Shendet

Simptomat/ Sa e rrezikshme është cereulida e gjetur në qumështin formulë

Nga Gazeta Si- Tërheqjet nga shumë vende të disa lloje qumështi formulë (seri, produkte dhe marka të ndryshme) janë duke vazhduar pas zbulimit të cereulidës, një toksinë e prodhuar nga bakteri Bacillus cereus, e cila mund të shkaktojë të përziera, të vjella dhe diarre. Tërheqjet paraprake filluan në dhjetor 2025 dhe vazhdojnë si një masë parandaluese e shëndetit publik.

Tërheqjet janë globale, me produkte që shiten si në Europë ashtu edhe në vende jashtë Europës. Pasi shumë vende në Europë e kishin tërhequr produktin, reagoi edhe AKU, duke lajmëruar tërheqjen urgjente të produktit Aptamil 1 Pronutra 800g, me datë skadence 10 nëntor 2026, nga tregu si dhe u ka kërkuar prindërve që kanë blerë këtë produkt ta rikthejnë në marketin që e kanë marrë.

Por çfarë është cereulida dhe sa i rrezikshëm është për fëmijët?

Cereulida është një toksinë që mund të shkaktojë të përziera, të vjella dhe dhimbje stomaku të papritura 30 minuta deri në gjashtë orë pas konsumimit. Tek foshnjat më të vogla, ajo mund të ndryshojë ekuilibrin e kripës së trupit dhe të çojë në ndërlikime të tilla si dehidratimi.

Mjekët thonë se efektet e mundshme të rënda shëndetësore konsiderohen të ulëta deri në të moderuara dhe varen nga mosha e foshnjës, me të porsalindurit dhe foshnjat nën gjashtë muaj më shumë në rrezik për sëmundje të rënda.

ECDC, Qendra Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve njofton se ka marrë raporte për diarre tek foshnjat pas konsumimit të produkteve të tërhequra ndërkohë që po vazhdojnë hetimet kombëtare. Në një rast, një foshnjë që kishte konsumuar formulë nga një seri e tërhequr rezultoi pozitive për toksinën dhe kishte të vjella dhe diarre.

Është e rëndësishme të theksohet se të vjellat dhe diarreja tek foshnjat janë simptoma të zakonshme dhe mund të shkaktohen nga shumë faktorë të ndryshëm, duke përfshirë infeksione virale si norovirusi.

Këshilla dhe rekomandime për shëndetin publik

Për foshnjat që zhvillojnë të vjella ose diarre pas konsumimit të formulës që përmban toksinën, ECDC rekomandon këshillimin me mjekun e familjes dhe nëse simptomat janë të rënda, si dehidratim ose të vjella të vazhdueshme, duhet të paraqiten menjëherë në urgjencë.

Simptomat gastrointestinale tek foshnjat mund të çojnë shpejt në ndërlikime, pavarësisht nga shkaku themelor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë