Në Nju Jork, një pjesë e Rrugës 47 njihet si Diamond District për dyqanet dhe vlerësuesit e panumërt të gurëve të çmuar që zënë pothuajse çdo vitrinë dhe zyrë. Rreth 40 blloqe në jug, Pandora kohët e fundit solli në jetë një vizion konkurrues për mënyrën se si bëhen, blihen dhe shiten gurët.
Gjatë Javës së Modës në Nju Jork në fillim të shtatorit, shitësi me pakicë i bizhuterive mbylli rrugët e ngarkuara të Astor Place për të organizuar një festë të mrekullueshme që e quajti "diamanti i krijuar në laborator", ku morën pjesë persona të botës së modës dhe yje si Pamela Anderson.
Pandora nuk ka qenë kurrë një ‘lojtar’ i madh në kategorinë e diamantëve. Ajo ndërtoi markën e saj të bizhuterive, një nga më të mëdhatë në botë me afro 4 miliardë dollarë të ardhura vitin e kaluar, në byzylykë të bukur që shiten për rreth 100 dollarë. Por popullariteti në rritje i gurëve të krijuar në laborator, të cilët janë strukturalisht identikë me diamantet e vërtetë, ka hapur dyert edhe për markat relativisht me kosto të ulët për të ofruar produkte luksoze.
Kompania nuk është e vetmja që sheh shitje të mëdha nga kjo kategori: marka e diamantëve të krijuar në laborator ‘Brilliant Earth’ pa një rritje neto të shitjeve prej 15.7 për qind në vitin 2022, në 440 milionë dollarë. Dorsey, një tjetër markë bizhuterish që prodhohen ekskluzivisht në laborator, shiti mbi një milion gurë vitin e kaluar.
Markat si këto po ndryshojnë mënyrën se si funksionon biznesi i bizhuterive: pjesët zakonisht ndahen në kategori të caktuara bazuar në llojet e materialeve të përdorura dhe çmimet e caktuara.
Diamantet ishin treguesi i fundit i luksit, tregtia e tyre dominohej nga biznese të vogla ose marka të mëdha si Tiffany dhe Cartier.
Gurët e krijuar në laborator kanë ‘fshirë’ disa nga ato dallime pasi janë praktikisht të padallueshme nga lloji tradicional dhe industria e diamantëve ka investuar në marketing për t’i shitur.
Këto përpjekje nuk kanë funksionuar, të paktën jo për konsumatorët më të vetëdijshëm për çmimin. Një byzylyk Tiffany kushton 20,000 dollarë, ndërsa një byzylyk që përmban karat të ngjashëm, të krijuar në laborator nga Brilliant Earth, kushton 3,450 dollarë.
A munden diamantet e krijuar në laborator të zëvendësojnë diamantet reale?
Sipas analistit të industrisë së bizhuterive Paul Zimnisky, shitjet e këtyre diamanteve të prodhuara nga njeriu janë rritur nga nën 1 miliard dollarë në 2016 në pak më pak se 12 miliardë dollarë në 2022. Ato përfaqësojnë pak më shumë se 17% të tregut të përgjithshëm të diamanteve, sipas firmës kërkimore të diamanteve Edahn Golan. Dhe shkalla e rritjes po përshpejtohet, shitjet e diamanteve të krijuar në laborator u rritën me 38% nga 2021 në 2022.
Rritja e shpejtë e gurëve të krijuar në laborator po bën jehonë në të gjithë tregun. Pandora ka rritur dy herë perspektivën e shitjeve këtë vit dhe çmimi i aksioneve të saj është dyfishuar vitin e kaluar. Ndërkohë, prodhuesi dhe distributori më i madh në botë i diamanteve De Beers po ul çmimet e gurëve deri në 40 për qind për shkak të rënies së kërkesës për diamante tradicionale.
“Për shumicën e njerëzve, një diamant është një diamant dhe ajo që dëshirojnë është shkëlqimi i mrekullueshëm, bukuria dhe ideja se kanë një diamant”, thotë Mary Carmen Gasco-Buisson, shefe e marketingut në Pandora.
“Shumë konsumatorë i bëjnë kursimet nga blerja e një diamanti laboratori, për shembull, në rastin e një fejese. Teknologjia ka sjellë gjithashtu më shumë blerës në treg që blejnë për veten e tyre, në vend që thjesht të presin që partnerët e tyre ta bëjnë këtë”, thotë themeluesja e Dorsey, Megan Strachan.
Çiftet po shkëmbejnë diamante natyrale me ato më të mëdha dhe më të lira të prodhuara në laborator
Për të arritur tek ata blerës, markat po rregullojnë qasjen e tyre të marketingut. Ndërsa diamantet janë shitur gjithmonë si luks, ato reklama shpesh janë drejtuar drejt burrave që blejnë bizhuteri për partneret e tyre. Tani, argjendaritë po i bëjnë marketing një grupi më të gjerë klientësh, veçanërisht gratë që blejnë artikuj të modës.
“Diamanti i laboratorit nuk është në konkurrencë me diamantët e vërtetë, ai është një plotësues i diamanteve të vërtetë”, thotë Sayed Haider, shitëse diamantësh.
Çfarë shitet tani
Edhe pse unazat e fejesës të krijuara në laborator po rriten në popullaritet, bizhuteritë e tjera janë gjithashtu në rritje.
Dorsey është i fokusuar në shitjen e artikujve si gjerdan dhe byzylykë dhe vathë të frymëzuar nga vintage. Strachan tha se vendimi erdhi nga ndjenja se kishte një boshllëk më të madh për të mbushur bizhuteritë e përditshme. Gjithashtu, shtoi ajo, kjo u lejon klientëve të bëhen blerës të përsëritur, ndërsa "unaza e fejesës është një blerje e vetme".
Dorsey, që u themelua në vitin 2019, pa shitjet të rriten 600 për qind nga 2021 në 2022 dhe është në rrugën e duhur për të dyfishuar shitjet përsëri këtë vit. Është fitimprurës, i nxitur nga marketingu që vecanërisht bëhet në mes të blogerëve që po e gjejnë dhe flasin vetë për produktin.
Burimi: CNN. Përshtati: Gazeta Si.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.