Irena Beqiraj

Siguria kombëtare, variabli riformatues i mendimit ekonomik


E ndërsa ekonomistët prej kohësh e kanë konsideruar sigurinë kombëtare një fushë studimi të veçantë të  lidhur pak me analizat e tyre dhe tregjet, sot situata ka ndryshuar. Deri më sot profesioni i ekonomistit, ashtu si ekonomia globale, lulëzoi në epokën e stabilitetit gjeopolitik të pas Luftës së Dytë Botërore. Tregtia e lirë, institucionet e Bretton Woods dhe Organizata Botërore e Tregtisë  ndihmuan dhe mbështetën zgjerimin e ekonomisë globale. Që prej vitit 1960, PBB-ja globale është rritur rreth tetë herë. Ndërkohë si rezultat i rritjes së frikshme ekonomike, deri në vitin 2030 PBB-ja e Kinës mund të tejkalojë atë të SHBA-së.  Sot, ekonomia ka hyrë në epokën e lidhjes së fortë me një variabël që nuk është konsideruar më parë, sigurinë kombëtare.

Përveç të tjerave, lufta në Ukrainë ka rritur ndjeshëm ndarjet midis blloqeve perëndimore dhe lindore të përqendruara respektivisht rreth Shteteve të Bashkuara dhe Kinës. Rusia ka ndaluar eksportet e saj të energjisë dhe ushqimeve duke përçarë europianët e duke ngjallur ndjenja antiperëndimore në vendet në zhvillim. Kina ka mbajtur anën e Rusisë dhe ka pohuar mbështetjen e saj për Kremlinin. Tensionet mbi Tajvan, prodhuesi edhe lideri global i gjysmëpërçuesve janë një tjetër pikë e rëndësishme në marrëdhëniet SHBA-Kinë.

Fatkeqësisht rivaliteti është më i ashpër se ai gjatë Luftës së Ftohtë, sepse ndryshe nga Bashkimi Sovjetik, Kina është një rival i fortë strategjik dhe ekonomik për SHBA-në. Ky rivalitet duket se po i jep fund epokës së tregtisë së lirë edhe globalizimit.

Fatkeqësisht rivaliteti edhe më i ashpër se ai gjatë Luftës së Ftohtë, mes Kinës dhe SHBA duket se po i jep fund epokës së tregtisë së lirë edhe globalizimit.

Që para luftës në Ukrainë, qasja “Amerika e para” e ish-presidentit amerikan Donald Trump dhe nxitja e luftës tarifore me Kinën i dha një goditje të fortë tregjeve të lira dhe tregtisë së lirë. Administrata e Joe Biden vazhdoi me të njëjtin qasje. Sekretarja e Thesarit e SHBA-së, Janet Yellen, theksoi se forcimi i zinxhirëve të furnizimit me aleatët e besuar janë pjesë e përgjigjes strategjike të Amerikës ndaj sfidës kineze.

Paralelisht, një numër në rritje vendesh kanë shfaqur interes për t’iu bashkuar BRICS, (grupit që përfshin Brazilin, Rusinë, Indinë, Kinën dhe Afrikën e Jugut). Në këtë grupim Kina po promovon një sistem të ri të  qeverisjes globale të mbështetur nga institucione të reja. 

Por përtej barrierave tarifore, fragmentizimi i zinxhirëve të furnizimit si për mallrat, ashtu edhe për shërbimet do të thellohet si rezultat i barrierave jotarifore si siguria, privatësia dhe standardet fitosanitare ose si rezultat i problemeve që lidhen me ndërveprimin e pajisjeve elektronike dhe dixhitale.

Devijimi nga tregtia e lirë edhe tregjet e lira globale do të ulë efikasitetin ekonomik, të arritur me anë të tregjeve globale edhe tregtisë së lirë, të cilat siguronin çmimet më të ulëta krahasuar me çdo mekanizëm tjetër. Fragmentizimi i ekonomisë globale, e cila tanimë do të tentojë drejt autonomive kombëtare do të rrisë kostot, do të nxisë inflacionin dhe do të varfërojë qindra miliona njerëz. Ndërkohë që tregu privat funksionon mirë në kohë paqeje, ai tregoi se dështon së funksionuari në kohë lufte me armiq të padukshëm, siç janë pandemitë apo në kushtet e konflikteve gjeopolitike edhe ekonomike. Kjo do të kërkojë një forcim sektorit publik edhe të shërbimeve publike, duke mos i lënë të gjitha në dorë të privatit. Sot, përtej rritjes ekonomike, sfida e vërtetë është rishpërndarja e saj me qëllim uljen e polarizimit edhe rritjen e sigurisë.

Duket se modelet e tanishme ekonomike, të cilat nuk e kanë konsideruar kurrë si variabël sigurinë kombëtare, do të duhet të ndryshojnë. Ndaj, ekonomistët duhet të rimendojnë e rifreskojnë modelet e zhvillimit ekonomik, të cilat duket se do të largohen nga konceptet që mbizotëruan teorinë e ekonomike pas viteve ’60, të tilla si tregtia e lirë  avantazhi krahasues, integrimi i tregut, sektori publik i vogël, duke eksploruar qasje të reja të rritjes së efektivitetit, uljes së kostove edhe ndarjes së burimeve.


Copyright © Gazeta “Si”