Njerez

Sindikata e mjekëve i kërkon qeverisë shpërblimin e premtuar për pandeminë

Sindikata e profesionistëve të shëndetit i kërkon ministrisë së Shëndetësisë të mbajë premtimin për dhënien e shpërblimit 1000 euro, punonjësve të sistemit publik shëndetësor të cilët punuan gjatë 2 viteve të pandemisë.

Në një prononcim për gazetën “Si”, kryetari i sindikatës së mjekëve, Gerald Kola, thotë se që nga maji i vitit 2021  e deri më tani, nuk është dhënë asnjë shpërblim për mjekët.

Sipas tij, sindikata i është drejtuar me disa shkresa ministrisë së Shëndetësisë, por deri më tani askush nuk jep përgjigje të qartë, a do të jepet apo jo ky shpërblim.

 “Po bëhet një lojë midis institucioneve të spitaleve dhe ministrisë së shëndetësisë, është një lojë ping-pongu  mes tyre duke ja hedhur fajin njëra-tjetrës, drejtoria e QSUT, ministrisë dhe anasjelltas por një gjë dihet që asnjë nuk ka marrë shpërblimin sipas vendimit të qeverisë më 10 mars 2020”, thotë kryetari i sindikatës së mjekëve, Gerald Kola.

Kola thotë se sindikata kërkon zbatimin e vendimit të qeverisë i cili iu njeh mjekëve dhe infermierëve që kanë punuar në spitalet COVID dhe urgjencat mjekësore në vitet e pandemisë, që të marrin shpërblimin e merituar. Sipas kreut të sindikatës së mjekëve, disa kategori mjekësh, si epidemiologët që në periudhën e pandemisë merrnin tamponet në shtëpitë e pacientëve të prekur me covid-19, e kanë marrë shpërblimin deri në muajin shtator 2021. Ndërsa pjesa tjetër u është ndërprerë në maj të 2021.

“Urdhëzimi i ministres së Shnëdetësisë Ogerta Manastirliu më 1 prill 2020, referuar vendimit të qeverisë i datës 10 mars 2020,  nuk është zbatuar prej periudhës maj 2021 e deri më tani. Ndërkohë që Shqipëria akoma vijon të mbetet në gjendje emergjence pandemie, pasi nuk është shpallur fundi i saj”, thotë kreu i sindikatës së mjekëve, Gerald Kola, për gazetën “Si”.

Por çfarë thuhet në vendimin e qeverisë së datës 10 mars 2020?

Në mbledhjen e qeverisë ku u diskutua situate për koronavirusin, Rama bëri me dije se do ti jepet shpërblim prej 1000 eurosh mjekëve dhe infermierëve për të gjithë punën e tyre.

Ndërkohë sanitarët dhe shoferët e autoambulancave do të kenë 500 euro plus gjatë COVID-19.

“I gjithë personeli mjekësor i angazhuar në sistemin dhe në luftën frontale me koronavirusin që nga autoambulancat që shkojnë për vendosjen e tamponëve. Stafit mjekësor do t’i japim shpërblim prej 1000 eurosh për të gjithë punën e tyre. I gjithë stafi duke filluar nga pastrueset kanë bërë një punë të jashtëzakonshme në të gjithë këtë betejë”, deklaroi kreu i qeverisë në mbledhjen e datës 10 mars 2020.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë