Nga Gazeta “SI”- Tirana Art Weekend, një nga ngjarjet më të mëdha të artit bashkëkohor në Shqipëri, hapi siparin këtë fundjavë në ish-Shtëpinë e të Përndjekurve Politikë, duke nisur me veprën artistike “Site-Specific Video Surveillance” të artistit Gentian Shkurti.
Fragmente mikroskopike të disa veprave nga fondi i GKA-së si : Portreti i shokut Enver, 1974, Zef Shoshi, / Në kompleksin industral, 1974, Lumturi Blloshmi, / Uzina e autotraktorëve “Enver Hoxha”, 1981, Androniqi Zengo, / Epika e yjeve te mëngjesit, 1971, Edison Gjergo, / Tirana, 1942, Vangjush Mio, Mic Sokoli, 1976, Sali Shijaku) projektohen në loop mbi fasadën e institucionit. Duke sjellë artin njëkohësisht brenda dhe jashtë muzeut, instalacioni krijon një këndvështrim të ri për publikun dhe nxit reflektim mbi rolin e muzeut dhe trashëgiminë artistike. Çdo video shoqërohet me titullin e veprës.

Për GazetaSi.al , Shkurti thotë se vepra e tij më e fundit, Site-Specific Video Surveillance GKA, ofron një këndvështrim të ri mbi fondin tradicional të Galerisë Kombëtare të Arteve. Një qasje të ngjashme ai e ka aplikuar më parë edhe në Muzeun e Arteve të Bukura të Budapestit.
“Kjo është një vepër site-specific, e konceptuar posaçërisht për hapësirën e Galerisë Kombëtare të Arteve. Ky titull përfaqëson një cikël veprash që kam punuar ndër vite. Kjo është puna ime e dytë e këtij lloji. E para u realizua në vitin 2017, në Muzeun e Arteve të Bukura të Budapestit, ku unë isha në rezidencë me ftesë të muzeut. Atje u përqendrova te thelbi i muzeut si koncept: çfarë ka prioritet në edukimin e publikut dhe si përfaqësohet një epokë e caktuar nëpërmjet artit të saj. Muzeu kishte një koleksion shumë të madh me autorë modernë e bashkëkohorë , piketa të artit botëror. Vepra ime u realizua me kamera mikroskopike mbi punët e Pikasos. Ndryshe nga ajo, në GKA unë xhiroj vepra të periudhës së diktaturës, sepse më interesojnë tematikat e përgjithshme të atij fondi.”
Sipas Shkurtit, kjo vepër kërkon të nxisë një reflektim të ri mbi artin shqiptar, veçanërisht mbi trashëgiminë e realizmit socialist.

“Arti vizual shqiptar nuk ishte i zhvilluar para viteve të socializmit. Me ardhjen e sistemit u ngrit edhe Galeria Kombëtare, e konceptuar si një institucion i artit në shërbim të propagandës. Fondi i GKA-së pasqyron një pjesë thelbësore të historisë së Shqipërisë, por është krejt tjetër natyrë krahasuar me koleksionin e Budapestit. Kjo vepër synon të evidentojë vlerat historike, shpirtërore dhe monetare të fondeve muzeore. Duke qenë se koleksioni i GKA-së është i ngarkuar ideologjikisht, lind pyetja: çfarë trashëgojmë ne? Pikërisht ky është misioni i një galerie kombëtare.”
Shkurti shton se kjo vepër është rezultat i shumë reflektimeve të kohëve të fundit, të cilat e kanë shtyrë të propozojë një lexim tjetër të fondit muzeor.
“Kjo është vepra e parë e komisionuar që i mbetet përgjithmonë Galerisë së Arteve. Që në momentin që mora ftesën nga GKA, unë kisha gati konceptin që prej punës në Budapest. Drejtoresha Adela Demetja ishte shumë e hapur ndaj propozimit. Galeria ishte në rikonstruksion, por pak ditë para ekspozimit u hoqën skelat dhe puna u bë më e lehtë. Sigurisht, kërkon shumë kujdes të punosh me fonde milionëshe dhe koleksione kaq delikate.”
Sipas artistit, thelbi i Site-Specific është ngritja e pyetjeve rreth misionit të artit dhe lidhjes së tij me identitetin kombëtar.
“Një nga arsyet që më shtyu të realizoja këtë vepër ishte lidhja e artit me identitetin e një kombi, me historinë e tij dhe të vërtetat që përçon arti. A na flet ky art sinqerisht për kohën e vet? Po nëse e zhveshim nga ideologjia? Vepra më shtyn të shoh fondin në një prizëm tjetër. Ka aty piktorë të përzgjedhur si ndër më të mirët, profesionistë pavarësisht kontekstit.”
Megjithë përpjekjet e viteve të fundit për të zgjeruar skenën e artit bashkëkohor, Shkurti mendon se publiku shqiptar ende nuk është i përgatitur për ta përthithur plotësisht këtë art.
“Duhej të ishte krijuar një publik më i edukuar me artin bashkëkohor. Sot rrezikon të perceptohet sipërfaqësisht, sepse po tentohet të ndërtohet një skenë pak e sforcuar. Arti bashkëkohor këtu trajtohet sikur ka një publik të gatshëm, ndërkohë që nuk është kështu. Edhe pse ka 30 vite që aplikohet, edukimi duhej të kishte ardhur gradualisht. Sot gjykohet vetëm nga ajo që ofrojnë mediat, pa analizë dhe pa kritikë profesionale.”

Artisti sjell në vëmendje edhe përvojat e tij në vitet ’90:
“Kur isha student, aplikonim format e artit modern dhe shpesh na përqeshnin. Ishte kohë e ndryshimit, sapo kishte rënë diktatura. Mentaliteti i paragjykimit, fatkeqësisht, vazhdon ende. Publiku shqiptar është mësuar me vepra me mesazhe të drejtpërdrejta, trashëgimi e realizmit socialist. Format e artit bashkëkohor janë të shumta; arti nuk ka ‘si duhet’. Arti i mirë gjithmonë sjell të renë.”
I pyetur për skenën e re artistike dhe brezin e ri të artistëve, dhe rritjes së numrit të studentëve në Universitetin e Arteve, Shkurti shprehet se rritja e interesit akademik nuk është domosdoshmërisht tregues i rritjes së cilësisë artistike.
“Janë rritur, por çfarë do bëjnë? Do furnizojnë televizionet? Rritja e kuotave të multimedias përshembull nuk është tregues i zhvillimit të artit bashkëkohor. Multimedia është vetëm një formë shprehjeje. Arti bashkëkohor përfshin edhe forma klasike.”
Në fund, artisti nënvizon se hapja e Shqipërisë me botën bën të mundur që brezat e rinj të sjellin art cilësor, edhe pse terreni mbetet i vështirë.
“Shqipëria është sot aq e hapur sa nuk mund të thuash se nuk ka artistë të rinj. Shumë prej tyre kanë studiuar ose kanë jetuar jashtë. Nuk besoj se Shqipëria është tharë nga talenti. Por për të lindur talenti duhet të krijohet terreni dhe kjo është përgjegjësia jonë si shoqëri.”- përfundon Gentian Shkurti.

Vepra ““Site-Specific Video Surveillance” do të qendrojë e ekspozuar në murin e Godinës së Galerisë Kombëtarë të Arteve deri në datën 30 Nëntor, ditë që shënon dhe mbylljen e eventit “Tirana Art Weekend”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



