Nisma “Thurje” ka bërë të ditur se ka mbledhur 50 mijë firma të qytetarëve për t’ja paraqitur Parlamentit për qëllimin për të realizuar ndryshimin e sistemit zgjedhor. Në tryezën e organizuar për reformën zgjedhor nga fondacioni gjerman “Friedrich-Ebert-Stiftung”, Endri Shabani i kësaj lëvizjeje të re që po merret stofin politik, u shpreh se janë për një sistem zgjedhor proporcional të pastër me lista të hapura.
Projektligji i ri apo nisma për ndryshimin e sistemit Shabani e bëri të qartë se do ta depozitonte te komisioni i posaçëm i reformës zgjedhore, duke i dorëzuar deputetes demokrate, Rudina Hajdari.

Por në tryezën e organizuar ishin të pranishëm disa ekspertë, të cilët paraqitën disa mënyra se si mund të realizohet ndryshimi i sistemit zgjedhor në Shqipëri. Ish-kryetari i KQZ-së, Krista Kume në fjalën e tij e cilësoi si të pamundur mbledhjen e 50 mijë apo 25 mijë firmave për të detyruar Kuvendin që të ndryshojë Kushtetutën, por se theksoi kjo vlen vetëm për ndryshimet ligjore. Për Kumen kjo mund të shihet si një presion ndaj politikës për ndryshimin e sistemit. Eksperti me përvojë, Kume ishte më konkret në propozimet e tij, duke propozuar një sistem proporcional rajonal me dy formula, e para me një Parlament me 100 deputetë dhe me një Parlament me 140 deputetë. Në këtë propozim sipas Kumes parashikohet ndërhyrja në Kushtetutë. Ai propozon me lista të mbyllura, Një propozim tjetër është me lista të hapura proporcional, por që votuesit mund të zgjedhin 5 emra nga listat. Në propozimin që Kuvendi të ketë 140 deputetë, Kume sugjeron të këtë ndarje me 4 rajone: Njësia veriore me 27 deputetë; Qarku Tiranë më vete me 34 deputetë; Njësia qendrore me 39 deputetë dhe Njësia Jugore me 40 deputetë.

Varianti me 100 deputetë propozohet me këtë njëjtën formulë rajonesh, ku Veriu i vendit të ketë 19 deputetë, qarku i Tiranës me 24 deputetë, njësia qendrore 28 deputetë dhe njësia jugore me 29 deputetë. Ndërsa për formulën e zgjedhjes së 5 preferencave për një sistem proporcional, Kume propozon të vendoset 1% si prag për zgjedhjen e deputetit. Pra përafërsisht me 20 mijë, apo 30 mijë zgjedhës si prag. Të njëjtën formulë sipas Kumes duhet të përdoret edhe për listat e këshillit bashkiak për zgjedhjet vendore.
Ndërsa Fiorela Shalsi, eksperte mbi ekuilibrin gjinor në zgjedhje deklaroi në këtë tryezë se është në favor të sistemit proporcional ku listat të respektojnë barazinë gjinore dhe 50 përqind të jenë gra dhe 50% të jenë burra. Sipas saj më i vlerësuar për arritjen e barazisë gjinore dhe që gratë të kenë një përfaqësim të lartë në Parlament. Arjan Dyrmishi në diskutimin e tij paraqiti disa formula të sistemeve si dhe avantazhet që japin sistemet mazhoritar apo proporcional. Për arsye se sistemet mazhoritare i japin partive të mëdha shumicën e vendeve në Parlament edhe kur ato nuk marrin shumicën e votave ato ndikojnë mbi përfaqsueshmërinë pasi prodhojnë shpërpjetueshmëri të lartë. Kjo ka ndikim të drejtpërdrejtë mbi numrin e partive pasi sa më e lartë të jetë shpërpjetueshmëria, aq më shumë zvogëlohet numri i partive që hyjnë në Parlament. Të gjithë sistemet elektorale prodhojnë shpërpjetueshmëri, por në sistemet proporcionale shpërpjetueshmëria është më e ulët”, theksoi Dyrmishi.

Sipas tij, sistemet mazhoritare janë demokratike në thelb dhe lejojnë funksionimin normal të një demokracie liberale. Në shumë demokraci të stabilizuara, kryesisht në vendet Anglo-Saksone dhe vendet e influencuara nga to, sistemet mazhoritare vazhdojnë të jenë të preferuara kundrejt atyre proporcionale. Ndërsa sistemet proporcionale kanë në fokus përfaqësueshmërinë, sistemet mazhoritare synojnë drejt qeverisjes së stabilizuar. Sistemet elektorale mazhoritare bazohen në metodën fituesi-merr-gjithçka dhe kanë prirje të nxjerrin një fitues absolut dhe një seri humbësish. Sistemet proporcionale, duke nxjerrë tre ose më shumë parti që hyjnë në Parlament, prodhojnë disa fitues të pjesshëm dhe shumë më pak humbës se sa sistemet mazhoritare.

“Shpërndarja e fuqisë parlamentare dhe nevoja për konsensus për ndërtimin e kabineteve qeverisëse e shtyn modelin e demokracisë drejt konsensualizmit. Konsensusi bëhet i nevojshëm si midis partive politike, të cilat duhet të bien dakord për të formuar shumicën e nevojshme për formimin e qeverisë, ashtu edhe midis institucioneve të ekzekutivit dhe parlamentit të cilët duhet që të gjejnë konsensus për të arritur të miratojnë politika”, theksoi Dyrmishi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



