Nga Gazeta Si- Rrjetet sociale janë mediumet ku secili individ mund të shpalosë jetën në mënyrën e tij. Shpesh thuhet ose së paku kështu ishte konceptuar që ato t’i shërbenin njeriut dhe apo ashtu të kontrolloheshin nga ai. Por prej kohësh tashmë rrjetet sociale janë kthyer në diktuese të jetës sonë, jo vetëm në aspekte personale dhe vetjake por dhe në sjelljet familjare, ekonomike dhe shoqërore.
Nëse në fillimet e hapjes së rrjeteve sociale njerëzit kërkonin të paraqisnin ekzistencën duke tentuar të rilidheshin me miq dhe të afërm të humbur prej vitesh, tashmë rrjetet sociale kanë tjetër karakter, atë të të qenit në një hap me të tjerët dhe me epokën moderne në të cilën jetojmë. Disa nga skenat të cilat paraqiteshin në Tik-Tok dhe Instagram si trende apo sjellje të individëve të famshëm, përfunduan duke diktuar edhe festat apo traditat familjare.
Baby shower, t’ia nisësh festës ende pa lindur
Një ndër festimet të cilat gjetën përkrahje të madhe nga shoqëria e rrjeteve sociale ishtë Baby Shower, një festë familjare e cila zbulon gjininë e bebes që pritet të lindë. Nëse e marrim në kontekstin e lumturisë, festat janë gjithmonë një ngjarje pozitive dhe s’ka arsye pse të mos bëhen. Por festat që diktojnë rrjetet sociale janë kthyer në një lloj gare se kush e organizon më spektakolare apo se kush shpenzon më shumë, duke e kthyer ceremoninë në një lloj gare pa fre.
Edhe pse Baby Shower është një festë e cila është zhvilluar kryesisht në dy dekadat e fundit, ajo e ka një zanafillë, edhe pse jo të njëjtë me kremtimet e sotme.
Në Egjiptin e lashtë, ritualet që lidhen me lindjen e një fëmije zhvilloheshin pas ngjarjes vetë. Ndryshe nga festat moderne për foshnjat, në këto rituale, nëna dhe foshnja ndaheshin për të “përmbajtur dhe eliminuar ndotjen e lindjes.” Kjo mund të përfshinte vizita në tempuj ose vende të shenjta. Më pas, kryheshin rituale familjare, megjithëse detajet e tyre mbeten të paqarta për shkak të natyrës së tyre të përqendruar te gratë.
Në Indi, një ritual shtatzënie është praktikuar që nga epoka Vedike, i njohur si Simantha, që zhvillohet në muajin e 7-të ose të 8-të të shtatzënisë. Në këtë ceremoni, nëna e ardhshme mbulohet me fruta të thata, ëmbëlsira dhe dhurata të tjera që ndihmojnë në zhvillimin e foshnjës.
Grekët e lashtë festonin shtatzëninë pas lindjes, duke shpallur gëzim me një britmë (oloyge) që simbolizonte ardhjen e paqes.
Evropa e Rilindjes i festonte ardhjet e bebeve me dhurata dhe sende funksionale shtëpiake.
Në këtë periudhë, shtatzënitë festoheshin me dhurata të ndryshme, duke përfshirë sende funksionale si tabaka dhe tasa prej druri, si dhe piktura, skulptura dhe ushqime. Lindja konsiderohej pothuajse mistike dhe nënat e ardhshme rrethoheshin shpesh me simbole të lajmërimit për të inkurajuar dhe festuar ngjarjen.
Në Amerikën veriore festa daton prej viteve 1950 dhe fillimisht festohej si ngjarje për ti sjellë nënës të ardhura dhe dhurata.
Por nëse kërkon në Tik-Tok, video të ndryshme nga festat e Baby Shower nëpër botë, do të shohim çmendurira. Avionë që fluturojnë në qiell dhe që lëshojnë pluhurin rozë ose blu, sipas gjinisë. Helikopterë të cilët sillen e sillen me zhurmë dhe në fund zbarkojnë mbi kokat e të pranishmëve ngjyrën përkatëse. Tymnajë dhe britma gjithandej, gjithmonë sipas rastit. Secila festë përmban një lloj çmendurie brenda e cila tashmë është kthyer në etalon. Dhe i gjithë ky spektakël është kthyer në një show ekskluzivisht për rrjetet sociale, pra për t’i dëshmuar të tjerëve se sa më e madhe të jetë festa aq më i artë do të jetë fati i pasardhësit ose pasardhëses e po ashtu dhe rangu familjar.
Ditëlindjet e përmuajshme të bebeve
Dhe pasi bebja ka lindur, festat e ditëlindjeve mujore janë ato që organizohen me zell të madh çdo muaj. Tortat me numra, fotot profesionale dhe shumë postime njëkohësisht në rrjetet sociale janë ato që përbëjnë tharmin e festës. Mama të reja që stresohen për sfondin, për llojin e tortës, për veshjet e bebes e për gjëra të tjera si këto të cilat e bëjnë impenjativ këtë akt. Në një farë mënyrë duke parë se bota po bëhet përditë e më e pasigurt, edhe një muaj jetë më shumë mbi këtë tokë, ia vlen të festohet.
Secret Santa
Një tjetër ritual i diktuar ekskluzivisht nga Tik-Tok-u është “Secret Santa”. Ky ritual po gjen vend më së shumti në stafet e kompanive mes kolegësh por aplikohet dhe mes familjarësh. Loja funksionon në mënyrë të tillë: Shkruhen emrat e kolegëve dhe secili tërheq një emër të cilin nuk duhet ta tregojë, dhe emrit që të bie në short je i detyruar ti bësh një dhuratë. Në pamje të parë nuk ngjan keq, sepse karakteri i dhuratës apo vlera e saj nuk përcaktohet. Por çfarë ndodh nëse dhurata që bën është më e vogël se ajo që merr? Duke pasur parasysh trendin, hatërmbetjet janë të paevitueshme, aq më tepër kur në vendin tonë këtë vit trendi është në masë.
“Lumi unë” banalizimi i traditës.
Një fenomen tjetër që është parë nga i madh dhe i vogël që disponon një rrjet social, është ai i dasmave, dhe veçanarisht bacgroundit muzikor në të cilën çifti prezantohet para dasmorëve. Nga njëri cep i Shqipërisë e deri në cepin tjetër do të shohim të njëjtat lëvizje koreografike dhe do të dëgjojmë të njëjtën këngë “Lumi unë” të Irkenc Hykës. Kënga është e këndshme dhe motivet e Shqipërisë së mesme e bëjnë atë ideale për dasma, por mes një mori këngësh të tjera po ashtu të krijuara për dasma, kjo mund të ketë një vend krejt të parëndësishëm.
Por si ndodhi atëherë që kjo këngë u kthye në himnin e dasmave shqiptare dhe kryesisht ceremonisë së veçantë të hyrjes së çiftit në sallë? Përgjigja është Tik-Tok. Me qindra ceremoni që parakalojnë në reelsat e Tik-Tokut, krejtësisht identike mE njëra-tjetrën duke e zhbërë tërësisht traditën dhe këngët e bukura tradicionale të zonave të ndryshme të Shqipërisë, çka deri dje e identifikonin familjen, fisin por dhe çiftin. Sot gjithçka është uniformizuar nën një himn “Lumi unë” .
Shpesh kjo tendencë për të qenë koherent tregon dhe për varfërinë shpirtërore dhe kreative tonën, por dhe shndërrimin e njeriut në një qenie e cila nuk është e aftë të jetë autentike dhe e veçantë, ashtu siç është projektuar të jetë. E kështu rrjetet sociale nuk diktojnë vetëm sjelljen tonë ditore por dhe buxhetin tonë, duke na bërë shpesh të stërmundohemi për të kapur ritmin e masës, atë ritëm i cili nuk gjen kurrë qetësi, deri në trendin tjetër që pritet gjithmonë e po ashtu përqafohet me shumë kërshëri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.