Trend

Si u bë një biznes fitimprurës heqja e tatuazheve

Me rritjen e popullaritetit të bojës, rritet edhe dëshira për të hequr tatuazhet por pavarësisht përmirësimeve në proces, fshirja e tatuazheve mbetet e vështirë

Ndërsa numri i personave me tatuazhe vazhdon të rritet, një sondazh sugjeron se tre në dhjetë të rritur kanë të paktën një copë boje në trupin e tyre, nga 21% një dekadë më parë. Po ashtu është rritur edhe pendimi. Sondazhi tregon se 8% e personave me tatuazhe, potencialisht më shumë se 5 milionë njerëz, pendohen për to.

Nuk është çudi që biznesi po lulëzon për industrinë e heqjes së tatuazheve. Ajo që dikur ishte një simbol i qëndrueshmërisë që mund të mbulohej vetëm nga një tatuazh tjetër, tani mund të fshihet. Vlera e tregut global të industrisë së heqjes parashikohet të arrijë pothuajse 800 milionë dollarë në 2027, nga rreth 500 milionë dollarë në 2019, sipas një analize. Rreth 40% e tregut është në Amerikën e Veriut. Ndërkohë dhe në Europë, procedurat torturuese me laser po kërkohen gjithnjë e më shumë.

Përparimi i teknologjisë, rritja e kërkesës dhe zgjerimi i disponueshmërisë së shërbimeve kanë bërë që çmimet të bien, që do të thotë se nuk janë vetëm të famshëm që mund ta përballojnë procesin sot, edhe pse mbetet një proces më i shtrenjtë se vetë tatuazhet.

Heqja e një tatuazhi.

Heqja e tatuazheve ka qenë prej kohësh e njohur në mesin e aktorëve dhe muzikantëve, qoftë Megan Fox që tentoi pa sukses të heqë Marilyn Monroe nga krahu, apo Melanie Griffith që fshiu nga trupi ish-bashkëshortin e saj Antonio Banderas. Dhe numri në rritje i ndikuesve që fshijnë atë që dikur ishte ngulitur përgjithmonë, pa dyshim që po ndihmon në rritjen e shpejtë të industrisë.

Victoria Beckham, Sylvester Stallone, Colin Farrell, Sarah Hyland dhe Kelly Osborne janë disa prej personave që kanë hequr tatuazhe dhe e përshkruajnë procesin si “Shumë herë më keq sesa të bësh një tatuazh”.

Artistët e tatuazheve dhe ekspertët e heqjes thonë se pjesa më e madhe e tatuazheve të hequr lidhet me ish-partnerët.

Osman Bashir Tahir, i cili heq tatuazhe në klinikën e tij në perëndim të Londrës, thotë se shkalla e heqjes së tatuazheve është rritur ndjeshëm.

“Rreth 80% e tatuazheve që mbulojmë janë emra ose simbole të lidhura me partnerët”, thotë Haris Sarajlic, një artist tatuazhesh në Bosnje.

Bianca Torossi, një artiste tatuazhesh në Oaxaca, Meksikë, thotë se njerëzit sot mund të mbingarkohen nga rrjedhat e pafundme të informacionit dhe imazheve në mediat sociale.

“Njerëzit shpesh thjesht bëjnë një tatuazh për të qenë në modë”, shton ajo. “Por tendencat sipërfaqësore ndryshojnë dhe më pas ata mendojnë se ajo që duhet të ishte për jetë nuk i përfaqëson më ato”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë