Menaxhim

Siguria Kibernetike në rrjetin energjetik/ ERE ‘detyron’ prodhuesit e energjisë në vend të certifikohen

Nga Gazeta ‘SI’ – Enti Rregullator i Energjisë Elektrike ka bërë disa ndryshime në regulloren për sigurinë kibernetike.

ERE emëron si operatorë kritikë të kësaj fushe gjigandët e energjisë si Kurum International, hidrocentralin Devoll dhe gazsjellësin TAP.

Këto kompani tashmë kanë detyrimin të çertifikohen sipas standardeve të sigurisë kibernetike, pasi një ndërhyrje e mundshme në sistemet e tyre kompjuterike do të kishte efekte në shkallë kombëtare.
“Operatorët e Infrastrukturave Kritike të Informacionit, përfshirë Kurum International sh.a, Dragobia Energy, Prell Energy sh.p.k, Power Elektrik Slabinje, Seka Hydropower, Devoll Hydropower sh.a dhe Trans Adriatic Pipeline (TAP), detyrohen të pajisen me certifikimin sipas standardit të sigurisë ISO 27001 brenda 18 muajve nga hyrja në fuqi e këtyre ndryshimeve të rregullores,” thuhet në vendimin e ERE.

Ndërkohë, Termocentrali i Vlorës dhe Hidrocentrali i Vlushës janë përcaktuar si Operatorë të Infrastrukturave të Rëndësishme të Informacionit. Edhe për këto kompani, ky përcaktim ka detyrime shtesë ligjore.

“Operatorët e Infrastrukturave të Rëndësishme të Informacionit, përfshirë Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, Termocentralin Vlorë sh.a dhe HEC Vlushe, detyrohen të pajisen me certifikimin sipas standardit të sigurisë ISO 27001 brenda 18 muajve nga hyrja në fuqi e këtyre ndryshimeve të rregullores,” thuhet në vendimin e ERE.

Gjatë krizës energjetike të vitit 2022, qeveria shqiptare theksoi se rrjeti i transmetimit të energjisë në vend është i rrezikuar nga sulmet kibernetike për shkak të luftës në Ukrainë.

Pak muaj më parë, një dokument i strategjisë ushtarake të Shqipërisë, theksonte se sulmet kibernetike janë tashmë një rrisk për Shqipërinë, sidomos në lidhjet e projektit të TAP, si një pikë strategjikë ndërkombëtare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë