Nga Gazeta ‘SI’ – Inflacioni i matur sipas Eurostat në Shqipëri (Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit), gjatë muajit shkurt shkoi në 6.8%, 0.3 pikë përqindje më i ulët se ai i matur nga Instat, po për të njëjtën periudhë.
Në inflacionin e Eurostat, rritja më e madhe e çmimeve në raport vjetor i përket grupit të ushqimeve dhe pijeve joalkoolike me 12%, pasuar nga mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje me 7.3%, veshje dhe këpucë me 5.5% dhe transporti me 4.3%.
Në raport mujor, inflacioni i harmonizuar ra me 1.3%, për shkak të rënies së çmimeve të transportit, naftës, me rreth 2%. Por ndërkohë, produktet kryesore të shportës kanë vijuar me rritje. Ushqimet dhe pijet joalkoolike janë shtrenjtuar me 4% nga janari në shkurt, pasur nga mobilje, pajisje shtëpie me rreth 1% rritje etj. Gjithsesi, rritjet janë po ashtu minimale dhe të ngadalta, por ende jo në tendenca rënëse.
Shqipëria vazhdon të jetë ndër vendet me inflacionin më të ulët se vendet e tjera të BE-së, duke lënë pas vende si Malta, Spanja, Franca, Zvicra dhe Islanda.
Mesatarja e Bashkimit Europian për të njëjtën periudhë po ashtu ka rënë, nga 10% një muaj më parë në 9.9%.
Shteti me inflacionin më të lartë në Europë, për muajin dhjetor raportohet Hungaria, rreth 26% dhe me më të ulëtën, Zvicra me rreth 3%.
Shporta e produkteve ku Eurostat bazohet për matjet, ka një tjetër përmbajtje nga ajo e INSTAT dhe dy produkte më pak.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.