Më 13 shtator 1907 u lind Mitrush Kuteli – Dhimitër Pasko. Mitrush Kuteli (pseudonimi i Dhimitër Paskos) ishte ekonomist, financier, shkrimtar, përkthyes, gazetar, mbledhës folklori e mbledhës i shpirtit shqiptar shpërndarë në shekuj e vise. Ndër veprat e tij më të rëndësishme janë “Tregime të Moçme Shqiptare”, “E madhe gjëma e mëkatit”. Kuteli ka kontribut edhe në përkthime. Ai ka sjellë në shqip Nikolaj Gogol, Maksim Gorki, Aleksandër Pushkin etj.
Shkollën fillore e kreu në Pogradec më 1919, pas dy viteve shkoi në Selanik me anë të një burse për shkollën tregtare rumune. Organizoi shoqërinë e nxënësve shqiptarë të Selanikut të quajtur “Kostandin Kristoforidhi”.
Më 1928 shkoi në Bukuresht ku vijoi studimet në Akademinë e Shkencave të Larta Ekonomike, duke punuar njëherësh edhe si llogaritar. Ndiqte kurse letërsie, kritike, folklori në fakultetet e tjera dhe dinte shkrim e lexim në greqisht e latinisht, frëngjisht, rumanisht dhe italisht. Qe sekretar dhe më 1931-'34 kryetar i shoqërisë së studentëve shqiptarë të Rumanisë, ndërkohë më 1928-'33 drejtoi gazetën Shqipëria e Re që botohej në Konstancë, ku çeli rubrikën "Shënime Letrare". Më 1931 u diplomua dhe në shkurt të 1934 mori doktoratën në shkencat bankare e monetare me vlerësimin "Diplomam Magnam cum Laudæ". Në vitet 1934-1942 nisi punë si nëpunës i lartë në Ministrinë e Financave të Rumanisë, më tej u bë drejtor i Bankës Kombëtare të Bukureshtit dhe i Bankës së Çërnëucit.
Më 15 shkurt 1944, së bashku me Vedat Kokonën, Nexhat Hakiun dhe Sterjo Spassen themeloi organin e përmuajshëm “Revista letrare”. Më 16 maj 1947 e arrestuan dhe e dënuan si “Armik i Popullit”, për “agjitacion e propagandë” me 5 vite heqje lirie. Pasi kaloi dënimin në kampin e Vloçishtit në Maliq, u lirua nga burgu në maj 1949 me falje. Më 1953 u transferua në shtëpinë botuese “Naim Frashëri” deri më 1967 - ku nga fundi i jetës me shkëputje - dhe iu rikthye për njëfarë kohe e drejta e botimit nga vera e vitit 1966 dhe iu ridha anëtarësia në Lidhjen e Shkrimtarëve me përkrahjen e Drago Siliqit.
Kuteli ndërroi jetë më 4 maj 1967 nga problemet me zemër pa përfunduar dot romanin ilir.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.