Nga Gazeta “SI”- Përdorimi i biçikletës lidhet ngushtë me zhvillimin e qëndrueshëm, reduktimin e pabarazive dhe luftën ndaj ndryshimeve klimatike. Prandaj, më 15 mars 2022, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi një rezolutë që inkurajon integrimin e biçikletave në sistemet e transportit publik.
Edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë thekson se infrastruktura për ecje dhe çiklizëm është thelbësore për një shoqëri më të barabartë, më të shëndetshme dhe më të përballueshme. Aktivitetet e moderuara si çiklizmi përmirësojnë ndjeshëm mirëqenien fizike dhe mendore.

Shkodra, qyteti simbol i biçikletave
Por përpara se biçikleta të merrte këtë status ndërkombëtar, në Shqipëri kishte një qytet që e kishte shpikur prej kohësh këtë filozofi të jetesës mbi dy rrota. Ky qytet është Shkodra.
Nëse në disa qytete shqiptare biçikleta shihet ende si mjet rekreativ apo mjet për të varfrit, në Shkodër ajo është simbol i qytetarisë. E quajnë “qyteti i biçikletave”, dhe jo më kot. Në çdo mëngjes e mbrëmje, rrugët e saj mbushen me burra e gra, të rinj e të moshuar, që pedalojnë jo thjesht për të arritur në punë apo treg, por sepse kështu kanë jetuar brez pas brezi.
Shkrimtari dhe arsimtari shkodran Skender Temali, kujton se historia nisi më shumë se një shekull më parë, në vitin 1907, kur për herë të parë një biçikletë u shfaq në rrugët e qytetit. Ishte konsulli i nderit i Suedisë, që befasoi shkodranët duke kaluar me biçikletë në qendër. Për shumëkënd, ajo “makinë me dy rrota” ishte një pamje e pabesueshme, si një shfaqje moderne në rrugët me kalldrëm.

Pas kësaj, pasioni për biçikletën nisi të përhapej me shpejtësi. Fillimisht ishin tregtarët, më pas zejtarët, dhe shumë shpejt edhe mësuesit, nxënësit e madje edhe gratë, që në atë kohë dilnin shumë rrallë nga shtëpia. Biçikleta u bë një shenjë emancipimi, qytetarie dhe përparimi.
Shkodra nuk ka pasur nevojë për ditë ndërkombëtare që të kuptojë vlerën e biçikletës. Ajo e ka ditur që në fillesat e veta se një qytet nuk matet vetëm nga ndërtesat e mëdha, por edhe nga lëvizja e qetë dhe dinjitoze e njerëzve të tij mbi dy rrota.
Sot, në një botë që lufton me ndotjen, me trafikun dhe me pasivitetin fizik, Shkodra mund të shërbejë si model i qytetit që prej kohësh ka zgjedhur rrugën e duhur. Dhe në këtë 3 qershor, më shumë se çdo herë tjetër, duhet ta dëgjojmë atë çka Shkodra ka për të na mësuar, se ndonjëherë, për të ecur përpara, duhet vetëm të ngjitesh mbi biçikletë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.