Arsim

Pedagogët: Përsëri protestë!

Kreu i Sindikatës së Pedagogëve Sandër Kovaçi ka njoftuar protestë ditën e mërkurën në orën 12:00., pranë Universitetit të Politeknikut. Me anë të një deklarate për median, ai tha se përgjatë këtyre muajve kanë ndjekur shqyrtimin nga ana e autoriteteve publike të kërkesave dhe peticionit të tyre dhe kanë vendosur të dalin me një deklaratë pasi nuk ka pasur një zgjidhje.

“Deklaratat dhe qëndrimet e qeverisë për të mos mbështetur financiarisht arsimin e lartë në lidhje me rritjen e pagave dhe fondit për kërkimin shkencor dëshmon mungesën e njohjes, por edhe të ndjeshmërisë së pushteteve ndaj asaj që po ndodh në universitete dhe në gjithë shoqërinë tonë”, tha Kovaçi duke shtuar se përfaqësuesit e qeverisë nuk kanë shfaqur asnjë dëshirë për të dialoguar mbi kërkesat e pedagogëve.

LEXO EDHE:
– Pedagogët heqin dorë nga bojkoti, por vazhdojnë me protestat. Tjetra më 8 nëntor
– Pedagogët kërkojnë rritje page, por ku shkojnë miliona eurot e universiteteve?
– Sindikata nuk tërhiqet, bojkoti i pedagogëve në ditën e dytë

Si nisi protesta?

14 shtator të 2022, Sindikata e Pedagogëve paralajmëroi protestë dhe bojkot të vitit të ri akademik nëse nuk plotësoheshin kërkesat që kishin parashtruar drejt Qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit.

Asokohe ishin 9 kërkesa:
– Rritja e pagës me 50 për qind për 2 vite
– Rritja e financimit për kërkimin shkencor
– Rivendosja e shtesa mbi pagë
– Rritja e shtesës mbi pagë për vjetërsi në punë
– Rritja e pagesës së orëve suplementare
– Rivlerësimi i orëve mësimore
– Rishikimi i mënyrës së përllogaritjes së tatimit mbi të ardhurat
– Rishikimi i amendamentit për marrjen e titullit “Profesor’
– Transparencë mbi buxhetin.

Viti i ri akademik nisi me bojkot ku pedagogët dolën në oborret e Universiteteve duke bojkotuar kështu fillimin e vitit të ri akademik.

Ndërkohë që bojkoti vazhdoi për disa kohë, ku çdo ditë pedagogët dilnin 2 orë para oborreve të Universiteteve në shenjë proteste, Ministria e Arsimit dhe Qeveria nuk dhanë asnjë deklaratë zyrtare në lidhje me kërkesat e pedagogëve, përveç disa deklaratave që u dhanë në takime të ndryshme që pedagogëve do u rritet rroga me 15 për qind, ku 8 për qind e pagës do financohen nga Qeveria dhe 7 për qind nga Universitetet, ndryshim që u miratua në Këshillin e ministrave.

Menjëherë Universitetet filluan të miratonin rritjen e pagës së Pedagogëve me Universitetin e Mjekësisë, Tiranës, Sportit dhe Politeknikut të parët.

Por, edhe me rritjen 15 për qind, sindikata nuk pranoi të mbyllte bojkotin, duke parë si zgjidhje të vetme grevën e urisë.

Ndërkohë që pritej që 10 pedagogë të futen në grevë urie më 2 nëntor, sindikata doli me njoftimin se pritej garancia e jetës nga Kryeministri për të hyrë në grevë urie, garanci që nuk erdhi kurrë dhe kështu u shua protesta e pedagogëve, të cilët iu rikthyen mësimit normal.

Pasi kaluan disa muaj që Sindikata e Pedagogëve qëndronte në heshtje (në nëntor ishte deklarata e tyre e fundit), Ministrja e Arsimit, Evis Kushi tha në një deklaratë se po diskutohen kërkesat e pedagogëve me një grup pune ku pjesë janë dhe përfaqësues të Universiteteve.

Sandër Kovaci, kreu i Sindikatës tha për Gazetasi.al se përveç takimit të datës 23 shtator 2022, Ministria e Arsimit nuk ka bërë asnjë takim me përfaqësues të Sindikatës.

“Kemi bërë thirrje publike por dhe direkt me shkresa që pjesë e grupeve të punës të ndryshimeve ligjore apo VKM përkatëse për realizimin e peticioneve dhe realizimit të kërkesave të jenë edhe anëtarë të sindikatës dhe stafit akademik, por nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Nuk është plotësuar asnjë kërkesë dhe as nuk jemi palë e tyre”, thotë Kovaçi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë