Lajme

Situatë e rëndë në Kosovë: Gati 150 viktima me Covid-19 brenda javës dhe rreth 26 mijë raste aktive

Situata epidemiologjike në Kosovë, ku ka aktualisht më shumë se 26 mijë të infektuar me Covid-19, vazhdon të jetë e rënduar.  Vetëm gjatë javës që po lëmë pas, sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, kanë humbur jetën 147 qytetarë. Gjithashtu gjatë ditëve të fundit janë regjistruar edhe një numër i madh i rasteve pozitive. Nga e hëna e deri më dje në Kosovë janë shënuar gjithsejtë 8 mijë e 547 raste të reja me koronavirus.

Vetëm dje në vend janë shënuar 1 mijë e 278 raste pozitive dhe 21 raste fatale.

Po ashtu, në Kosovë është shënuar rritje e rasteve të pacientëve në kujdes intenziv për shkak të sëmundjes COVID-19. Të shtunën ishin raportuar 73 pacientë ndërsa të dielën (5 shtator) ky numër është rritur në 87.

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) tha se në spitalet dhe klinikat ku trajtohen pacientët me koronavirus janë të shtrirë 1.207 pacientë, prej tyre 1.101 janë të konfirmuar me koronavirus.

Prej tyre, 1.026 po trajtohen me oksigjen.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia nuk e ka përjashtuar mundësinë e masave të reja para 13 shtatorit, deri kur janë në fuqi masat e fundit të ndërmarra nga qeveria.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë