Një birrë e ftohtë është një pije që prek të gjitha shqisat tona. Por ndërsa klima jonë ndryshon, po ashtu mund të ndryshojë edhe profili i shijes së një prej pijeve më të njohura në botë.
Me aromën e saj të kënaqshme, magjepsëse, pak pije ngjallin një ndjenjë aq të njohur sa një birrë e freskët.
“Nuk është vetëm e hidhur, nuk është vetëm e ëmbël, por pothuajse të fton në një gllënjkë tjetër dhe kjo është një cilësi shumë e vështirë për t’u përshkruar,” thotë Mirek Trnka, studiues në Institutin Kërkimor të Ndryshimeve Globale në Akademinë e Shkencave të Republikës Çeke.
Shija e birrës krijohet nga një simfoni komplekse e përbërjeve kimike nga 3 përbërës: si maja, elbi dhe lupulo, një bimë gjethet e të cilës përdoren për birrë. Por tani ndryshimet klimatike po kërcënojnë prodhimin e dy prej tyre: elbit dhe lupulos.. Trnka dhe kolegët e tij thonë se kulturat tradicionale në të cilat mbështeten prodhuesit e birrës për të krijuar birrën do të bëhen “më të vështira për t’u rritur”.
Hulumtimi i Trnka tregon se prodhimi i lupulos është ulur me 20% që nga vitet 1970 në disa nga rajonet më të mëdha të rritjes. Acidet janë përbërësi kryesor në lupulo që i japin birrës aromën e saj të hidhur të veçantë dhe studimi i Trnka arrin në përfundimin se nivelet e acideve do të ulen me 31% deri në vitin 2050.
A po përballet birra me një krizë ekzistenciale? A mund të bëhet diçka për të siguruar shijen e saj në të ardhmen?
Birra, një nga pijet më të preferuara në botë, dhe pija alkoolike më e njohur për nga vëllimi, ka qenë pjesë e shoqërisë që kur njerëzimi zbuloi bujqësinë. Dëshmitë e pijeve alkoolike të fermentuara me bazë drithi janë gjetur deri në Jiahu, një vend neolitik në Kinë që daton të paktën në 5700 para Krishtit dhe shoqëritë parahispanike të Andeve, si kultura Moche nga shekulli i dytë deri në shekullin e tetë pas Krishtit. Në Lindjen e Afërt, tekstet dhe vulat kuneiforme të Mesopotamisë përshkruajnë se konsumohej birrë. Në fakt, ka dëshmi të prodhimit të birrës në çdo kontinent të botës antike.
Qoftë misër, oriz apo drithëra, fermerët e hershëm mësuan se fermentimi i drithit mund të prodhonte një pije me efekte dehëse.
Fillimisht, bima e lupulos u shtua si një ruajtës, jo një aromatizues.
“U zbulua gjatë epokave mesjetare që lupulos i shtoi birrës një përfitim antimikrobik, duke e parandaluar që birra të prishej në një mënyrë që do ta bënte atë të thartë, kështu që shtoi jetëgjatësinë”, thotë Thomas Shellhammer, profesor i shkencës së fermentimit në Universitetin Shtetëror të Oregonit.
Përpara Revolucionit Industrial dhe futjes së furrave dhe kazanëve prej çeliku të pandryshkshëm, gjethet e lupulos thaheshin mbi zjarre, gjë që gjithashtu i jepte një aromë të fortë tymi birrës, thotë Shellhammer.
“Aroma e lupulosit u bë po aq e rëndësishme sa elementët e tjerë, në vend që të ishte thjesht funksionale për procesin e prodhimit të birrës”.
Këto birra të hershme kanë qenë më të dobëta në alkool dhe shumë të ndryshueshme në shije. Në prodhimin e birrës së hershme, një “univers i bimëve dhe erëzave” përdoreshin si aromatizues dhe konservues alternativë, duke përfshirë lulet e shqopës, majat e bredhit, sherebelën, rozmarinën dhe dëllinjën.
Vetitë antimikrobike krijohen nga disa përbërës të quajtura acide alfa dhe acide beta, të cilat janë gjithashtu burimi i shijes së hidhur të birrës.
“Gjatë fazës së vlimit, acidet alfa ndryshojnë formën në një përbërje tjetër dhe ky rikonfigurim kimik i bën ato më të hidhura,” thotë Shellhammer. Birrat shumë të hidhura, si birra e zbehtë indiane (IPA) bëhen me përmbajtje të lartë acidi alfa për të theksuar vërtet ato shije të hidhura.
Kërkimet klimatike të Trnka dhe kolegëve të tij u fokusuan në varietetet e kësaj bime në zhdukje. Rritja e temperaturave të shkaktuara nga ndryshimet klimatike e kanë shtyrë fillimin e sezonit të rritjes së lupulosit në Gjermani dhe Çeki me 13 ditë midis 1970 dhe 2018, dhe pjekja ka lëvizur 20 ditë më parë. Parashikimet e Trnka sugjerojnë se deri në vitin 2050 rendimentet e bimës do të bien midis 4.1 dhe 18.4% krahasuar me 1989-2018, së bashku me një rënie të ngjashme në përmbajtjen e acidit alfa, për shkak të rritjes së temperaturave dhe thatësirave më të shpeshta.
Ndërsa disa efekte të temperaturave më të larta dhe thatësirave mund të kapërcehen me ujitje, thotë Shellhammer, në temperatura shumë të larta prej rreth 46C bimët ndalojnë së rrituri dhe disa sëmundje lulëzojnë në temperatura më të nxehta.
Fermerët kanë disa mundësi: zhvendosjen e bimës në zona me nivele më të larta uji, për shembull në lugina ose nga përrenj, ku uji merret më lehtë nga rrënjët e bimëve, shtimi i ujitjes me pika ose kalimi në varietete më rezistente ndaj klimës.
Varietetet e reja të lupulosit po rriten për të qenë më rezistente ndaj ndryshimit të klimës por për të zhvilluar një varietet të ri nga e para në prodhimin e plotë mund të duhen deri në 10 vjet.
Për shembull, një varietet i ri eksperimental mund të tregojë më shumë rezistencë ndaj nxehtësisë, por mund të kërkojë ende një sasi të ngjashme uji.
Christian Ettinger, themelues i Hopëorks Urban Breëery në Portland, SHBA, thotë se një nga birrat e tyre tipike mund të përmbajë nga dy deri në pesë lloje të ndryshme bime, gjë që i jep mundësi prodhuesit të birrës të rregullojë recetën për të llogaritur ndryshimet në rendiment.
Studiuesit thonë se birra nuk do të mungojë kurrë por do të ketë shije ndryshe, sic tashmë ka, me përbërës të rinj që kompani të ndryshme i kanë përshtatur.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.