Qarku i Dibrës vijon të jetë i përfshirë nga acari dhe ngricat edhe këtë të hënë, pasi temperaturat gjatë natës kanë zbritur në – 17 gradë celsius. Më problematike situata mbetet në zonat e thella malore, ku ka prezencë të madhe të akullit në rrugë.
Fshatrat e Krastës, Ostrenit e Trebishtit, si dhe Tërnova e Madhe dhe Zerqani, janë pa komunikim për shkak të sasisë së madhe të borës dhe akullit në rrugë. Në Bashkinë e Dibrës fshatrat e Lurës, Kalasë së Dodës, Selishtës etj janë pa komunikim.
Probleme ka edhe me furnizimin me ujë të pijshëm. Ngrirja e tubacioneve ka lënë pa ujë banorë në qytetin e Peshkopisë por edhe të Bulqizës si pasojë e ngrirjes së tubacioneve dhe cisternave. Pa ujë të pijshëm janë edhe fshatrat Shumbat e Sohodoll në Dibër.
Situatë problematike mbetet edhe furnizimi me energji. Prej dy ditësh grupet e OSHEE po punojnë për rikthimin e rrymës në zonën e Lurës, pasi ka pasur dëmtime të rrjetit përcjellës për shkak të borës. Temperaturat e ulëta nën zero dhe ngricat, kanë “pushtuar” Kukësin që prej fillimit të kësaj jave.
Zona me e ftohtë është Shishtaveci ku temperatura përllogaritet të jetë deri në -16 gradë celcius. Ndërkohë janë hapur rrugët e bllokuara nga dëbora e ditëve më parë, përveç rrugës që lidh Nj.Ad Arrën me rrugën nacionale bashkia Kukës.
Bora ka bllokuar edhe disa fshatra në Qarkun e Korçës, ku nuk kanë munguar probleme me energjinë elektrike. Mësohet se si pasojë e reshjeve të dëborës janë izoluar fshatrat Panarit, zona e Mokrës dhe Lekasi.
Si pasojë e motit të acartë ka pasur probleme edhe në fshatrat e Kolonjës, Vithkuqit, në disa fshatra të Pogradecit, Devollit dhe Maliqit.
Moti ka qenë kryesisht i kthjellët dhe në akset nacionale turistike Korçë-Ersekë-Leskovik, Korçë-Voskopojë, Korçë-Dardhë qarkullimi i automjeteve ka vijuar pa probleme. Megjithatë, përdorimi i gomave dimërore rekomandohet.
Temperaturat e ulëta dhe ngricat kanë mbërthyer edhe Durrësin, duke boshatisur sheshet dhe rrugët kryesore të qytetit.
Pikërisht këto temperatura ekstremisht të ulëta për vendin tonë kanë bërë që Ministria e Arsimit për shkak edhe të mungesës së kushteve në shkolla, t’i mbylli ato përkohësisht për tre ditë nga data 24-26 janar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.