Nga Gazeta ‘SI’ – Tregu i sigurimeve në Shqipëri ka vijuar rritjen edhe gjatë periudhës janar-nëntor 2025, por pavarësisht shtimit të të ardhurave, dëmshpërblimet për qytetarët kanë shënuar rënie.
Një zhvillim pozitiv në treg është rritja e qëndrueshme e sigurimit të pronës, që në 11 muaj arkëtoi 3.8 mld lekë, ku 67% i përkasin sigurimit nga zjarri dhe dëmtime të tjera në pronë. Gjatë janar-nëntor 2025, sigurimi nga zjarri dhe forcat e natyrës shënoi rritje të primeve me 4.31%, ndërsa numri i kontratave u rrit me 9.73%. Këto zhvillime mund të përkthehen si rritje e interesit të shqiptarëve për të siguruar pronën e tyre, përballë zjarreve e tërmeteve, por në realitet lidhen me kredimarrjen hipotekore, që ka si detyrim sigurimin e pronës që po financon.
Të ardhurat dhe dëmshpërblimet
Sipas të dhënave zyrtare, të ardhurat nga primet e shkruara bruto arritën në rreth 24.25 miliardë lekë, ose 10.17% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërkohë, numri i kontratave të sigurimit arriti në mbi 1.5 milionë, me një rritje vjetore prej 4.69%.
Sigurimi i detyrueshëm motorik mbetet shtylla kryesore e tregut. Gjatë janar-nëntor 2025, primet e këtij segmenti arritën rreth 15.1 mld lekë, ose 12.40% më shumë se një vit më parë.
Në kontrast me rritjen e primeve, pagesat e dëmeve kanë rënë. Gjatë janar–nëntor 2025, dëmshpërblimet e paguara bruto kapën vlerën e rreth 7.49 miliardë lekëve, 3.61% më pak se një vit më parë. Sigurimi motorik vijon të mbajë peshën kryesore të dëmeve, me rreth 5.7 miliardë lekë, ose mbi 76% të totalit të paguar.
Tregu dominohet nga sigurimet e detyrueshme, të cilat përbëjnë rreth 62.4% të totalit të primeve, ndërsa sigurimet vullnetare zënë 37.6%. Po ashtu, sigurimet e Jo-Jetës, kryesisht ato motorike, përfaqësojnë mbi 91% të vëllimit të tregut.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




