Nga Gazeta Si- Ministria e Arsimit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor kanë firmosur marrëveshjen për futjen e sigurisë rrugore si kurrikul në arsimin parauniversitar.
Kjo marrëveshje synon të zhvillojë tek nxënësit njohuritë për sigurinë rrugore, por edhe aftësitë praktike. Marrëveshja vjen pas zhvillimit të disa orëve edukative në disa shkolla të vendit me kënde të lëvizshme për të stimuluar situata, për t’i edukuar dhe aftësuar nxënësit për sigurinë rrugore.
Nga ana tjetër mësuesit do të trajnohen për t’a përcjellë këtë kurrikul të re tek nxënësit.
Ministrja e Arsimit, Evis Kushi tha se siguria rrugore do të futet si një kapitull më vete në lëndën e Qytetarisë, ku nxënësit përveç njohurive teorike, do të zhvillojnë edhe praktikë.
“Do të bëjmë gjithçka që të hartojmë kurrikulën në një kohë sa më të shpejtë me ekspertë të fushës, po kështu të përgatisim tekste që gjithashtu të jenë të unifikuara në të gjitha shkollat. Dhe theksoj që kjo kurrikul e re do të jetë një kapitull në lëndën e qytetarisë për të gjithë arsimin parauniversitar, në të gjitha klasat, si tek nxënësit e vegjël, ashtu dhe tek adoleshentët dhe moshat më të rritura”, tha Kushi duke shtuar se është e domosdoshme që të kemi një kurrikul të re, tekste të reja të certifikuara ku nxënësit të marrin të gjitha njohuritë për sigurinë rrugore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.