Të lodhur nga qindra kilometra që përshkruan në këmbë për të ikur nga vendet e Lindjes së Mesme, vetëm në kufirin shqiptar përgjatë 2020-s u kapën 18 mijë e 800 shtetas të huaj kryesisht sirianë e irakianë që ose tentuan të hyjnë në Shqipëri ose u zbuluan rrugëve në qytete të ndryshme.

Shumica e tyre sipas burimeve të Gazetasi.al pasi janë kontrolluar dhe u janë marrë deklarimet janë kthyer pas. 2200 të tjerë kërkuan azil politik bëjnë me dije burimet, ndërsa 39 të tjerë u mbyllën në qendrën e Karecit duke qenë se nuk dispononin dokumente dhe njëkohësisht ishin të dyshimtë dhe duheshin hetuar se çfarë përfaqësojnë.
Gjithë ky fluks migrantësh pavarësisht pandemisë ndikoi drejtpërdrejt në disa fusha të jetës në Shqipëri.
“Pa dyshim ndikimi i parë ishte ringjallja dhe forcimi i grupeve kriminale që shtrihen në formën e rrjeteve, që bashkëpunojnë në Ballkan për të siguruar udhëtimin e migrantëve nga Siria në Turqi, mandej Greqi-Shqipëri- Kosovë apo Mal i Zi – Bosnjë e më tej Austri”, shprehet për Gazetasi.al një burim i prokurorisë që jep alarmin për formimin e rrjeteve të mirëfillta.
“Shumë pak prej tyre, nga ata që ndeshen nëpër rrugë zgjedhin të paguajnë shpenzimet rastësisht ku përfshihet fjetja, transporti dhe ushqimi, të tjerët bien në grackën e grupeve që i qarkullojnë në rastin më të keq përmes kalimit në këmbë të kufijve dhe në rastin oportun, duke modifikuar udhëtimin shtet më shtet, të tillë si futja në kamionë dhe mjete të transportit të rëndë”, shpjegon një burim pranë Prokurorisë së Gjirokastrës që është qarku që ka më tepër operacione dhe hetime, ndërsa në vend të dytë është Korça.
“Janë dy qytetet ku ka vendkalime tokësore me Greqinë dhe për këtë arsye hetimet shpesh flagrante çojnë në një duzinë njerëzish të kapur që janë kryesisht dhe në vend të parë Sirianë, irakianë dhe në fund marokenë”, thekson për gazetën Si zyrtari i policisë.
Shumë kilometra larg Korçës dhe Gjirokastrës në qendër të Tiranës Ahmed, 27 vjeç kthen shpinën menjëherë sapo i drejtohet aparati për ta shkrepur. Me një çantë të UNHCR në krahë ai vijon prej gjashtë muajsh një udhëtim fatkeq dhe që nuk ka asnjëherë fund.
“Kërkoj Gjermaninë, atje dua të shkoj. Më kanë kapur shtatë herë. Nuk e keni idenë çdo të thotë të udhëtosh pambarimisht dhe mos të mbërrish atje ku do. Kam ngecur në Ballkan, dy vjet në Greqi, në një rast shkova deri në Bosnjë aty u bllokova. Më kthyen, secili nga shtetet dhe përfundova prapë në Greqi. Tani kam mbërritur deri në Tiranë. Do vazhdoj”, thotë ai.
Ahmed tregon se sirianët dhe shtetas të tjerë të vendeve të lindjes kanë krijuar një habitat të posaçëm për t’ia dalë mbanë në Ballkan.
“Ne nuk udhëtojmë asnjëherë vetëm. S’ka lidhje me rrezikun, por duhet të ndihmojmë njëri-tjetrin. Jam bërë si ekspert, unë e di se në Korçë në një mal ka një shteg ku kalohet më lehtë. Por shqiptarët janë të mirë na ndihmojnë, nuk na përbuzin. Ka pasur raste kur policët rrugorë që na kanë takuar, na kanë dhënë ujë dhe bëjnë sikur nuk na shikojnë”.
Ahmed fotografohet me çantën blu me kurriz. Ai pranon të publikohet kjo foto duke shtuar se “të siguroj që do më njohin edhe nga kurrizi, më duket se po bëhem shqiptar, aq shumë kam udhëtuar në këmbë”.
Përpara tij prin një tjetër i ri, mes për mes qendrës së kryeqytetit shqiptar dhe përbri godinave të reja dhe një polici që u hedh shikimin pa asnjë shprehje në fytyrë.
Në polici raste si i Ahmetit regjistrojnë shembuj nga më ekstremët. Dhunë, vjedhje, drogë. Të rinj që kanë ngecur dhe për të mbijetuar vjedhin ose kërcënojnë. “Një krim i ri ka lindur prej dy vitesh megjithëse nuk pranohet me zë të lartë. Janë krimet që shkaktohen nga migrantët e paligjshëm. Ka të rinj adoleshentë nën moshë që duan të mbijetojnë të fitojnë dy para dhe të ikin medoemos”, thotë zyrtari i rendit për gazetën Si.
Shqiptarë që pendohen
Ashtu siç tregoi Ahmed, një shtetas shqiptar me inicialet O. P u pendua dhe u dorëhoq nga kallëzimi pasi u sulmua nga dy shtetas të huaj që i kërkuan bukë duke iu drejtuar një thikë.
Dosja që Gazetasi.al disponon tregon se si hetimi u regjistrua nga komisariati numër tre, që u vu në lëvizje nga një telefonatë e të riut, i cili ka një fast food në Tiranë.
Mes një mish-mashi fjalësh ku secili nga palët fliste në gjuhën e tij, patrulla më e afërt mbërriti tre minuta pas telefonatës që kërkoi ndihmë.
Anuar Bucharia, 28 vjeç dhe Khalid Elajouri u identifikuan më tej në komisariat si dy migrantë të paligjshëm që po synonin të kalonin nga Shqipëria drejt Kosovës. Ata kishin qëndruar me fuqi të prera përpara fastfood. Njëri prej tyre thotë në polici “doja të shkoja në banjë dhe ju thashë nëse mund të hyja”, kurse i dyti shpjegon që “ishte i uritur dhe kishte nevojë për bukë”.
Shtetasi shqiptar nga ana e tij tregon se nuk kuptoi asnjë fjalë veç gjesteve që ai pa “ai me xhinse blu , me kapele të zezë nxori thikën dhe m’u drejtua. I nxora jashtë sepse nuk doja të më bënin pis ambientin.
Policia shkruan në dosje se thika ishte thikë buke me mbishkrimin marob stainless dhe nuk plotëson kushtet për të qenë armë e ftohtë.
“Nuk kishim lekë me vete, u ulëm dhe kërkuam për të ngrënë, me anglishte dhe sa mundëm ia shpjeguam. Ai na tha s’ka, ik largohu. Aty u acarova dhe e shtyva dhe nxora thikën që e kam gjetur në rrugë”, justifikohet Elajouri.
Mbasi policia ka marrë dhe siguruar dëshmitë e secilit, është gjendur e befasuar nga qëndrimi i shtetasit shqiptar. “Unë heq dorë nga kallëzimi, ata nuk më kanosën”. Kjo ka sjellë pushim të çështjes shpjegon zyrtari i policisë sipas të cilit meqenëse nuk ka denoncim dhe thika nuk i plotëson kushtet atëherë s’ka vepër penale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



