Jete & Stil

Si të shëroheni nga stresi post-traumatik

Çrregullimi i stresit post-traumatik (PSTD) mund të shkaktohet nga një varg përvojash, një aksident i rëndë me makinë, nga humbja e një njeriu të afërt, nga një sulm terrorist.

Por si ta kuptoni se po vuani nga çrregullimi post-traumatik dhe si të shëroheni nga kjo sëmundje?

Çfarë është PTSD?

Çrregullimi i stresit post traumatik (PTSD) është një çrregullim ankthi që shfaqet pasi një njeri përjeton një ngjarje traumatike. Një gamë e gjerë e përvojave mund të shkaktojë këtë çrregullim, duke përfshirë një aksident me makinë, një lindje traumatike, humbjen e një njeriu të afërt, një sulmi terrorist, ose ndonjë periudhë lufte.

Rachel Boyd, një studiues i shëndetit mendor, thotë: Nëse përjeton një traumë, është e natyrshme që ajo të ketë ndikim në jetën tuaj". Por kjo nuk do të thotë se ju vuani nga PTSD, vetëm nëse ky çrregullim shfaqet për një periudhë të gjatë gati më shumë se një vit dhe vazhdimisht keni probleme me ankthin, atëherë ju vuani nga stresi post traumatik.

Simptomat

PTSD  ka disa paralajmërime shqetësuese. Mund ta keni të vështirë të përqëndroheni në gjërat e zakonshme, kujtoni në çdo moment ngjarjen e rëndë që keni përjetuar, nuk mund të qetësoheni, ose të flini rehat. Rrethanat, vendet apo njerëzit ju kujtojnë ngjarjen që keni kaluar. PSTD gjithashtu mund t'ju shkaktojë edhe probleme të shëndetit fizik, siç janë dhimbje koke të vazhdueshme dhe diarre. Dhe nëse mundohuni  të gjeni ngushëllim tek alkooli dhe ilaçet qetësuese, ju mund të shkaktoni probleme të tjera në shëndetin tuaj.

Rreziqet

PTSD nuk është shenjë dobësie, çdo kush mund të preket nga kjo sëmundje. Por nëse keni përjetuar abuzime emocionale, fizike ose seksuale dhe ju e neglizhoni, atëherë rreziku që kjo sëmundje mund të rëndohet, është i madh. Pas çdo ngjarjeje të rëndë që njerëzit kalojnë në jetë, është e pamundur që jeta të vazhdojë rrjedhën normalisht, ndaj është shumë e rëndësishme t'i kushtoni vëmendje qoftë edhe shenjës më të vogël që paralajmëron çrregullim. Përshtatshmëria juaj personale është një përzierje komplekse e gjenetikës, temperamentit, hormoneve, gjendjes mendore dhe fizike, sistemeve mbështetëse dhe përvojave të mëparshme. Por edhe personi më elastik mund të preket nga PTSD.

Njohja e rrezikut dhe kuptimi i simptomave

Mbështetja nga miqtë dhe kujdesi personal për mirëqenien tuaj fizike dhe mendore, ndikon pozitivisht, por nuk varet gjithçka vetëm prej jush. Për këtë është shumë e rëndësishme ndihma e njerëzve që keni përreth. Vendi juaj i punës duhet të ofrojë trajnim, mbështetje dhe menaxhim të rrezikut. Menaxhimi i rrezikut Trauma (TRIM) është një sistem i mbështetjes së kolegëve dhe përdoret gjerësisht në vendet e punës ku personeli është i ekspozuar ndaj një rreziku të lartë të traumës.

Simptomat e lehta

Njerëzit që nuk kanë simptoma të forta të PTSD mund të përmirësohen brenda një muaji pa trajtim. Por nëse përgjigja fillestare ndaj traumës është e rëndë, trajtimi duhet të fillojë shumë shpejt sapo shenjat fillojnë të shfaqen përndryshe ky çrregullim bëhet më i vështirë për t'u trajtuar. Gjithkush që ka përjetuar traumë mund të marrë mbështetje praktike në mënyrë empatike nga punonjësit e shëndetësisë dhe të kujdesit social

Trajtimi

Trajtimi i rekomanduar varet nga lloji i traumës që keni përjetuar dhe se si simptomat e PTSD po ndikojnë ne jetën tuaj.

Terapitë e rekomanduara përfshijnë terapi konjitive të sjelljes, të cilat fokusohen në ndihmën e trurit tuaj për të përpunuar traumën. Ilaçet mund të përdoren së bashku me trajtime të tjera. Mjeku juaj i përgjithshëm duhet të jetë në gjendje t'ju drejtojë për ndihmë të specializuar, nëse është e nevojshme.

Qasje të tjera

Terapia dialektike e sjelljes (DBT) është një tjetë formë e modifikuar e trajtimit. Ajo përqendrohet në ndihmën për të ndryshuar të menduarit dhe sjelljet e padobishme. Gjithashtu kjo terapi përqendrohet në pranimin se kush jeni. Qëllimi është vetë-rregullimi emocional, që do të thotë që ju mund t'i mbani përgjigjet tuaja emocionale nën kontrollin tuaj.

The Guardian. Përshtati: Olta Gjini


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë