Nga Arthur C.Brooks – Të gjithë kemi takuar të paktën një herë në jetë një person që fillimisht na u duk si i shkëlqyer, por që më pas doli të ishte i tmerrshëm: një joshës intrigant, një koleg karizmatik, një mik simpatik. Na tërhoqi shumë në fillim, por gradualisht filluam të vëmë re sjellje që na bënin të dyshonim: disa gënjeshtra aty-këtu, një vanitet i pavend, një egoizëm i tepruar, dhe ndoshta edhe një prirje për t’u paraqitur gjithmonë si viktimë apo për të marrë merita për punën e të tjerëve.
Ose mund të ketë ndodhur që zhgënjimi të mos jetë rritur pak nga pak, por shumë shpejt, për shkak të një episodi dramatik dhe të pakëndshëm. Ndonjëherë mjafton vetëm një përplasje e vogël verbale dhe befas gjendemi përballë dikujt që na bërtet, kërcënon ose përpiqet të bëjë çmos që ta humbim vendin e punës.
Kuptohet që këto lloj situatash na lënë të shtangur, të lënduar dhe të hutuar. Ka shumë mundësi që personi në fjalë të ketë një personalitet të karakterizuar nga e ashtuquajtura “treshja e errët”. Kjo shprehje u krijua në vitin 2002 nga psikologët Delroy Paulhus dhe Kevin Ëilliams, për të përcaktuar njerëzit që paraqesin 3 aspekte dominuese: narcizmin, makiavelizmin dhe një nivel të matshëm të psikopatisë.
Këta njerëz priren të ngatërrojnë dhe lëndojnë të tjerët, pasi veprojnë në një mënyrë që duket në pamje të parë e pakuptimtë. Siç shkroi një studiues mbi njerëzit që kanë sjellje që priren drejt psikopatisë, ata janë “grabitqarë socialë që magjepsin, manipulojnë dhe arrijnë atë që duan përmes një mënyre të pamëshirshme, duke lënë pas një gjurmë zemrash të thyera, pritshmëri të zhgënjyera dhe kuleta të zbrazëta”.
Por të paktën këta lloj njerëzish janë të paktë në numër, apo jo? Gabim! Në një studim ndërkombëtar, tiparet e “treshes së errët” u zbuluan tek 1 në 14 pjesëmarrës. Dhe kjo do të thotë se secili prej nesh, është i destinuar të ndeshet shpesh me këta persona në marrëdhëniet romantike, në punë, në politikë dhe mbi të gjitha në rrjetet sociale.
Për të mbrojtur qetësinë tonë shpirtërore, mirëqenien dhe ekonominë tona, duhet t’i kuptojmë këta individë, të mësojmë si t’i identifikojmë dhe të qëndrojmë larg tyre, duke e rrethuar veten me miq dhe kolegë më të mirë. Çrregullimi narcisist përbëhet nga vetë-admirimi egoist, ndërsa makiavelizmi karakterizohet nga sjellje hipokrite dhe përbuzje ndaj moralit.
Këta elementë janë negativë në vetvete, por psikopatia e shton mungesën e ndjeshmërisë dhe pendesës. Motoja e këtyre njerëzve është e qartë: Për gjithçka që ka të bëjë me mua, unë jam i gatshëm të të lëndoj për të marrë një përfitim, dhe nuk më intereson aspak se si ndihesh”.
Ndonjëherë një person i tillë, mund të shfaqë një tipar të katërt të personalitetit, duke e shndërruar në një tetradë “treshen e errët”: sadizmi ose kënaqësia që vjen nga vuajtjet e të tjerëve. Disa studiues argumentojnë se të gjithë ata që shfaqin tiparet e “treshes së errët” janë gjithashtu sadistë, sepse narcisizmi, makiavelizmi dhe psikopatia janë shprehje e një prirjeje drejt sadizmit.
Sidoqoftë, në çdo rast këta njerëz na e bëjnë jetën ferr. Psikologu Scott Barry Kaufman, që e ka studiuar prej vitesh “treshen e errët”, thekson se këto karakteristika formojnë një vazhdimësi, dhe se ato janë të pranishme tek të gjithë, sigurisht në shkallë të ndryshme. Por duke pasur parasysh një prag përtej të cilit tiparet e triadës së errët bëhen dominuese, Kaufman dhe një ekip studiuesish zbuluan se njerëzit tek të cilët ndodh kjo përbëjnë rreth 7 për qind e kampionit ndërkombëtar të vullnetarëve të analizuar në studimin e tyre.
Zakonisht besohet se “treshja e errët” prodhon gjeni në fusha të caktuara, por shumë të këqij si njerëz. Disa janë vërtet të tillë, por psikopatia lidhet me një inteligjencë nën mesataren. Sipas disa kërkimeve, ekziston një dominancë disproporcionale e tipareve të trefishta brenda popullatës mashkullore të burgjeve.
Në lidhje me profesionet, studiuesit kanë zbuluar se njerëzit me tipare narcisiste priren të ndjekin karriera artistike, krijuese dhe sociale, ndërsa makiavelistët shmangin mbajtjen e posteve që kërkojnë kujdes për të tjerët. Pra nëse jemi në kërkim të “treshes së errët”, duhet të jemi të kujdesshëm ndaj atyre që kryejnë profesione që përfshijnë kontaktet njerëzore, konkurrencën dhe duartrokitjet, pa vëmendjen e nevojshme ndaj të tjerëve.
Shembuj më të dukshëm janë politika dhe bota e shoëbiz-it. Por treshja mund të shfaqet në shumë fusha. Në vendin e punës këta njerëz priren të zmadhojnë vlerat e tyre, të shfaqin shumë mosbesim ndaj kolegëve, të veprojnë në mënyrë impulsive dhe të papërgjegjshme, të thyejnë rregullat dhe të gënjejnë.
Nëse të punosh me një person më tipare të tilla është e vështirë, të biesh në dashuri me të është katastrofike. Tejet të sigurt në vetvete dhe të shoqërueshëm, këta individë mund të jenë shumë tërheqës, sidomos për gratë. Zakonisht ata shfaqin një preferencë të fortë për marrëdhëniet afatshkurtra, por kur e gjejnë veten në një marrëdhënie më të qëndrueshme, priren të tradhtojnë.
Deri në momentin që vjen ndarja e pashmangshme, e cila mund të jetë shumë e dhunshme. Kur përfshihen në politikë, njerëz të tillë mund të shkaktojnë dëme të mëdha. Personi narcisist motivohet nga vetë-lavdërimi dhe sigurisht jo nga dëshira për të bërë mirë për komunitetin.
Siç mund të pritet, këto personalitete janë kudo në rrjetet sociale, që sipas studiuesve janë një lloj parajse për “treshen e errët”. Zakonisht ata shfaqin çrregullimin e rrjeteve sociale, që përfshin përdorimin e tepruar të këtyre platformave. Studimet tregojnë se përdoruesit anonimë që angazhohen në rrjetet sociale vetëm për të nxitur sherre dhe debate, kanë tipare që priren drejt atyre të “treshes së errët”.
Është e sigurt që ata ndjejnë një dozë të kuptueshme schadenfreude, pra gëzimin e shkaktuar nga fatkeqësia e të tjerëve. Në përgjithësi, njerëzit të tillë nuk janë liderë të vlerësuar, nuk kanë miq të ngushtë, dhe janë më pak të kënaqur se mesatarja e popullsisë.
Sigurisht, këshilla më e dobishme për 93 përqindëshin e popullsisë është të identifikojmë dhe shmangim njerëz që bartin “treshen e errët”. Shenjat që duhen qëmtuar me kujdes janë arroganca, mendjemadhësia, vaniteti, luajtja e rolit të viktimës, prirja për të shtrembëruar të vërtetën sipas interesave të veta apo për të gënjyer, përdorimi i manipulimit, iluzionet e madhështisë, mungesa e pendesës dhe ajo e ndjeshmërisë.
Kërkojini këto karakteristika veçanërisht që gjatë takimeve të para dhe intervistave për punë. Natyrisht, ne nuk mund t’i shmangim të gjitha kontaktet shoqërore vetëm nga frika e takimit me një njeri të tillë. Të gjithë kemi nevojë për histori dashurie, miq dhe kolegë. Distancimi total nuk është një strategji e pranueshme.
Pra në vend se ta kaloni jetën tuaj duke shmangur “treshen e errët”, kërkoni më mirë të kundërtën e saj. Për fatin tonë, Kaufman dhe një grup psikologësh kanë krijuar profile njerëzish të karakterizuar nga “treshja e dritës”. Ndër tiparet kryesore të saj janë besimi tek humanizmi (besimi tek mirësia e njerëzve), besimi në dinjitetin dhe vlerën e çdo personi, dhe besimi tek ideja e një ligji moral universal.
Krahasuar me 7 për qind të njerëzve bartin treshen e errët të tipareve, Kaufman zbuloi se 50 për qind e kampionit të ekzaminuar në studimin e tij, karakterizohet nga treshja e ndritshme dhe se mesatarisht tek njerëzit tiparet e ndritshme mbizotërojnë mbi ato të errëta.
Burimi: Internazionale. Përshtati: Gazeta Si.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.