Gazeta Si – Kasandër Noga sot është 45 vjeç. Ai është personi që për më shumë se dy dekada, i bëri cirk drejtësisë shqiptare dhe më pas, ndonëse kishte mbi shpinë disa vrasje, gjykatat i zbritën vite nga dënimet e përjetshme.
Në fund, për dy masakra të veçuara nga njëra-tjetra, për të cilat u dënua me nga 25 vite burgim, gjykata ia bashkoi në një, duke e dënuar me vetëm 25 vite.
Po ai nuk bëri as 25 vite burgim. Fitoi me procedurë dhe doli duke u larguar sërish drejt Belgjikës, atje ku në vitet 2000, nisën përplasjet me Hasanbellinjtë.
Njërin prej tyre, Erionin, tentoi ta vrasë gjatë mbrëmjes së të shtunës së shkuar në mes të Brukselit.
Emri i Kasandër Nogës, një nga profilet më të diskutuara 20 vjet më parë në kriminalitetin shqiptar, del nga errësira e krimeve përtej Shqipërisë.
Atentati për të cilin belgët iu vunë pas Nogës (që u arrestua në Vjenë të Austrisë), bashkëngjitet me emrin e Erion Hasanbelliut, të cilin Noga kërkon ta eliminojë prej dy dekadash, por këtë fundjavë vetëm e plagosi.
Kasandër Noga, duket se i është vënë pas prej kohësh hasmit të tij, pasi ka drejtuar gishtin e akuzës për vrasjen e një miku të tij.
Këtë e thonë me bindje dosjet hetimore të prokurorisë shqiptare dhe të gjykatave të shumta që iu vendosën në dispozicion Gazetasi.al.
Lirohet nga Gjykata e Krimeve të Rënda në Anversë
Ai dyshohet për pesë vrasje dhe disa plagosje. Mes këtyre krimeve është dhe akuza për vrasjen e Astrit Shperdhejas në 25 gusht të vitit 2001, ndërkohë që gjyqi u bë në Belgjikë në 2005-n.
Autori i dyshuar i të shtënave në Bruksel, Kasandër Noga është i njohur edhe prej instancave gjyqësore belge.
Ai doli në Gjykatën e Krimeve të Rënda të Anversës në vitin 2005 për vrasjen e shqiptarit Astrit Shpërdheja (37 vjeç).
Ky i fundit u qëllua për vdekje në mes të ditës në Anversë nga një agresor që udhëtonte me një biçikletë BMX.
Mediat lokale raportuan se bëhej fjalë për një larje hesapesh midis shqiptarëve dhe arrestuan si të dyshuar të riun nga Patosi.
Dëshmitarët okularë më të rëndësishëm, ishin dy djem 12-vjeçarë, të cilët qëndronin në trotuar. Por trupa gjyqësore nuk u bind nga provat dhe Kasandër Noga u shpall i pafajshëm.
Hyri në spital me shokun
Noga është nga Patosi i Fierit, nga e njëjta zonë ishte edhe Julian Çelaj në të njëjtën moshë me të.
Për vite me radhë, emri Kasandrit lëvizi nga gjyqtari në gjyqtar, sa në Gjykatën Penale, sa në të Lartën.
Akuzat janë të shumta: “Vrasje me paramendim të shtetasve Aqif Hasanbelliu e Dritan Hajdini”, “Vrasje me paramendim e mbetur në tentativë e shtetasve Agron Hasanbelliu, Gentian Hasanbelliu e Lavdosh Karaj”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.
Në një nga proceset gjyqësore, ai u shfaq i penduar dhe kërkoi gjykim të shkurtuar.
Gjykata, sipas dosjeve që siguroi ekskluzivisht Gazetasi.al, thotë: “Nga ana e të pandehurit Kasandër Noga, u pranua kryerja e veprës penale të vrasjes me paramendim në bashkëpunim të mbetur në tentativë të shtetasit Gentian Hasanbelliu. Nga ana e tij, dhe mbrojtësit tij, u pranua të procedohet me gjykim të shkurtuar, sepse çështja mund të zgjidhet në gjendjen që janë aktet e grumbulluara gjatë hetimeve paraprake. Për sa i përket fajësisë, ata pretenduan se nga shqyrtimi në tërësi i tyre, del se i pandehuri Kasandër Noga, mund të dënohet vetëm për një vepër penale dhe jo për të gjitha veprat që akuzohet. Nisur nga fryma që përshkon kapitullin e gjykimeve të posaçme dhe pikërisht dispozitat proceduriale për gjykimin e shkurtuar, Gjykata konkludon se pohimi i fajësisë nga i pandehuri, nuk është kusht për të proceduar me gjykimin e shkurtuar”.
Për ish-bashkëpunëtorin e tij gjatë këtij gjykimi, që mban vitin 2006, u pushua çështja.
“Nga certifikata e vdekjes me Nr.2/86 e dt.28.03.2006, del se shtetasi Julian Çelaj ka vdekur në 17.03.2002. Ndodhur në këto kushte, duke iu referuar dhe interpretuar në mënyrë të zgjeruar nenit 328 të K.Pr.Penal, disponoj duke pushuar gjykimin e çështjes, pasi rezulton se i pandehuri ka vdekur”, – thotë gjykata në këtë kohë.
Në këtë dosje, përmendet edhe emri i Erion Hasanbelliut, i cili 15 ditë përpara masakrës, u dyshua nga Noga se kishte vrarë Mariglen Hodajn.
Erjon Hasanbelliu është djali i viktimës që shkaktuan plumbat e shkrepura nga Kasandër Noga. Ndërkohë, dosja që iu dha Gazetasi.al, rrëfen dhe më shumë detaje nga ngjarja.
“Në datën 19.08.2000, rreth orës 16.00, në dhomën Nr.11 të spitalit të Sanatoriumit Tiranë, i pandehuri Kasandër Noga, në bashkëpunim me të pandehurin Julian Çelaj, kane vrarë me paramendim me armë zjarri, shtetasit Aqif Hasanbelliu (babai i Erjon Hasanbelliut) dhe Dritan Hajdini, si dhe kanë tentuar të vrasin me paramendim në bashkëpunim, shtetasit Agron Hasanbelliu, Gentian Hasanbelliu e Lavdosh Karaj.
Motivet, marrin shkas nga një ngjarje e ndodhur në qytetin e Patosit në datën 04.08.2000, pra 15 ditë përpara objektit të këtij gjykimi.
Në datën 04.08.2000, në qytetin e Patosit është vrarë shtetasi Maringlen Hodaj, vrasje që mendohet se është kryer nga shtetasi Erion Hasanbelliu, që është djali i viktimës, Aqif Hasanbelliu. Në këtë ngjarje, ka mbetur i plagosur vëllai i Erjonit, shtetasi Gentian Hasanbelliu, i cili pasi merr mjekimet e para në spitalin e Fierit, për efekte sigurie transferohet në spitalin e Sanatoriumit, ku regjistrohet me emrin e rremë, Ani Metushi”.
Kjo masakër në spital, që është një ndër më të rëndat në ato kohë, nxorën në dritë emrin e Kasandër Nogës, i cili realisht ishte shok me viktimën, Maringlen Hodaj, i eliminuar gushtin e vitit 2000.
Dosjet që iu treguan Gazetasi.al, shpjegojnë se Çela dhe Noga vendosën të hakmerren.
“Ata kanë kërkuar vëllezërit Erion e Gentian Hasanbelliu dhe vetëm në datën 19.08.2000, kanë mundur të gjejnë Gentianin, pasi kishin studiuar mirë lëvizjet e të afërmve të tyre, të cilët po atë dit, kanë lëvizur nga Fieri drejt Senatoriumit”.
Gjatë gjykimit në atë kohë, Noga tha se kishte dashur të vriste vetëm Gentian Hasanbelliun dhe se kur në dhomën 11 të spitalit u shfaqën edhe të tjerët, ata nuk hezituan të qëllojnë ndaj tyre.
