Menaxhim

S’ka më njerëz te Kadastra, aplikimet në zyra avokatore e kancelari. Tarifat s’janë kudo njësoj

Nga Gazeta ‘SI’Oborri i agjencisë së Kadastrës këto ditët e fundit është bosh. Atje nuk ka më njerëz që presin radhën me letra në dorë dhe punonjës që mundohen t’i koordinojnë. Kur kreu i qeverisë Edi Rama njoftoi digjitalizimin e shërbimeve të Kadastrës, tha se asnjë qytetar që kërkon shërbim nuk do të flasë më me njerëz, por vetëm me kompjuterin në adresën e e-Albania.  

Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Gazeta ‘SI’, korrik 2023

“Nga 3 korriku askush nuk bën më gjë në Kadastër. Askush nuk do t’ju përgjigjet. Asnjë kushëri e asnjë mik nuk do futet. Se nuk do të ketë gjë në dorë”, u shpreh kryeministri një javë më parë duke përmendur se epoka e korrupsionit po merr fund. Por jo ajo e pagesave.

Digjitalizimi do të heqë një kosto për qytetarët shqiptarë, por do të shtojë një tjetër, atë të aksesit në e-albania , si një platformë jo fort e lehtë për grupmosha të ndryshme.

Shërbimet e Kadastrës kanë më shumë se një vit që aksesohen vetëm online, por qytetarët ishin të lirë të shkonin fizikisht në zyrat e agjencisë, ku vetë punonjësit i ndihmonin ata me portalin, që në fakt nuk është fort i lehtë për t’u përdorur. Me mbylljen e derës së Kadastrës,  qytetarëve iu hapën dhjetëra të tjera…me pagesë!

Pak ditë pas vendimit, Gazetasi.al vizitoi disa pika në Tiranë ku ofroheshin shërbimet e e-albania, kryesisht zyra kancelarie. Vetëm një prej tyre kishte në listë çmimesh ndërsa të tjerët e komunikonin gojarisht. Çmimet janë të larta për një shërbim publik që supozohet të jetë pa pagesë dhe “pazari” nuk është i njëjtë nga një pikë në një tjetër. 

Në një kancelari në rrugën e Durrësit, shumë pranë bllokut të ambasadave, hapja dhe regjistrimi në platformë kushtonte 200 lekë, por në një tjetër pranë shkollës “Sami Frashëri”, i njëjti proces kushtonte plot 500 lekë. Shërbimet e tjera, si kërkesa/ankesa, aplikime, faturohen nga 2.500 deri në 3.000 lekë, sigurisht në varësi të zonës.

Pa u identifikuar, punonjësit e kancelarive tregojnë për Gazetasi.al se nuk kanë ndjerë ndonjë kërkesë të shtuar deri më tani, pasi shërbimet shtetërore kanë mbi një vit që aksesohen vetëm online.

I vetmi qytetar që po kërkonte një shërbim të tillë, ishte një punonjës i administratës, rreth të 50-ave, për të cilin digjitalizimi ishte shpëtim.

“Kam shumë kohë që kërkoj të rinovoj dokumentin e hipotekës dhe kam takuar këdo që mund të bënte diçka dhe hiç. Për tre ditë e mora kopjen tani”, tha ai duke ironizuar shërbimet e Kadastrës.

Vështirësitë e përdorimit të një platforme online i kanë çuar shqiptarët edhe në dyer të tjera për të kërkuar ndihmë, një ndër to avokatët.

Avokatja Valentina Halili tregon për Gazetasi.al se përveç shërbimeve që ato detyrohen të kryejnë në ndihmë të klientëve të vet, kanë ndihmuar dhe qytetarë që nuk munden të kuptojnë shërbime të caktuara.

Avokate Valentina Halili, Gazeta ‘SI’, korrik 2023

“Shërbimet më të kërkuara janë të pasurive të paluajtshme, regjistrimin e lejes së legalizimit, certifikata e pronësisë , harta, pensione, regjistrim biznesi etj”, tregon Halili.

Ajo shton se nuk janë vetëm mosha më e vjetër që kërkon ndihmë.

“Qytetarët që vijnë të kërkojnë ndihmë për shërbime janë kryesisht grup-mosha 50-65 vjeç. Por ka edhe të rinj që po hasin vështirësi në aksesimin e portalit qeveritar dhe kërkojnë ndihmë”, thotë avokatja.

Kjo konfirmohet dhe nga Instat. Në një survejim të vitit 2022, Instat tregoi se vetëm 6% e shqiptarëve mbi 55 vjeç ishin në gjendje që të shkarkonin ose të printonin dokumentet nga E-Albania në 2022-shin. Shifrat ishin pesimiste edhe tek grupmoshat e reja, ku më e larta i përkiste grupmoshës 25-34 vjeç, me rreth 33%.

Ekspozimi i të dhënave konfidenciale të qytetarëve shqiptare ndaj palëve të treta ka një tjetër kosto, atë të sigurisë, që në fakt duket sikur është shqetësimi më i vogël për ata që i duhen këto shërbime.

Në prezantimin e reformës, kryeministri Rama tha se sistemi do të jetë i konsoliduar brenda një viti dhe se arkivat e dosjeve janë të ruajtura në teknologjinë “blockchain”, më e avancuara në botën e inovacionit.

Ndërkohë, në agjencitë rajonale të Kadastrës në Shqipëri ka nisur dhe një “reformim” i punonjësve, nga drejtuesit tek specialistët e terrenit, ata që do të vazhdojnë ende të jenë në punë. Kreu i qeverisë bëri thirrje për punësime shtesë në këtë institucion duke përsëritur disa herë “kriterin” që kërkohet: “Kadastra është bankë dhe asaj i duhen bankierë e jo banakierë!”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë