Nga Gazeta ‘Si’- Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PS, kryeministri Edi Rama u ndal te procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Pavarësisht se sipas tij Shqipëria ka punuar me ritme të shpejta në plotësimin e detyrave të caktuara, ai tha se ende është sfidë përmbushja e detyrimeve për të dalë me sukses nga procesi i negociatave.
“Prej vetëm 2 vitesh, Shqipëria duhet të përmbushë të gjitha kushtet për të mbyllur negociatat e anëtarësimit sikundër e kemi të qartë nga plani që kemi në tryezë i dakordësuar me BE, dhe sikundër e kemi bërë të qartë edhe për opinionin publik.
Akoma sot edhe brenda grupit, lërë pastaj brenda partisë, nuk ka një kuptim të qartë për çfarë do të thotë në pikëpamje të sfidës dhe barrës së detyrimeve përmbushja e kushteve për të dalë me sukses nga procesi i negociatave dhe pastaj përmbushja e kushteve për të përballur përfshirjen në një realitet të ri siç është realiteti i një tregu prej 450 mln njerëzish, ku Shqipëria e integruar do jetë një pikë uji në oqean. Sfida për të gjithë sektorin prodhues dhe për institucionet do jetë e shumëfishtë”, tha Rama.
Ai shtoi se beteja kryesore është për sektorin e prodhimit ushqimor.
Sipas tij, në kushtet e sotme Shqipëria është e paintegrueshme në BE për shkak të nivelit të pamjaftueshëm të sigurisë ushqimore sipas kritereve të Bashkimit Europian.
Rama u shpreh se do të kërkojë një fazë të ndërmjetme, 5 vite pas anëtarësimit në BE, për të plotësuar kriteret për këtë sektor. Ai paralajmëroi se ashtu si në BE, dhe në Shqipëri ushqimet mund të bllokohen sepse nuk përmbushin kriteret e sigurisë.
“Jemi duke negociuar periudhat e ndërmjetme, pas momentit të anëtarësimit, që t’i japim mundësi vendit të jetë i gatshëm të përmbushë kriteret, për të qenë bashkë familjes europiane.
Kjo nuk bëhet ekskluzivisht për ne, është pjesë e mekanizmit të anëtarësimit, e kanë bërë vende përpara nesh. Kroacia ka negociuar dhe ka arritur të marrë 10 vjet fazë të ndërmjetme, për përmbushjen e kritereve në aspektin mjedisor. Ne i referohemi atij rasti dhe bazuar me atë precedent, do mund të marrim lehtësi të tillë. Edhe në Shqipëri do të funksionojnë kriteret e njëjta që do të thotë që edhe në Shqipëri ushqimet mund të bllokohen sepse nuk përmbushin kriteret e sigurisë.
Pastaj, në skenarin më pesimist, do të thotë që gjithçka që hahet të importohet, po shkoj në ekstrem, për ketë arsye duhet një super punë, por edhe një super vendosmëri nga ana jone si vendimmarrës për të mos falur asnjë dhe askënd në emër të nevojës që të vazhdojë të punojë.
Gjithsekush duhet të vendoset në pozita përgjegjshmërie dhe pune, sepse në rastin më të mire janë vetëm 10 vite përpara, nëse do llogarisim 2030 që vitin që jemi ulur në tryezën e BE, dhe 5 vite që urojmë të negociojmë”, tha Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)


