Nga Gazeta ‘Si’-Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock do të udhëtojë sot(5 tetor) në Shqipëri, në kohën e rritjes së tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë.
Baerbock do të bisedojë me liderët e dy vendeve dhe do të vazhdojë t’iu bëjë thirrje palëve që t’i ulin tensionet, në margjina të një takimi me ministrat e Jashtëm të Ballkanit Perëndimor, ka thënë zyra e Ministrisë së Jashtme gjermane.
Takimet në Shqipëri do të mbahen në kuadër të “Procesit të Berlinit”, i lancuar më 2014 për të promovuar bashkëpunim në mes të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Baerbock ka thënë se situata në rajonin e Ballkanit është “shqetësuese”.
“Serbia ka për detyrë të bëjë thirrje për heqjen dorë nga dhuna”, është cituar të ketë thënë ajo.
Sipas saj, shenjat fillestare që ushtria serbe e ka zvogëluar prezencën në kufi me Kosovën përbën hap fillestar të rëndësishëm, mirëpo duhet marrë edhe hapa shtesë drejt uljes së tensioneve.
Ndërkohë, një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes në Gjermani ka thënë se aktualisht nuk ekzistojnë plane për rritje të numrit të ushtarëve gjermanë, të angazhuar në Kosovë, në kuadër të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.
Aktualisht në kuadër të misionit të KFOR-it janë të angazhuar 71 ushtarë gjermanë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.