Lajme

S’ka projekte, milionat që BE jep për bujqësinë rrezikojnë të digjen

Mungesa e projekteve të dorëzuara pranë Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural rrezikon që të djegë edhe këtë vit miliona euro ndihmë që jepen nga Bashkimi Europian në kuadër të programit IPARD.

Burime për Gazetën “Si” pohojnë se Ministri i Bujqësisë ka ngritur në mbledhjet e fundit të Qeverisë dhe në takime të tjera zyrtare dhe jozyrtare se 43 milionë euro të Bashkimit Europian për të ndihmuar bujqësinë, agrokulturën dhe agroturizmin rrezikojnë që të digjen për mungesë projektesh.

Shkak i mungesës së projekteve janë disa dhe ato lidhen me problematikat e titujve të pronësisë, mbivendosjes së këtyre titujve, mosplotësimi i kushteve teknike, burokracitë, korrupsioni e deri tek mosinformimi në kohë i fermerëve.

Në total janë 57.7 mln euro në kuadër të programit IPARD II. 75 për qind e kësaj shumë janë ndihmë nga Bashkimi Europian dhe 25 për qind të tjera të financuara nga buxheti i shtetit. Por, paratë e BE-së rrezikojnë që të kthehen andej nga erdhën për mungesë projektesh. Në përpjekje për ta shmangur këtë është hapur thirrja e dytë më 30 tetor për aplikime. Afati i fundit është 16 dhjetori.

AZHBR sqaron se aplikimet duhet të dorëzohen vetëm në zyrat qëndrore të saj në zarfe të mbyllura me titullin “Thirrje për Dorëzimin e Aplikimeve”, së bashku me titullin e masës, emrin e plotë dhe adresën e aplikantit dhe me shënimin “Të mos hapet përpara dorëzimit”. Aplikimi mund të dorëzohet vetëm përmes postës tradicionale në adresën e AZHBR-së dhe jo më vonë se ora 16:00 e datës 16 dhjetor.

Janë tre kategori ku mund të aplikojnë fermerët. Në grupin e parë, të njohur si “Masa 1”, buxheti në dispozicion është 24 mln euro. Minimumi i shumës për aplikim është 10 mijë euro dhe maksimumi 500 mijë euro. Në këtë grup, mbështetja financiare shkon deri në 60 për qind e totalit të investimit dhe 65 për qind në rastet kur fermeri është i ri nën 40 vjeç dhe 70 për qind në zonat malore.

Kategoria e dytë, njohur edhe si “Masa 3” ka një buxhet total prej 22.7 mln euro. Shuma minimale për aplikim duhet të jetë 25 mijë euro dhe maksimalja 2 milionë euro. Përqindja mbështetjes shkon deri në 50 për qind të totalit të investimit.

Kategoria e tretë, njohur si “Masa 7” ka një buxhet prej 10.8 mln euro. Edhe këtu minimumi i financimit është 10 mijë euro dhe maksimumi 400 mijë euro, duke mbuluar deri në 65 për qind të totalit të investimit.

Thirrja për aplikim është e hapur për të gjithë personat (persona fizikë dhe juridikë), puna dhe veprimtaria e të cilëve zhvillohet brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, në fushat e prodhimit bujqësor se të agro-përpunimit rural. Fondet janë pjesë e instrumentit të ndihmës së paraanëtarësimit, 2014-2020.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë