Mendim

Simbolika e kafazit të xhamit për Veliajn

Kërkesa e Erion Veliajt për të mos u mbajtur në “kafazin e xhamit” gjatë seancave në GJKKO nuk ishte thjesht një detaj procedural. Ajo është një betejë për imazh, perceptim publik dhe kontroll narrativ, e cila shkon përtej mureve të sallës së gjyqit.

“Kafazi i xhamit” ka një simbolikë të fortë në opinionin publik. Në shumë vende, ai përdoret për të izoluar të pandehur që konsiderohen të rrezikshëm ose me rrezik arratisjeje. Për pasojë, pamja e një personi brenda këtij izolimi mund të krijoj idenë e fajësisë, të krimit të rëndë dhe të cenimit të sigurisë.

Nga pikëpamja humane dhe vizuale, kafazi është po aq simbol denigrues sa edhe sigurie. I izoluar në një kuti xhami, i pandehuri duket i mbyllur, i kontrolluar dhe i reduktuar në një figurë të pafuqishme. Për një kryebashkiak të Tiranës, një nga figurat politike më të ekspozuara të viteve të fundit, ky imazh është politikisht shkatërrues.

Për këtë arsye, kërkesa e Veliajt nuk është vetëm juridike. Ajo është një përpjekje për të shmangur një dëm të madh simbolik. Çdo dalje para kamerave brenda kafazit e kthen procesin gjyqësor në një spektakël vizual, ku mbizotëron fotoja, jo fakti; imazhi, jo argumenti. Në këtë kuptim, kërkesa e tij është një strategji për të mbrojtur jo vetëm të drejtat e tij procedurale, por edhe kapitalin e tij politik dhe ndërkohë edhe minmizuar barrën e akuzave të rënda ndaj tij.

Nga ana tjetër, GJKKO ka refuzuar kërkesën duke argumentuar se kafazi garanton standardet e sigurisë në sallë. Kjo përplasje mes simbolikës dhe teknikaliteteve ligjore e çon procesin drejt një debati më të gjerë mbi standardet e drejtësisë në Shqipëri: a duhet që një i pandehur i profilit të lartë të trajtohet si çdo qytetar tjetër, apo trajtimi duhet të shmangë perceptimin e paragjykimit?

Në fund, pavarësisht se Veliaj e humbi këtë betejë të vogël brenda seancës, një gjë është e qartë: në proceset gjyqësore , drejtësia nuk zhvillohet vetëm në sallë, por edhe jashtë saj — në perceptim, në imazh dhe në mënyrën si një fotografi mund të kthehet në gjykim publik përpara vendimit të gjykatës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë