyet që një i dënuar i formës së prerë të vazhdojë të trajtohet si i paraburgosur.

Burimet shpjegojnë se “302”-shi konsiderohet si ” këshjella ” e Dajtit, nën akuzë për vrasjen e katër policëve gushtin e 2009. Por, megjithëse u dënua me katër burgime të përjetshme nga Shkalla e Parë, ky vendim u hodh poshtë nga Apeli për Krimet e Rënda, pasi u aplikua gjykimi i shkurtuar.

Gjykata e Apelit nuk e ka zbardhur ende vendimin që bëri bujë në publik, por solli edhe reagimin e prokurorisë për Krimet e Rënda, që nisi hetimet për tre prej gjyqtarëve, Aleks Nikolli, Skënder Damini dhe Petrit Aliaj. Ndaj tyre u ushtruan kontrolle në banesa, ndërsa u sekuestruan edhe aparatet celularë.

Tre gjyqtarët janë nën hetim për dyshimet e korrupsionit, pasi sikurse referon policia ka dyshime që ata janë ndikuar për të shpallur vendimin ndaj Dritan Dajtit.

Nga ana tjetër, Ministria e Drejtësisë i ka kërkuar KLGj hetim disiplinor për tre gjyqtarët , por kjo gjë është e pamundur pasi nuk ekziston ende organi kompetent, që kryen hetimin administrativ për këtë vendim, që është Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë.

Dajti i moshës 47 vjeç vazhdon të sfidojë drejtësinë. Fillimisht ai është dënuar në mungesë për vrasjen e A. B në Tiranë, më tej u dënua edhe me 10 vjet burgim për arratisjen spektakolare nga Gjykata e Tiranës, një arratisje që i siguroi atij jetën në liri deri ditën kur u organizua operacioni në qytetin e Durrësit, gjatë të cilit mbeten të vrarë katër policë si edhe njëri nga shokët e Dajtit.

Dritan Dajti për 10 vjet luajti me drejtësinë me kartën e avokatëve kryesisht. Në dosjen gjyqësore rezulton se dhanë dorëheqjen dhe nuk pranuan ta mbrojnë 200 avokatë të caktuar me urdhër të gjykatës, prej të cilëve 70 u gjobitën për shkelje të etikës nga Komisioni i Disiplinës së Dhomës së Avokatisë.

Por, edhe këto masa si edhe dhjetra letërkëmbime mes Ministrisë së Drejtësisë dhe gjykatës, nuk u arrit mbrojtja e Dajtit në proces. Ai edhe ditën kur u shpall vendimi nga shkalla e parë nuk kishte avokat mbrojtës. Në mënyrë të çuditshme gjatë kësaj sage, ditën e shpalljes së vendimit në Apel, Dritan Dajti kishte gjetur një avokat të tijin, që ishte i pranishëm ditën kur drejtësia i dhuroi zbritjen e dënimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë