Nga Gazeta “SI”- Moderniteti i lëngshëm është libri që i ndryshoi jetën Zigmunt Bauman-it , duke e bërë atë një yll ndërkombëtar, dhe që ndryshoi, njëkohësisht, mënyrën tonë të të parit të shoqërisë bashkëkohore. Ai zbuloi mekanizmat që, drejt fundit të shekullit XX, kishin bërë të brishta marrëdhëniet personale dhe kishin krijuar një gjendje pasigurie.
Që atëherë e gjatë gjithë dekadës së parë të viteve 2000, vetëdija se jetojmë në një shoqëri të lëngshme, pa vlera të qëndrueshme, u bë shenja globale e një tërë brezi.
Trashëgimtare e post-modernitetit, të cilin Bauman e kishte mbështetur me bindje deri pak vite më parë, ideja e lëngëzimit social gjeti konfirmim në përdorimin e teknologjive të reja digjitale, përgjegjëse pjesërisht për individualizmin dhe izolimin personal, pavarësisht lirisë së pakufizuar të komunikimit.
Bauman ishte interpretuesi i modernitetit të vonë dhe i krizës që pasoi rrëzimin e shpresave për liri, barazi dhe progres që moderniteti “i ngurtë” kishte premtuar. Përvoja e tij personale ishte, në këtë kuptim, vendimtare: hebre polak, i detyruar si adoleshent katërmbëdhjetëvjeçar të linte Poznanin e tij për t’u strehuar në Bashkimin Sovjetik pas pushtimit nazist të vitit 1939, ai kishte luftuar në fraksionin polak të Ushtrisë së Kuqe. Pas luftës kishte shërbyer si agjent sekret i KBW-së, një formacion në shërbim të qeverisë staliniste për ndjekjen e kundërshtarëve të regjimit komunist.

Pasi u pushua nga Universiteti i Varshavës për pjesëmarrje në protestat studentore, u detyrua të emigronte në Izrael bashkë me bashkëshorten Janina dhe tre vajzat, pas fushatës antisemite të vitit 1968. Por edhe në Tel Aviv e Haifa, ku mbante katedrën e Sociologjisë, ai u ndje në siklet: kundërshtonte politikën nacionaliste të qeverisë izraelite dhe ishte i zhgënjyer nga pamundësia për të ndërtuar një shtet binacional që do të mundësonte bashkëjetesën paqësore mes hebrenjve dhe palestinezëve.
Sërish në mërgim, ai gjeti më në fund një vendbanim në Britaninë e Madhe, ku Universiteti i Leeds-it i ofroi katedrën e Sociologjisë: vend ideal për të jetuar larg çdo nacionalizmi.
Edhe universiteti megjithatë i rrinte ngushtë. Vetëm pas daljes në pension në vitin 1990 gjeti kohën për t’iu përkushtuar studimeve të tij dhe, në veçanti, vëzhgimit kritik të botës ku kishte jetuar. Ai kishte kaluar shekullin XX me të gjitha kontradiktat e tij, dhunat, tragjeditë, margjinalizimet dhe përfshirjet e detyruara, dallimet e klasave, feve dhe kulturave; tani ishte në gjendje, falë përvojës, të nxirrte përfundime.
Moderniteti i lëngshëm është rezultati i përgjithshëm i një refleksioni të thellë që merr parasysh një jetë të tërë dhe, veçanërisht, zhvillimin e trazuar të Neuzeit, “kohës së re”, që nisi në shekullin XVII me synimin për të çliruar njerëzimin nga errësira dhe nga çrregullimi shoqëror, e që përfundoi me Shoah-n, projektin më antihuman të “kopshtarisë sociale”. Një përpjekje ekstreme dhe perverse për ta racionalizuar dhe rregulluar shoqërinë me dhunë, ku dallimet duhej të zhdukeshin për të krijuar një botë homogjene dhe plotësisht të kontrollueshme.
Që nga ai moment moderniteti hyri në krizë, i tronditur nga fakti se kishte vënë arsyen instrumentale në plan të parë, duke besuar se ajo mund të mbizotëronte pa marrë parasysh parimet themelore mbi të cilat bazohet njerëzimi.
Moderniteti pas totalitarizmave (ku Bauman përfshin edhe komunizmin) nuk mund të bënte tjetër veçse të shpërbëhej, të bëhej i lëngshëm.
Një modernitet i lëngëzuar nuk nënkupton domosdoshmërisht një gjykim negativ: Bauman mbetet gjithmonë i bindur për vlerat e modernitetit dhe epërsinë e tyre në kohë; ai refuzon kritikët, duke filluar me Nietzsche-n dhe të gjithë mendimtarët antimodernë që pasuan nga fundi i shekullit 19.
Ai mirëpret çdo element të traditës progresiste dhe ndikohet pozitivisht nga Marshall Berman, autori i Gjithçka e fortë shndërrohet në ajër (1982), ndërtuar mbi një frazë emblemë të Marx-it në Manifestin e Partisë Komuniste.
Origjina e Modernitetit të lëngshëm, pra, qëndron në praktikën kapitaliste të shkatërrimit dhe rindërtimit të vazhdueshëm, duke iu shmangur çdo pretendimi për përjetësi. Kështu lind një modernitet i vonë që, për të kapërcyer krizën e pashmangshme të vjetërsimit, bëhet i lëngshëm dhe përshtatet, duke kërkuar një gjallëri të re përmes ndryshimit të vazhdueshëm.
Një ndryshim tepër i shpejtë, sa të bëhet i pakuptueshëm dhe i dhimbshëm për njerëzit që e përjetojnë, por që mund të rezervojë ende surpriza. Për Bauman-in, në fakt, shoqëria e lëngshme nuk është lajmërimi i fundit të historisë, por një kalim vital dhe i domosdoshëm, në bindjen se “modernitetit nuk i jemi afruar as edhe pak”.

Zygmunt Bauman (Poznan, 19 nëntor 1925 – Leeds, 9 janar 2017) ishte një nga intelektualët më të njohur e më me ndikim të gjysmës së dytë të shekullit XX. Hebre, ai u arratis në BRSS pas pushtimit nazist të Polonisë. Pasi u kthye në Varshavë, u zhvendos në Britaninë e Madhe, ku dha mësim Sociologji në Universitetin e Leeds-it (1971-1990). I formuar në traditën marksiste, pasi u mor me çështje të stratifikimit social dhe lëvizjes punëtore, studioi raportin mes modernitetit dhe totalitarizmit, duke zhvilluar konceptin e shoqërisë “të lëngshme”. Moderniteti i lëngshëm u botua në vitin 2000.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



