Edhe në një ditë tipike franceze ku rrugët janë të mbushura nga turistët dhe restorantet gumëzhijnë nga bisedat, sirenat e alarmit bien duke trembur gjithë turistët.
Është një dukuri e çuditshme. Por ajo që është akoma më e çuditshme është se përveç turistëve të hutuar, askush nuk duket se e vëren.
Në Francë, të mërkurën e parë të çdo muaji, sirenat të parashikuara fillimisht si paralajmërime për bombardimet e Luftës së Ftohtë, lëshoheshin si një provë e alarmeve në rreth 2000 qytete dhe fshatra në të gjithë vendin.
Sot ato qëndrojnë si paralajmërime për katastrofa natyrore ose industriale, por me luftën në lindje të Europës, autoritetet franceze kanë lëshuar deklarata për t’u kujtuar francezëve se 1 minutë e 41 sekonda sirena që dëgjohen janë vetëm një stërvitje.
“Me siguri nëse do të kishte një luftë, do ta kishim parë në lajme apo diçka tjetër”, thotë një turist nga Londra, ndërsa dëgjoi sirenën këtë muaj jashtë Notre Dame të Parisit.
“Mendova se ishte diçka e rëndësishme, por përsëri njerëzit nuk reaguan”, tha ai.
Por ‘surpriza’ nuk është e kufizuar vetëm tek vizitorët.
“Nuk është e pazakontë që prefektura merr telefonata nga individë, vendas ose turistë, të cilët janë të shqetësuar për sirenën”, tha Matthieu Pianezze, kreu i shërbimit ndërinstitucional të mbrojtjes civile në Yvelines, një rajon në perëndim të Parisit.
“Natyrisht, ata sigurohen shpejt nga ekipi ynë, i cili është i pajisur me informacionet e duhura për t’iu përgjigjur shqetësimeve të tyre të mërkurën e parë të muajit”.
Sirenat që dëgjohen sot mund të gjurmohen deri në mesjetë. Që nga ajo kohë, ka qenë përgjegjësia e administratës të sinjalizojë çdo incident që mund të kërcënojë fizikisht popullatën.
Një nga këmbanat më të zakonshme të përdorura në atë kohë ishte e njohur si “tocsin”, e gjetur në kisha dhe priftërinjtë i binin për të alarmuar popullsinë për rrezik.
Në vitin 1914, këmbanat binin për më shumë se një orë në një numër qytetesh për të paralajmëruar sa më shumë njerëz që të ishte e mundur për shpërthimin e Luftës së Parë Botërore.
Pas Luftës së Dytë Botërore, sirenat morën kontrollin dhe u vendosën për të paralajmëruar për kërcënimet e mundshme ajrore. Dislokimi i tyre u përshpejtua gjatë Luftës së Ftohtë dhe tani mund të dëgjohen në të gjithë Francën.
Në Maison-Laffitte, një qytet me rreth 23,000 banorë në periferinë perëndimore të Parisit, sirena kryesore ndodhet në çatinë e bashkisë.
Mënyra se si ata punojnë është relativisht e thjeshtë.
“Agjentët e prefekturës mund ta aktivizojnë atë nëpërmjet një aplikacioni që është mjaft i lehtë për t’u aksesuar”, thotë Pianezze.
“Ky test mujor na lejon të shohim se cilat nga 47 sirenat tona janë të prishura dhe duhet të rregullohen. Ne duhet t’i rregullojmë ato sa më shpejt që të jetë e mundur që ato të jenë gati në rast urgjence të vërtetë.
Shumë e kanë vënë në pikëpyetje efikasitetin e këtij sistemi paralajmërues prej dekadash.
“Franca ka zgjedhur të mbajë sirenat sepse ka një trashëgimi të caktuar, një traditë pas saj”, thotë Johnny Douvinet, profesor gjeografie.
Si një ekspert në sistemet e alarmit të popullsisë, ai shpjegon se ishte ish-presidenti Charles de Gaulle ai që urdhëroi sistemin aktual dhe se “megjithë ndryshimet e ndryshme brenda ministrisë së brendshme, përparësia që i është dhënë sirenës si mjet alarmi ka qenë gjithmonë shumë e madhe”.
Jo të gjithë janë dakord për dobinë e tyre. Tingulli i sirenës është i njohur për Jacqueline Bon, 92 vjeç, e cila ishte adoleshente gjatë Luftës së Dytë Botërore. Por, duke i dëgjuar rregullisht “nuk ka asnjë efekt tek unë”, thotë ajo, edhe pse tingulli është i njëjtë me atë të një shekulli më parë.
“Më ndikonte shumë gjatë luftës, sepse ata binin sa herë që kishte bombardime që të mund të shkonim nën tokë për mbrojtje”. Tani, ajo ndjen se sirenat e alarmit kanë humbur kuptimin e tyre.
“Unë nuk ndjej më asgjë”, thotë ajo.
Por duke pasur parasysh ngjarjet e sotme gjeopolitike, Douvinet thekson se rikthimi i luftës në territorin europian mund të ketë rifreskuar mendimin e publikut për sirenat.
“Lufta në Ukrainë ka treguar se ndoshta sirenat nuk janë aq të padobishme sa menduan njerëzit”, thotë ai. “Një gjë është e qartë, kur diçka ndodh, njerëzit duan të informohen”.
Pas Covid-19 dhe me ngjarje të mëdha si Kupa Botërore e Rugbit në 2023 dhe Lojërat Olimpike në 2024 në horizont, “Këshilli dëshiron të dyfishojë menaxhimin e rrezikut dhe krizës”, tha shefi i mbrojtjes civile të Yvelines, Pianezze.
Megjithatë, thirrjet për ndryshimin e sistemit, për të cilin disa thonë se është i vjetëruar, janë rritur.
Në vitin 2019, një fabrikë kimike mori flakë një natë në Rouen në Francën veriperëndimore dhe një re tymi i zi mbuloi qytetin. Sirenat e alarmit u ndezën disa orë pas fillimit të zjarrit duke lajmëruar njerëzit pasi ishin zgjuar nga gjumi.
Ndërkohë, autoritetet zgjodhën të komunikojnë përmes Tëitter dhe mediave të lajmeve.
Në një fjalim drejtuar qeverisë pas zjarrit, prefekti i rajonit të Normandisë Pierre-André Durand tha se ai mendonte se sistemi kishte shumë hapësirë për përmirësim dhe se, “Ne nuk mund t’i menaxhojmë krizat e shekullit të 21-të me një mjet të shekullit të 20-të”.
Dëshirat e Durandit mund të realizohen këtë qershor, sepse sirenat janë bashkuar me një sistem të ri, të modernizuar. Franca po teston mesazhet celulare të stilit “amber alert”.
Nëse janë efektive, ato duhet të shpërndahen në mbarë vendin deri në verë. Megjithëse sisteme të ngjashme janë tashmë të vendosura në Europë dhe në SHBA, kjo teknologji është inovative, sipas Matthieu Pianezze, pasi kombinon transmetimin celular dhe teknologjitë SMS të bazuara në vendndodhje.
Kjo do të thotë që të gjithë në një zonë të caktuar, pavarësisht nga rrjeti celular ose telefoni i tyre, do të marrin një alarm nga autoritetet.
“Mund të jenë turistët që thjesht po vizitojnë zonën e Yvelines për shembull”, tha Pianezze.
“Imagjinoni në Pallatin e Versajës, ku ka shumë turistë, të gjithë do të merrnin një alarm. Dhe ndoshta edhe në një larmi gjuhësh”.
Kjo nuk do të thotë fund për sirenën e vjetër. Sirenat janë këtu për të qëndruar dhe thjesht do të kenë një rol më plotësues në rastet e emergjencës.
Pianezze thotë se duhet të ruhen kultura të tilla dhe se “frika” e turistëve duhet të largohet.
“Tradita ka një vend të veçantë në Francë dhe sirenat nuk bëjnë përjashtim”.
Kështu që, ju drejtohet ai turistëve, herën tjetër që të vizitoni Francën dhe të kapni në atë që tingëllon si një sulm ajror, ruani qetësinë dhe mbani mend se ndoshta është vetëm fillimi i muajit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.