Mes të pyeturve gjatë gjykimit për masakrën, ishin jo vetëm dëshmitarë që treguan mekanizmin që kishin parë, por edhe mjekë që gjendeshin në detyrë.
Por Kasandër Noga i shpëtoi burgimit të përjetshëm, të shpallur nga një treshe gjyqtarësh, të cilët aplikuan zbritjen e dënimit nga burgu ekstrem, në 25 vjet heqje lirie.
Tre vjet më vonë, Kasandër Nogës iu bashkua dhe një dënim tjetër me 25 vite burgim, që në një proces të posaçëm gjatë vitit 2009, u shndërrua në vetëm një dënim prej 25 vitesh, i dhënë sërish për vrasje të kryer më herët prej tij në qytetin e lindjes.
Por që asnjëherë nuk u kuptua asaj kohe, se si dy dënime me nga 25 vite (50 gjithsej), u bashkuan në një të vetë me 25 vite burgim.
“Unë këtë njeri e urrej”
Ishte 20 marsi i vitit 1999. Kasandër Noga ishte duke pirë kafe tek “Lokal Pisha” në qytetin e tij Patos, thotë dosja e dytë në adresë të 45-vjeçarit, që Gazetasi.al e disponon të plotë.
Kur po pinte kafe me dy miqtë e tij, Arben Golloshi dhe Eduart Yzeiri, të tre së bashku vendosën të dalin xhiro në vendin e quajtur “Gjashtëkëndëshi”.
Pikërisht gjatë kësaj xhiroje, Kasandër Noga pa viktimën, Edison Meminaj, për të cilin, sapo e vërejti, tha: “Unë këtë njeri e urrej”.
Në gjykimin e mbajtur në qytetin e Vlorës, përshkruhet se si Kasandër Noga kur e pa sërish viktimën, shtoi i irrituar: “Do të shkoj ta vras” dhe është nisur menjëherë drejt tij, duke nxjerrë nga brezi një pistoletë që e mbante me vete.
”Pas pak, dy shokët e tij kanë dëgjuar tre të shtëna arme dhe janë larguar me vrap. Të nesërmen kur janë takuar, i gjykuari u ka thënë shokëve, Arbenit dhe Eduartit, që ata të mos flisnin për ngjarjen, pasi në të kundërt do t’i vriste dhe ata”, – thuhet në dosjen hetimore të Prokurorisë.
Më tej shpjegohet ekskluzivisht për Gazetasi.al, se pak muaj më herët, kishte ndodhur edhe një vrasje tjetër në Patos, që një nga të mbijetuarit e përshkroi.
“Në datën 28.02.1999, në orët e pasdites, shtetasi Edmir Haxhia, së bashku me viktimën Kastriot Gropa, kanë bërë xhiro me makinën tip BMW në qytetin e Patosit. Rreth orës 19:00, ata janë ndaluar në afërsi të stacionit të autobussve dhe kanë qëndruar brenda në makinë. Në sediljen e shoferit ka qenë viktima Kastriot, ndërsa në sediljen e pasagjerit, ka qenë shtetasi Edmir. Në këtë kohë, tek automjeti është ofruar një person me xhiboks në kokë dhe ka qëlluar me pistoletë në drejtim të viktimës. Në kushtet e sa më sipër, dëshmitari Edmir Haxhia, nuk ka mundur të njohë personin që qëlloi”.
Akt-ekspertiza e zgjidhi dilemën dhe dyshimin, pasi prokuroria konfirmoi se pas vrasjes së Edison Meminajt qëndronte pikërisht Noga.
“Sipas akt-ekspertimit balistik nr.814, datë 06.03.2003, ka rezultuar se gëzhojat e fiksuara në vendin e ngjarjes në datën 20.03.1999, ku është vrarë shtetasi Edison Meminaj, janë qitur nga e njëjta armë që ka qitur gëzhojat e fiksuara ne ngjarjen e datës 28.02.1999, ku është vrarë shtetasi Kastriot Gropa”, – vërehet në dosjen hetimore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.