Nga Gazeta “SI”– Që nga pandemia e Covid-19, muzika Anime japoneze po lulëzon në Spotify, në koncerte dhe klubet e natës , veçanarisht mes të rinjve, të cilët tërhiqen prej refreneve të guximshme dhe emocioneve të mëdha që ajo ofron.
Rreth 20 mijë fansa entuziastë mbushin O2 Arenën e Londrës në një natë vere. Shkopinjtë me drita pulsuese çajnë ajrin e elektrizuar; në skenë, diva enigmatike e J-pop-it, Ado (që performon në siluetë të errët), nis këngën që të gjithë në publik e njohin: Kura Kura, nga seriali anime Spy x Family.
Kënga është stilistikisht e paparashikueshme, por menjëherë e kapshme. Përplaset mes një groove pop të viteve ’60, riffeve xhaz dhe një opere rock dramatike, një shembull bashkëkohor i një himni muzikor anime, në një skenë që po fiton jetë më vete.
Animet japoneze, një formë arti që daton që në fillim të shekullit XX, kanë një shtrirje krijuese që përfshin histori e stile të pafundme nga sagat e piratëve te luftërat fantastiko-shkencore; nga magjitë te sportet; nga mitologjia e arteve marciale te romancat e pamundura.
Edhe muzika që i shoqëron është po aq aventureske. Këngët ndryshojnë ndjeshëm në zhanër dhe ritëm (shpesh ndryshojnë brenda të njëjtës këngë), por ndajnë disa cilësi të përbashkëta. E lartësojnë aksionin vizual dhe e ngulisin thellë lidhjen tonë emocionale me të.

Në epokën dixhitale, temat evokative, ritmike dhe ngjitëse janë thelbësore për ndikimin viral të serialeve dhe filmave kult të animuar japonezë si One Piece, Demon Slayer, Jujutsu Kaisen, Dragon Ball Z, Cowboy Bebop, Attack on Titan apo Naruto. Të njohura si “anisongs”, këto këngë janë sot një forcë e madhe muzikore, sidomos mes të rinjve.
Sipas një studimi të fundit nga platforma e transmetimit të animeve Crunchyroll dhe grupi kërkimor National Research Group, anime-t janë pothuajse po aq të mëdha sa Beyoncé mes brezit Gen Z, me 54% të tyre në mbarë botën që identifikohen si fansa anime.
Ndërkohë, Spotify raportoi një rritje prej 395% në transmetimet globale të muzikës anime nga viti 2021 në 2024, si dhe 7.2 milionë lista të krijuara nga përdoruesit me përmbajtje anime.
Një zëdhënës i Spotify i tha gjithashtu BBC-së se gati 70% e dëgjuesve të muzikës anime janë nën moshën 29 vjeç.
“Muzika anime është shndërruar në një forcë kulturore globale dhe brezi Gen Z është në zemër të kësaj lëvizjeje,” thotë për BBC Sulinna Ong, drejtore globale e redaksisë së Spotify.
“Po shohim fansa që lidhen me këtë muzikë përtej ekranit, pasi këto seriale u ofrojnë dëgjuesve një dritare drejt stileve muzikore që ndryshe nuk do t’i kishin zbuluar. Ndërsa më shumë artistë marrin frymëzim nga ky univers, tingulli vazhdon të rritet në mënyra të guximshme dhe të papritura.”
Ky shpërthim global nuk kufizohet vetëm te publikimet e shekullit XXI; falë aksesit të lehtë te katalogët e gjerë të animeve, himne të dekadave të shkuara si tema e parë entuziaste e One Piece, “We Are!” e kënduar nga Hiroshi Kitadani po fitojnë adhurues të rinj.

Refrenet e muzikës anime janë krijuar për të pasur jetë të gjatë; meloditë dhe tekstet (lehtësisht të përkthyeshme online ose të publikuara në versione shumëgjuhëshe) shkaktojnë një shpërthim ndjesish si lidhje me personazhet ose historitë e preferuara; adrenalinë; arratisje; nostalgji.
“Këngët hyrëse dhe mbyllëse janë kritike për lidhjen emocionale që fansat krijojnë me animet,” thotë për BBC Satoshi Uto, drejtor për blerjet muzikore në Crunchyroll.
Një shembull klasik i një anisong është kënga Gurenge e vitit 2019 nga këngëtarja-lirikëshkruesja japoneze Lisa, që shërben si intro për Demon Slayer: Kimetsu no Yaiba.
Kjo baladë e fuqishme me shpërthime është bërë objekt i qindra interpretimeve, që nga ndikuesit në TikTok (si pianisti britanik Joe Jenkins) deri te ceremonia përmbyllëse e Lojërave Olimpike të Tokios në 2020, ku u përfshi në një simfoni instrumentale.
Lisa tha për Billboard Japan se “u përpoqa të vendosesha në këpucët e protagonistëve, që vazhdojnë përpara pavarësisht së kaluarës së tyre tragjike”.
Arsyet e shpërthimit
Koha e kësaj rritjeje sugjeron se pandemia pati një rol kyç në ndërgjegjësimin masiv për animet dhe muzikën e tyre atmosferike; temat fantastike, intensiteti emocional dhe tingujt e lirë mund të jenë ndjerë si një arratisje e ëmbël nga izolimi.
“Jemi përballë një shpërthimi masiv të aksesit në anime për fansa të rinj, falë platformave online, dhe kohës që kishin në dispozicion për t’i parë,” shpjegon Jonathan Clements, autor i librave përfshirë Anime: A History të British Film Institute.

Për fansat e rinj, muzika anime është një derë hyrëse për kulturën pop japoneze dhe më gjerë. Ajo ka ndihmuar të ngjiten në skenën botërore yje të rinj si:
Yoasobi , duoja J-pop me këngën Idol nga anime Oshi no Ko, që u bë kënga e parë anime që kryeson listën Billboard Global.
Creepy Nuts me Bling-Bang-Bang-Born, intro e Mashle: Magic and Muscles, që kombinon rep të shpejtë dhe ritme latine.
Radwimps me himnet melodike për filmat fantastiko-dramatikë të Makoto Shinkai (Your Name, Weathering With You, Suzume).
Ado, që njohu sukses ndërkombëtar falë One Piece Film Red, ku këndon New Genesis në rolin e Uta, një himn elektro-pop shpërthyes.
“Kur dëgjova për herë të parë demonstrimin për New Genesis, pata ndjesinë sikur u hap bota dhe një rreze e ngrohtë drite kaloi nëpër të,” thotë Ado për BBC-në.
“Uta është një personazh i ndjeshëm në kuptimin më të mirë,” shton ajo, “ajo shpreh ndjenja gëzimi e lumturie, por edhe zemërim, urrejtje dhe trishtim, në mënyrë të thjeshtë dhe të afërt.”
Muzika anime në arenën live
Muzika anime po përkthehet gjithnjë e më shumë në botën reale: nga turnetë ndërkombëtare të kompozitorëve legjendarë si Joe Hisaishi (i njohur për filmat e Studio Ghibli), te artistë bashkëkohorë si Ado dhe Yoasobi, apo ngjarje të komunitetit si ato të organizuara nga kolektivi britanik “Anime & Chill”.
“Për Gen Z, anime ndjehet ndryshe,” thotë Eneni Bambara-Abban, themeluese e Anime & Chill.
“Ky brez është rritur me kulturën globale të internetit, ku J-pop, K-pop dhe AMV-të janë pjesë e të njëjtit ekosistem online.”
“Platforma si TikTok dhe YouTube i japin këtyre këngëve një jetë të dytë, klipet bëhen virale, njerëzit i remiksojnë dhe, papritur, një temë nga një serial i panjohur kthehet në himn global.”
Ajo nënvizon se këto këngë lënë “gjurmë emocionale”:
“Muzika anime nuk është thjesht sfond është zemra e veprës.”
Edhe muzikantë perëndimorë po përqafojnë kulturën anime. Në vitin 2003, Daft Punk e transformuan albumin e tyre Discovery në një film anime: Interstella 5555.

Sot, yje të hip-hop-it si Lil Uzi Vert, Megan Thee Stallion apo këngëtarja alternative Billie Eilish i përmendin karakteret anime në këngët e tyre. Reperi londinez Shao Dow madje shkruan këngë personale të frymëzuara nga anime të famshme dhe thotë:
“Përdor animet si mjet për të eksploruar idetë e jetës sime”. Ai përmend kapitenin adoleshent të One Piece, Luffy, si frymëzim: “Edhe kur njerëzit talleshin me të, ai vazhdonte të thërriste se do bëhej mbreti i piratëve. Edhe pse është vizatim, energjia pozitive më frymëzoi. Po ndiqte ëndrrën e tij me këmbëngulje.”
Ndoshta kjo është fuqia përfundimtare e këngëve anime. Mund të rritesh me to, por kurrë nuk rritesh prej tyre.
Burimi: BBC
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



