Shendet

Gripi/ Çomo: S’ka vend për panik. Personat e sëmurë të ulin kontaktin me të tjerët

Nga Gazeta Si – Vendi ynë është në sezonin e gripit dhe infeksioneve të ndryshme të rrugëve të frymëmarrjes ku rreth 80-90 persona i drejtohen shërbimit infektiv me simptoma.

Shefja e Spitalit Infektiv, Najada Çomo, në një prononcim për median thotë se numri i pacientëve që paraqiten pranë Shërbimit Infektiv është më i shtuar se sa muaji dhjetor por nuk ka vend për panik.

“Duke qenë se jemi në stinën e dimrit, një nga sëmundjet që kemi është gripi ose infeksione të ndryshme të rrugëve të frymëmarrjes duke filluar nga sekrecionet nga hundët, nga kolla, nga dhimbja e fytit apo nga pjesa e prekjes së mushkërive siç është pneumonia. Ajo çka unë dua të them është që numri i pacientëve që paraqiten pranë Shërbimit Infektiv është më i shtuar se sa muaji dhjetor dhe natyrisht në Shërbimin Infektiv vijnë pacientë me sëmundje të ndryshme ku tani peshën më të madhe e mbajnë ata persona që janë të sëmurë me infeksione të rrugëve respiratore, kryesisht në pjesën e gripit. Nuk ka vend për panik, por ka vend për t’u sensibilizuar shumë më tepër ndaj kësaj sëmundje dhe sensibilizimi është në dy aspekte”, thotë Çomo.

Najada Çomo

Ajo shton se personat që nuk janë vaksinuar dhe kryesisht ata që kanë sëmundje kronike të nxitojnë për t’u vaksinuar dhe grupi i të sëmurëve kronikë siç janë diabetikët, ata që kanë sëmundje gjaku, ata që kanë sëmundje kronike të mushkërive, ata që kanë sëmundje të veshkave kronike dhe shumë sëmundje të tjera.

Gjithashtu, ato persona që janë të sëmurë, Çomo bën thirrje që të ulin kontaktin me persona të tjerë, pra mos të takohen me njerëz që kanë këto lloj infeksionesh të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes për arsye se gripi apo infeksionet aktuale që kemi, janë shumë të përhapura nëpërmjet komunikimit me të afërmit, nëpërmjet dhënies së dorës.

“Veç pjesës së vaksinimit, duhet ulur takimi ose minimizuar takimi me njerëz të sëmurë për arsye se janë burim i madh infeksioni për persona të tjerë”, thotë Çomo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë