Rend dhe Ligj

Si u punësua Muçi Sheqeri pa certifikatë sigurie në AMP! Pezullohet zinxhiri komandues

Gazeta Si – Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur hetimet në lidhje me mungesën e certifikatës së sigurisë së Muçi Shaljani alias Sheqeri, i cili mbeti i plagosur në atentatin e Rinasit, ku humbi jetën, miku i tij, Gilmando Dani.

Sheqeri është punësuar në muajin shtator kur institucioni drejtohej nga Artiol Saliasi. Ai ka patur një kontratë 3 mujore si fillim në AMP, që i mbaronte në mes të dhjetorit.

Në një njoftim për mediat, AMP thekson se ka nisur menjëherë verifikimin e brendshëm të procedurave administrative të ndjekura, si edhe praktikën e plotë me agjencitë përkatëse dhe Policinë e Shtetit, në lidhje me procedurën e rekrutimit tij, prej shtatorit 2025.

Nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar (DSIK), institucion që verifikon pastërtinë e figurës për punonjës të AMP-së, burime bëjnë me dije se Muçi Shaljani nuk rezulton të ketë pasur certifikatë sigurie, ndaj ka nisur një hetim për të zbuluar mënyrën e punësimit të tij pranë Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.

Shaljani është punësuar në muajin shtator kur institucioni drejtohej nga Artiol Saliasi. Dyshimet shtohen, pasi Agjencia e Mbikëqyrjes Policore është institucion që ka detyrë të hetojë përfshirjen në krim apo korrupsion.

Ndërkohë Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Eduart Merkaj, ka urdhëruar pezullimin e zinxhirit komandues të strukturës së Forcës së Posaçme Operacionale të AMP-së deri në zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Shaljani ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Ai mbeti i plagosur si pasojë e të shtënave që u qëlluan ndaj makinës që drejtonte pranë aeroportit të Rinasit. Shoku i tij, Gilmando Dani, që mendohet se ishte shënjestra e atentatit, mbeti i vdekur në vend.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë