Gazeta Si – Në gjysmëfinalen e dytë të Botërorit të klubeve 2023, Mançester Siti mundi 3-0 japonezët e Urava Reds. Në pjesën e parë japonezët thuajse të barabartë me kampionët e Europës, por u ndëshkuan në minutën e 46-të nga autogoli i Hoibraten.
Të besuarit e Guardiolës ndryshuan marsh në pjesën e dytë dhe dyfishuan me Kovaçiç, ndërsa për golin e 3-të mendoi Bernardo Silva.

Duhet theksuar se kundërshtari e befasoi Sitin në fillim, duke u mbrojtur shumë mirë. Manovra e anglezëve dukej e bllokuar, me Rodrin që tentoi në disa raste ta hapte ndeshjen. Goli erdhi në fundin e pjesës së parë. Më saktë ishte një autogol i Hoibraten, pas një veprimi të bukur të Matheus Nunes.
Ndryshoi muzika në pjesën e dytë. Pas një pasimi gjenial të Kajli Uollker, Kovaçiç i çoi shifrat në 2-0. Pas pak minutash erdhi dhe goli i tretë me Bernardo Silvën. Fundi i ndeshjes pati pak emocione, me japonezët që kërkuan të shënonin të paktën një gol ndaj kampionëve të Europës, por pa ia arritur qëllimit.
Mançester Siti kalon në finalen e Botërorit të klubeve, ku do të diskutojë trofeun me brazilianët e Fluminenses.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




