Menaxhim

Sistemi ‘bonus-malus’, socialistët kërkojnë seancë me AMF-në, Braçe: Rritje çmimi jashtë logjike

Nga Gazeta ‘SI’ – Deputetët e komisionit të Ekonomisë kanë kërkuar seancë dëgjimore me Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare dhe kompanitë e sigurimit, mbi rregulloren e re të sigurimit të mjeteve.

Me hyrjen e 2025-s hyri në fuqi edhe rregullorja e sigurimit “bonus-malus”, që ka në thelb shpërblimin dhe dënimin e shoferëve, sipas sjelljes së tyre në makinë.

Por, për deputetin socialist Erion Braçe, ky sistem nuk po funksion siç duhet dhe se çmimet e sigurimit të detyrueshëm të makinave janë rritur përtej logjikës së sistemit bonus-malus, ose me bazë risku.

“Ka një shqetësim të madh në treg, sikurse nga qytetarët që po përballen me rritje të çmimeve. Ka një argumentim nga grupi i shoqatave apo shoqatat që merren me mbrojtjen e interesave të kompanive të sigurimit me çfarë po ndodh në treg. M’u duk se një pjesë e tyre ishin kundër rritjes së primeve për sigurimin e detyrueshëm të mjeteve motorike. Situata vijon të mbeter e paqartë, që vjen nga vetë rregullorja cila vendos parimet dhe ndërkohë që në aneksin e saj shoqërues, që është detyrues për kompanitë e sigurimit, përmbys parimet që ka vendosur vetë.”, u shpreh Braçe duke theksuar se duhet të ketë një raportim në komision nga drejtuesja e autoritetit.

“Shqetësimi më i lartë është për mjetet e punës, që janë të një fuqie motorike më të madhe, ashtu sikundër të një vjetërsie më të madhe. Primet e sigurimit janë rritur më tepër sesa logjika apo sesa normalja”, theksoi ai.

Braçe tha se prej vitesh është kërkuar aplikimi i këtij sistemi, ndërsa theksoi rëndësinë e zbatimit korrekt të tij.

“Pas kaq vitesh që kemi kërkuar aplikimin e këtij sistemi, është e domosdoshme ta bëjmë mirë, jo thjeshtë dhe vetëm për të kaluar radhën”, u shpreh ai.

Shqetësimit iu bashkua edhe kreu i Komisionit, Eduard Shalsi, i cili theksoi se nevojitet që të dëgjohen palët, për të bërë të mundur që sistemi të aplikohet pa u deformuar.

“E gjej me vend dhe besoj se mund të mos mjaftojë vetëm dëgjesa me drejtuesen e AMF-së, por duhet të thërriten edhe përfaqësuesit e kompanive të sigurimit në treg, për të kuptuar më mirë situatën dhe bërë të mundur që vullneti dhe qëllimi të realizohet sikundër ishte vizioni”, tha ai.

Sipas tij, nëse në praktikë, ka raste ku nuk përputhet vizioni me praktikën, duhet ndërhyrë.

Nga 1 janari 2025 nisi aplikimin sistemi i ri bonus-malus, që në thelb ka si qëllim edukimin e drejtuesve të mjeteve dhe në njëfarë mënyre edhe shpërblimin e atyre që zbatojnë rregullat e qarkullimit.

Për policën e re të sigurimit, njohur ndryshe si siguracioni i automjetit, me hyrjen në fuqi të këtij sistemi nuk ka tarifë fikse, por llogariten disa elementë, si fuqia motorike, rajoni, mosha e të siguruarit, eksperienca e shoferit, vjetërsia e mjetit apo edhe arsyeja e përdorimit të mjetit, që mund të jetë për qëllime personale apo për biznes. Sistemi përcakton çmime më të larta për drejtuesit e mjeteve në moshën 18-21 vjeç. Mosha e makinës ka ndikim, pasi është synuar mbështetja për makinat e reja, përfshirë edhe ato elektrike, apo hibride.

Çmimi i siguracionit rritet në mënyrë të qenësishme nëse makina do të përdoret nga bizneset. Me rregullat e reja ka një koeficient 20% rritje për bizneset pasi llogaritet që rreziku është më i lartë në rastet kur ka disa përdorues. Sipas rregullores, koeficienti që lidhet me historikun e aksidenteve të shkaktuara në policën e këtij vitit llogaritet “1” për policën e sigurimit të këtij viti dhe sistemi shpërblyes bonus-malus do të fillojë nga 2026-a bazuar mbi historikun e 2025-ës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë