Politike

Situata e zjarreve/ Berisha: Përgjegjës kryesor i kësaj katastrofe është Edi Rama

Nga Gazeta ‘Si’- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër ndaj situatës së zjarreve që kanë përfshirë vendin, duke e cilësuar atë “emergjencë kombëtare jashtë kontrollit”.

Ai tha se në dy ditët e fundit Shqipëria ka përjetuar dëmet më të rënda nga flakët në historinë e saj, me mijëra hektarë pyje, kullota dhe pemë frutore të djegura, dhjetëra shtëpi të shkatërruara, gjë të gjallë të humbur dhe viktima.

Sipas Berishës, qytetarët nga jugu në veri janë lënë të pambrojtur nga shteti, ndërsa zona si Delvina, Fushë-Arrëzi dhe Gramshi ndodhen në rrethim flakësh.

Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama për mungesë përgjegjësie dhe shpërdorim fondesh, duke përmendur 21 milionë euro të shpenzuara për udhëtime me çarter, 7 milionë euro për “Giro d’Italia”.

Sipas tij, këto fonde do të mjaftonin për blerjen e avionëve zjarrfikës dhe dhjetëra mjeteve të reja për emergjenca, ndërsa aktualisht po përdoren vetëm pajisje të blera 15-20 vite më parë. 

“Po të kishte qeveri të vërtetë nuk mund të diskutohet që Delvina dhe zona të tjera sot, do ishin shpallur zona të fatkeqësisë natyrore.

Por kur nuk ka qeveri dhe ka narkoqeveri, ndonjë ndryshim të madh kjo nuk bën”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë