Njerez

Sipërmarrësja 36-vjeçare Anita Likmeta, kandidatja e parë shqiptare në parlamentin italian

Gazeta “Si”- Askush nuk do ta besonte se vajza 11-vjeçare nga fshati Rubjekë i Durrësit, është Anita Likmeta, sot 36-vjeç, sipërmarrësja e re e natyralizuar italiane, kandidate për deputete që konkurron për Dhomën e Deputetëve të Parlamentit Italian në zgjedhjet parlamentare që zhvillohen me 25 shtator.

“Kur mbërrita në Itali, në vitin 1997, isha 11 vjeç dhe e dija që nuk do të kthehesha kurrë në Shqipëri. Nëna ime e ikur me anijen “Vlora” në vitin 1991, jetonte në një qytet në provincën e Pescarës: ne ishim shqiptarët e parë në atë zonë. Të gjithë na vështronin me dyshim. Së shpejti mësova të pranoj idenë e të qenit ndryshe dhe të angazhohem për të bërë një ndryshim”, tregon Anita në intervistën e saj për Gazetasi.al.

Për nënën e saj, ky udhëtim ishte udhëtimi i shpresës. Ajo iku nga Shqipëria, me dy fëmijë në krahë, duke hyrë në anijen Vlora, që në 1991 që dërgoi në Bari të Italisë gati 20 mijë shqiptarë.

Në muajt e parë, nëna e Anitës jetoi në kampet e refugjatëve, pastaj përveshi mëngët duke filluar punë si rrobaqepëse në Itali.

Për Anitën e vogël, e cila iu bashkua familjes në Itali, 6 vite më vonë, të mësuarit italisht ishte një sfidë që ajo e përballoi e vetme. Në vend të kukullave, ajo kërkonte libra.

Studimi dhe rezultatet e mira e shpërblyen me bursë dhe në moshën 18-vjeçare regjistrohet në Akademinë e Arteve Dramatike në Romë, më pas diplomohet në Filozofi në universitetin “La Sapienza” në Romë.

“Gjatë viteve të universitetit kam jetuar në Paris. Për të mësuar frëngjisht, unë kam punuar si babysister dhe mbaja një vajzë”, tregon Anita.

Në Francë qëndroi dy vjet, pastaj u kthye në Itali dhe filloi të punonte si përkthyese dhe tani ajo flet gjashtë gjuhë, por ëndrra e saj ishte biznesi, të ishte një sipërmarrëse.

Për këtë, Anita studion teknologjinë dixhitale dhe pas 10 vitesh ajo sot është partnere në startup-e të ndryshme dhe të suksesshëm në Itali.

Anita thotë se ka punuar shumë për të realizuar ëndrrat dhe gjithmonë ka dashur që historia e jetës së saj të ishte një shembull për shumë të rinj. 

“Në ato anije të mbushura me emigrantë, nuk ishte vetëm Anita, por mijë Anita, vajza që mund të japin një kontribut të madh në vendin që i mirëpriti. Unë e di pse njerëzit vrapuan. Ata shpëtuan nga lufta, nga varfëria, nga jeta e zymtë. Ata bën një udhëtim të dëshpëruar, sepse ata dëshironin të jetonin. Dhe ata kanë shumë për të dhënë”, thotë Anita Likmeta.

Sot Anita është anëtare e Confindustria Italia dhe Assolombarda Itali si dhe anëtare e Dhomës Ekonomike të Gruas në Shqipëri. Vitin e kaluar, më 2021, ajo u vlerësua si një nga 150 gratë më të fuqishme në inovacion në Itali.
Startupitalia ka publikuar listën me 150 profesionistwt më të njohura të Italisë në fusha të ndryshme, mes të cilave është dhe shqiptarja Anita Likmeta.

Në artikullin e publikuar në Startupitalia, thuhet se këto gra të talentuara duhet të njihen dhe t’u jepet zë. Unstoppable Women është një projekt i lindur nga një listë prej 150 grave që duhet ndjekur në inovacion në Itali: themeluese, menaxhere, aktiviste, studiuese që dallohen për atë që bëjnë.

“Gratë ndërmarrëse, të guximshme, të talentuara, por mbi të gjitha punëtore të palodhshme, të cilat besojmë se mund të jenë një shembull për t’u ndjekur për shumë e shumë të rinj. Kurse në vitin 2021 ajo u emërua si nga 50 gratë më të fuqishëm në Europë sipas Corriere dell Sera. Anita Likmeta, me rrugëtimin e saj po frymëzon gjithnjë e më shumë vajza e djem të rinj brenda e jashtë vendit, duke u treguar se dija dhe guximi kur bëhen bashkë, asnjë nuk i ndal”, shkruhet në Unstoppable Women.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë