Vende dhe Udhetime

Si u bë odiseja e Marko Polos një nga librat e parë më të shitur

Eksploruesi me famë botërore Marko Polo vlerësohet për shumë gjëra, por një nga punët për të cilat ai kujtohet shpesh është hartimi i një prej librave të parë botërorë best seller, me shënime udhëtimi. I botuar rreth vitit 1300, libri është një kronikë e odisesë së tij 24-vjeçare të udhëtimeve nga Venecia në Azi dhe anasjelltas.

Polo nuk i shkroi vetë aventurat. Pas kthimit në Venecia në vitin 1925, ai u burgos nga Genoese-t, armiq të venedikasve. Në burg ai u njoh me një shkrimtar nga Pisa me emrin Rusticiano. Polo i tregoi historitë e udhëtimeve dhe ai i hodhi në letër, për ti botuar më pas në një gjuhë mesjetare të njohur si franko-italisht.

Edhe pse dorëshkrimi origjinal ka humbur, më shumë se 100 kopje të shkruara në këtë gjuhë kanë mbijetuar. Vepra u bë e njohur në të gjithë botën si “Il Milione” bazuar në një pseudonim të njohur të Polos. Në botën anglishtfolëse libri njihet si “Udhëtimet e Marko Polos”. Biblioteka Bodleian në librarinë e Oksfordit në Angli mban dhe ruan një nga versionet më të hershme të këtij libri që daton rreth vitit 1400. E quajtur kopja Bodleian ajo përmban të gjitha elementët e një teksti origjinal sipas studiuesve. Libri tregon historitë që datojnë nga viti 1271 të një odiseje të ndërrmarrë nga një treshe venedikase nëpër vende ku kishin shkelur pak të krishterë deri atëherë, duke mbërritur deri në oborrin e perandorit Mongol Kublai Khan.

Vendet ku udhëtuan Hormuz, Balkh dhe Kashgar u bënë për europianët një itinerar i jashtëzakonshëm eksplorimi, duke krijuar kështu një hartë të re mendore të botës. Legjendat dhe thashethemet fantastike për këto vende kishin krijuar në Europë joshjen për një tjetër rrugë tregtare lindje-perëndim. Ky libër krijoi atë që quhet “Rruga e mëndafshit”. Libri do të kthehej në një best seller duke përhapur në të gjithë gadishullin Italian një ngjarje të jashtëzakonshme siç ishte botimi i një libri para shpikjes së shtypshkronjës Hutenbverg rreth vitit 1439. Libri i Polos ringjalli Europën në mundësitë e saj drejt zgjerimit ndërkombëtar, duke u kthyer në një tekst që ndikoi shumë në zbulimet që do të vijonin në Europë dy shekuj më vonë.

Harta e “Rrugës së Mëndafshit”

Marko Polo lindi në vitin 1254, në një kohë kur Europa nuk shihte në Perëndim drejt Atlantikut, por drejt Lindjes me magjepsje dhe shqetësim. Gjatë kësaj kohe grupet Mongole kishin arritur në Hungari. Deri në udhëtimin e mrekullueshëm të Polos 17 vite më vonë perandoria Mongole kishte arritur kulmin e saj. Kundërshtari i tij veri-perëndimor, Khanate i Golden Horde, u shtri në perëndim aq shpejt saç u shtri lumi Danub në Europë. Pjesa më lindore e perandorisë arriti në brigjet aziatike të Paqësorit.

Perandoria më e madhe tokësore që bota kishte njohur ndonjëherë u krijua nga një grup fisesh luftarake. Në vitin 1206, një lider i vetëm, Temujin u zgjodh Genghis Khan që do të thotë Sundimtar Universal pasi fitoi disa lufta kundër rivalëve të tij. Temujin shijoi kontroll të pashembullt mbi atë çka sot është Mongolia. Nën udhëheqjen e këtij sundimtari të frikshëm, federata e fiseve filloi të zgjeronte fortesat e tyre përtej pronave të tyre. Në fillim ata u kthyen nga lindja, në mbretëritë e Kinës, duke arritur më pas Beijing i cili ju dorëzua atyre në vitin 1215.

Që pas asaj, çdo shtet përreth Kinës dhe Azisë Qëndrore u fut në zgjerimin e perandorisë Mongole. Mongolët madje bastisën toka edhe në Rusinë jugore. Në kohën kur sundimtari vdiq në vitin 1227, kalorësit mongolë patrullonin brigjet e detit Caspian dhe detit të Kinës, ata ishin në Siberi, Tibet dhe në fushat qëndrore kineze.

Republika e madhe detare e Europës, Venecia, mbajti një rrjet të gjerë kontaktesh mes Mesdhetarit dhe Lindjes së Mesme. Ajo ishte e gatshme të fillonte zgjerimin e rrjetit të saj tregtar drejt lindjes. Venecia ishte shtëpia e tregtarëve të Lindjes me njohuri të thelluara, ndër më të mirët për të ndjekur pasuritë.

Marlo Polo vinte nga një familje tregtarësh. Kur ai ishte një fëmijë i vogël, babai i tij Niccolò dhe xhaxhai i tij Maffeo ishin duke ndjekur disa përvoja të mrekullueshme udhëtimi. Tregtarët mendjemprehtë ishin larguar nga Venecia në vitin 1261 për të krijuar marrëdhënie të reja në Lindje. Dyshja kishte takuar sundimtarin Mongol si pjesë e këtij udhëtimi të parë epik.

Një nga bazat tregtare të Polos ishte Kostandinopoja, ku vëllai i tyre, Marko i larti, punonte. Agjentët e tyre vepruan deri në lumin Volga në Bukhara. Ishte pikërisht atje, në Uzbekistanin modern ku Niccolò dhe Maffeo kishin bërë një marrëveshje të madhe diplomatike, ata takuan anëtarë të qeverisë së Khan dhe organizuan një ekspeditë në oborrin e tij në Shangdu.

Vëllezërit Niccolò dhe Maffeo takojnë Khan-in Mongol në oborrin e tij

Rrëfimi i Marko Polos mbi udhëtimin e tij u bë një nga më të shiturit pjesërisht edhe për shkak të njohjeve të tij mbi një pjesë të largët të botës. Megjithëse tregimet e udhëtarëve nga "Rruga e Mëndafshit" ishin përhapur më parë, vlera e informacionit që Marko Polo përcolli mbi Kinën dhe tokat përreth saj ishin të pakrahasueshme këtë herë.

Libri i tij “The Travels”, u bë i famshëm, madje edhe famëkeq për rrëfimet e tij të gjata. Kishte edhe tregime mbi bimët që prodhonin makarona (kjo më vonë doli që ishte një keqinterpretim, sigurisht që Polo e dinte që makaronat nuk rriteshin nëpër pemë). Megjithatë, libri gjithashtu vërtitet rreth kanibalëve të uritur dhe njëbrirëshave gjigantë (disa besojnë se ata ishin rinocerontë). Në një ishull të quajtur Angaman, përshkruhen njerëz me koka qensh.

Edhe kur historitë nuk janë të mrekullueshme, origjina e tyre shpesh është e mjegullt. I vetmi burim informacioni mbi udhëtimin e Polos është rrëfimi i Markos dhe nuk është gjithmonë e lehtë të dallosh se çfarë familja ka parë me sytë e tyre dhe çfarë historish u treguan nga të tjerët. Me një miksim thashethemesh dhe stili të shfrenuar, disa komentues u janë drejtuar disa rrëfimeve të tij si trillime.

Polo përshkroi një vend të quajtur Cipangu i cili kishte një pallat aq të pasur sa dyshemeja e tij ishte veshur me ar “më shumë se dy gishta të trashë”. Shumë historianë pranojnë se Cipangu është Japonia e sotme por thonë se Polo asnjëherë nuk ka qënë atje. Shumë besojnë se këto rrëfime janë të dorës së dytë. Megjithatë, shumica e historianëve besojnë se rrëfimet e Marko Polos mbi udhëtimet e tij përreth Kinës janë të bazuara në eksperienca të vërteta.

Ilustrim nga udhëtimi i Marko Polos

Puna ishte gjithashtu tërheqëse edhe për shkak të theksit të saj tregtar. Jo vetëm që i ofronte lexuesve detaje të çuditshme dhe fantastike për vende të largëta, por gjithashtu jepte informacione të dobishme për tregtarët që ishin të interesuar në tregtinë ndërkombëtare. Polo e përshkruan Kinën si “parajsën e tregtarëve” dhe përfshin të dhëna mbi ndërlikimet e ligjit kinez.

Etja e Polos për të regjistruar prodhimin e të mirave dhe mënyrat se si ato mund të transportoheshin, morën vëmendjen e kohës. Informacione nga “The Travels” u bënë të dobishme për të përmirësuar hartën e Azisë Lindore, e cila ushqente marrëdhëniet tregtare. Puna e Marko Polos gjithashtu inspiroi udhëtarët të ndiqnin hapat e tij në Kinë, duke sjellë më shumë informacione mbi ato toka. Kjo dije i dha flakë një kurioziteti në rritje ndërkohë që Europa u zhvendos drejt Rilindjes dhe epokës së zbulimit deri në fund të viteve 1400.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë