Gazeta Si – Mësuesit e rinj do jenë 3 muaj në provë dhe do të kalojnë edhe testin psiko-social.
Ministria e Arsimit ka gati projektligjin që ndalon rikthimin në sistemin universitar të personave të dënuar më herët për vepra penale që lidhur me të mitur edhe në rastet kur ata janë rehabilituar.
Pak javë nga nisja e vitit të ri shkollor, ministrja e Arsimit Evis Kushi ka ndarë në rrjetet sociale planin e ri të qeverisë.
Ajo thekson se rreziku vjen edhe nga personat që punësohen për herë të parë në institucionet arsimore, ndërsa shton se nuk duhen pritur rastet e abuzimit për të pasur reagim.
“Duke marrë shkas nga rastet e konstatuara ndër vite të mësuesve që kanë ushtruar dhunë, abuzim apo vepra të tjera penale ndaj nxënësve, përgjatë këtij viti shkollor kemi ndërmarrë një sërë iniciativash ligjore dhe nënligjore për të shmangur rrezikun që mund t’i vijë nxënësve tanë nga persona që nuk garantojnë integritet të lartë moral, profesional dhe ligjor”, shkruan ajo.
Sipas Kushit, “në draftin e ri të ndryshimit të ligjit për sistemin arsimor parauniversitar, i cili është në konsultim publik dhe do të shqyrtohet së shpejti në Kuvendin e Shqipërisë, kemi parashikuar dispozita që ndalojnë përfshirjen në sistemin arsimor të personave të cilët janë dënuar për vepra penale që lidhen me të mitur, apo institucione arsimore parauniversitare, pavarësisht rehabilitimit të tyre”.
Ministrja theksoi se është miratuar udhëzimi që parashikon një periudhë prove 3-mujore dhe vlerësimi psiko social për mësuesit e rinj dhe të gjithë punonjësit e institucioneve arsimore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



