Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha i ka cilësuar një krim shtetëror zjarret që shkaktuan dëme të mëdha në disa zona të vendit përgjatë kësaj vere.
Sipas Berishës, Shqipëria pësoi djegie më të mëdha se shumë vende të rajonit, teksa tha se qeveria përmes propagandës raportonte për mijëra efektivë në terren.
“Sot jam para medieve për të denoncuar si një krim të vërtetë shtetëror zjarret, flakët dhe djegiet e mbi 54 mijë hektarë ullishte, kopshte, bahçe, pyje.
Djegien e qindra banesave në fshatrat e Gramshit, Delvinës dhe në një seri zonash të tjera.
Djegien e qindra dhe mijëra bagëtive, pa llogaritur këtu kafshët e egra dhe rrafshimin e të gjithë florës dhe faunës në këto zona. Djegien e qindra mijëra koshereve të bletëve. Shqipëria, zjarre të tilla shkatërrimtarë nuk ka njohur ndonjëherë. Pati viktima, pati të djegur të plagosur. Shqiptarët u ndjenë më të braktisur se kurrë”, tha Berisha.
Sipas tij, Shqipëria u gjet e çarmatosur tërësisht nga mjetet antizjarr.
Ai tha se sipas tij çdo vend tjetër i cili është përballur me zjarret ishte shumë më i përgatitur se Shqipëria në betejën kundër zjarreve.
“Në tërësi, sistemi i zjarrfikëseve, i vjetër, i trashëguar nga 15-20 vite më parë, i dorëzuar tek bashkitë socialiste, u tregua i ndryshkur dhe dizfunksional”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




