Dosje

Si u lirua Fatjon Murati, dyshohet se është arratisur nga Shqipëria edhe pse ishte në ‘arrest shtëpie’

Gazeta Si - Me një skedë të pasur kriminale, sidomos në Itali, Fatjon Murati duhej të ishte në banesë në "arrest shtëpie" për armëmbajtje pa leje.

Por pas kontrollit të policisë, pas atentatit mbrëmjen e të dielës në zonën e “Don Boskos”, ai rezulton i zhdukur.

Lokali ku ndodhi masakra me një viktimë të pafajshme dhe 5 të plagosur, i përkiste 32-vjeçarit, i cili kishte nisur me sa duket aktivitetin e tij kriminal edhe në Shqipëri.

LEXO EDHE:
- Atentati në Tiranë, vritet banakierja e një lokali. Edhe 5 të plagosur. Lëndohet dhe mbesa 10 vjeçare e viktimës
- Sekuestrohen pasuritë 5 mln euro të Fatjon Muratit, akuzohet si pjesëtar i një organizate kriminale
- U kap në makinë me Indrit Doklen, gjykata lë në burg Fatjon Muratin

Por nga ana tjetër, ka tërhequr edhe vëmendjen e kundërshtarëve të tij, qe me sa duket kanë pasur informacion për biznesin që zotëronte.

Pas ngjarjes së rëndë, policia ka shkuar në shtëpinë e tij, që ndodhej pranë lokalit dhe nuk e kanë gjetur aty, duke shtuar dyshimet se është arratisur jashtë vendit.

Sipas burimeve policore në rrugë jo zyrtare, dyshohet që ai është larguar fillimisht drejt Kosovës dhe më pas në një shtet tjetër.

Lirimi nga gjykata dhe arratia

Ditët e fundit ishte bërë dhe kontrolli i prezencës së tij në banesë nga oficerët e policisë. Fatjon Murati kishte firmosur deklaratën që ndodhej në shtëpi. Por më pas, ai u largua.

Dy muaj pas arrestimit (tetor 2022), masa e sigurisë “arrest në burg” për Fatjon Muratin për akuzën e “armëmbajtjes pa leje”, është zbutur në dhjetor të po atij viti në “arrest në shtëpi” nga Gjykata e Tiranës.

Prokuroria e rikualifikoi veprën penale, nga ajo e “mbajtes pa leje të armëve të kryer në bashkëpunim”, në “armëmbajtje pa leje në banesë”.

Kjo, sepse sipas tyre, në një prej kutive ku mbaheshin armët, u gjet vetëm një gjurmë gishti e Muratit dhe kaq ka mjaftuar për t’i lehtësuar pozitat.

Pas kësaj, Gjykata e Shkallës se Parë, kishte zëvendësuar masën e sigurisë nga ajo e “arrestit në burg, në “arrest shtëpiak”.

Pasi Prokuroria ndryshoi veprën penale të akuzës ndaj Muratit dhe gjykata sqaron se vendimi i formës së prerë nuk u ankimua nga asnjë prej palëve.

Në vendimin e lirimit, të 28 dhjetorit 2022, gjykata arsyeton se personin nën hetim nuk rezulton të ketë ndonjë rrezikshmëri të lartë, apo të veçantë, të bazuar në prova dhe se rezultonte se arma në kutinë e së cilës ishte gjurma e gishtit të tij, nuk ishte përdorur në asnjë ngjarje kriminale.

Me tej gjykata shprehet se akuza shfaqet e brishtë, e dyshimtë dhe e paqartë.

Në listën e rrethanave lehtësuese ishin edhe mungesa e precedentëve të mëparshëm penale, nënën e moshuar në nevojë për përkujdesje dhe bashkëjetuesja në rrethana të vështira psiko-emocionale, që ndihej e vetme në rritjen dhe edukimin e fëmijës së tyre. 

Akuzat në Itali

Në tetor të vitit të shkuar, Prokuroria e Tiranës kërkoi sekuestrimin e pasurive për Fatjon Muratit dhe familjarët e tij të akuzuar për përfshirje në veprimtari kriminale.

Të ardhurat dyshohet se janë përfituar nga veprimtari të plagjishme, si trafiku i lëndëve narkotike në Itali.

Në fakt, dosja e autoriteteve italiane, nga Gjykatat e Trevizos, Venecias dhe Padovës për 32-vjeçarin, është e pasur sa i takon aktivitetin të tij kriminal.

Murati akuzohet si pjesëtar i një organizate kriminale ku bënin pjesë edhe katër shtetasit me iniciale Q.A, N.V. K.P., dhe V.K. Sipas prokurorisë, “një pjesë e anëtarëve të saj janë arrestuar nga policia italiane, ndërsa të tjerë janë në kërkim, dhe organizatë është marrë fillimisht me vjedhje dhe më pas e ka zgjeruar aktivitetin e saj edhe trafikimin e lëndëve narkotike”.

Ai rezulton i kërkuar nga autoritetet italiane për disa vepra penale ndër vite përfshirë “Evazion”, “Posedim të armëve”, “Trafikim të lëndëve narkotike” dhe “Pjesëmarrje në krime”.

Ndalimi

Fatjon Murati u arrestua më 8 tetor nga Policia e Tiranës, pasi ishte shpallur në kërkim se zotëronte një arsenal armësh, të kapur nga policia më 13 korrik.

Ai u ndalua teksa qenë duke lëvizur në një makinë të blinduar, me Indrit Doklen dhe kunatin e tij, Gentian Ruçi.

ka qenë një ndër personat që është kërkuar nga Prokuroria e Kurbinit për t’u marrë në pyetje lidhur me masakrën me tre të vrarë në Fushë-Krujë, për shkak të dyshimeve se ka qenë një nga organizatorët e atentatit. Në këtë ngjarje u vra Brilant Martinaj dhe dy shokët e tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë