Njerez

Siriani që u përkujdes për macet e rrugës dhe njerëzit gjatë luftës

Mohammad Aljaleel, i njohur si njeriu që dashuron macet në Aleppo, e gjen në strehën e maceve Ernesto të cilën ai e drejton në Kafr Naya.

Mohammad Aljaleel është përkujdesur për macet e pastreha dhe për njerëzit gjithashtu gjatë bombardimeve në Aleppo. Që prej atëherë ai ka ngritur një strehë dhe një klinikë veterinare për felinët e pastrehë.

Njeriu i maceve nga Alepo, Mohammad Aljaleel, preku zemrat e miliona njerëzve në gjithë botën kur streha e tij për macet u shfaq në një video të BBC në 2016. Ai duhej të linte qytetin në kohën e bombardimeve, por ai tashmë është rikthyer - në një zonë aty pranë duke ndihmuar si fëmijët, ashtu edhe kafshët në qytetin që u shkatërrua nga lufta.

https://www.youtube.com/watch?v=hgFiwMoytM8

Vetëm disa javë pasi u filmua video, Mohammad Aljaleel (i njohur për të gjithë si Alaa) vërente i pafuqishëm se si streha e maceve u shkatërrua nga bombardimi.
Shumica e 180 maceve të tij humbën ose u vranë. Si mijëra civilë të tjerë, ai u bllokua në pjesën lindore të qytetit nën bombardime të vazhdueshme nga avionët luftarakë rusë dhe sirianë.

Ndërsa qyteti ndodhej nën rrethim, ai u detyrua të shkonte nga një anë në tjetrën duke i dëshmuar botës skena të paimagjinueshme shkatërrimi permes rrjeteve të tij sociale. Megjithatë, në të gjithë atë situatë, ai vazhdoi të kujdesej për disa mace që mbijetuan dhe iu dedikua gjithashtu shpëtimit të njerëzve të plagosur, duke i mjekuar ata në mjedise nëntokësore.

Në dhjetor 2016, ai la qytetin me një furgon të mbushur me njerëz të plagosur dhe gjashtë macet e fundit nga streha e bombarduar.

Alaa

"Gjithmonë kam ndjerë se është detyra ime dhe kënaqësia ime të ndihmoj njerëzit dhe kafshët kurdoherë që ata kanë nevojë për ndihmë" thotë Alaa. "Unë besoj se kushdo që e bën këtë do të jetë personi më i lumtur në botë".

Pas një rikuperimi të shkurtër në Turqi, ai u rikthye sërish në Siri - duke sjellë një mace turke me vete - dhe vendosi të krijojë një strehë të re për macet, më të madhe dhe më të mirë se e para, në Kafr Naha, një fshat i pozicionuar në perëndim të Alepos.

Ai mblodhi fonde prej atyre që i donin macet fort përmes Facebook dhe Twitter.
Në Alepo, ai dhe ekipi i tij i ndihmësve punuan fort që streha të kishte të gjitha gjërat e nevojshme. Edhe në kulmin e bombardimeve, ata zhvilluan kurse se si kafshët ndikonin në mirëqënien e fëmijëve, për të zhvilluar empatinë mes tyre. Ata gjithashtu ngritën një shesh lojrash ngjitur me strehën e maceve që fëmijët të shpërqëndroheshin pak nga gjendja apokaliptike e vendit të tyre.

Alaa dhe ekipi i tij i ngjajnë një agjensie të vogël zhvillimi, duke siguruar shërbime që organizatat bamirëse qeveritare dhe ndërkombëtare nuk munden. Ai beson fuqimisht se duke ndihmuar fëmijët të kujdesen për kafshët, u mëson atyre rëndësinë e mirësisë ndaj të gjitha krijesave të gjalla dhe ndihmon për të shëruar traumat e tyre të luftës.
"Fëmijët dhe kafshët janë humbësit më të mëdhenj në luftën Siriane," thotë ai. "Janë të rriturit ata që aq shpesh sillen keq."

Ndërsa ishte një djalë i rritur në Alepo, Alaa ishte kujdesur gjithmonë për macet, duke i nxitur miqtë e tij të bënin të njëjtën gjë, edhe pse mbajtja e maceve dhe qenve si kafshë shtëpiake nuk është zakon në Siri ose në pjesën tjetër të botës arabe.
Ai filloi të punojë në moshën 13 vjeç, si një elektricist, por gjithashtu bënte edhe shumë punë të tjera - piktor, dekorues, ekspert i IT, etj … madje ai tregtonte lodra mes Libanit dhe Sirisë.
Ai punoi shumë dhe mësoi se si t'i bënte gjërat. "Pluhuri mund të kthehet në ar nga duart e tua, Alaa," thoshte nëna e tij.

Ëndrra e tij ishte të bëhej zjarrfikës si i ati dhe të punonte në kërkim dhe shpëtim, por punë të tilla u janë dhënë vetëm atyre që kanë lidhje, dhe lidhja përmes babait të tij nuk ishte e mjaftueshme. Kështu që për vite me radhë aplikimet e tij ishin refuzuar.

"Sigurisht që kurrë nuk do të kisha dëshiruar që ëndrra ime të realizohej përmes luftës. Unë uroja që të mund t'i kisha arritur këto gjëra pa vuajtjet që kam parë" thotë ai.
"Zoti më bekoi duke më vendosur në një pozitë ku unë mund t'i ndihmoja njerëzit duke qenë njeri shpëtimtar, por në makthet e mia më të këqija kurrë nuk kam imagjinuar një luftë si kjo për njerëzit e mi ose për vendin tim, apo edhe për një kafshë të vetme."

Gjatë rrethimit në Aleppo ai vizitonte të dy shtëpitë e të moshuarve; të krishterë dhe myslimanë, duke shpërndarë ushqim për ta. Grupe ekstremiste të tilla si Jabhat al-Nusra i lidhur me al-Kaedën rregullisht e sulmuan atë, duke e quajtur atë jobesimtar, por ai vazhdoi pavarësisht të gjithave.

“Profeti ynë Muhamed ishte i mirë për të gjithë. Ai foli me të gjithë të krishterët dhe hebrenjtë. Unë besoj në Moisiun, Jezusin dhe Muhamedin, sepse të gjithë kishin një qëllim fisnik. Unë jam musliman, por nuk jam fanatik. Unë thjesht marr nga feja gjithçka që është e mirë dhe që unë mund të mësoj çfarë më nevojitet", thotë Alaa duke shtuar se "Unë fajësoj të gjitha palët luftuese në mënyrë të barabartë - pavarësisht se kush janë ata ose pse ata thonë se po luftojnë për të mirën e qytetarëve,".

"Ne po rindërtojmë komunitetet tona dhe roli im është të rindërtoj strehën time për macet. Miqësia midis kafshëve është një gjë e shkëlqyer dhe duhet të mësojmë prej tyre. Unë do të qëndroj me ta pa marrë parasysh se çfarë ndodh”- do të thoshte në kohën kur u rithye për të rindërtuar strehën e felinëve Ala.

"Duket se bota nuk mund të zgjidhë luftëra dhe konflikte këto ditë. Kjo është arsyeja pse tani ka kaq shumë refugjatë në të gjithë botën, por veçanërisht këtu në Lindjen e Mesme. Unë nuk dua të jem refugjat. Unë dua të qëndroj në vendin tim, në Siri. Unë dua të ndihmoj njerëzit në çfarëdo mënyre që mundem."


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë