Opinion

Si po e mbështet Hamasin Koreja e Veriut

Nga Edward Howell- Në fillim ishte lufta e Rusisë kundër Ukrainës. Pastaj sulmet terroriste të Hamasit kundër Izraelit. Që të dyja këto ngjarje, në shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare, nuk i kanë shpëtuar syrit vigjilent të Koresë së Veriut, këtij shteti famëkeq sponsor të terrorizmit.

Në fillim të javës që shkoi, një zyrtar i Hamasit deklaroi se Koreja e Veriut është “pjesë e aleancës të Hamasit”, dhe ai frikësoi Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara me fjalët: ”Mund të vijë shumë shpejt dita kur Koreja e Veriut të ndërhyjë ushtarakisht”, duke nisur një sulm të drejtpërdrejtë kundër Shteteve të Bashkuara.

Ngjarjet e javëve të fundit, kanë treguar në një mënyrë shumë të qartë se Hamasi nuk dëshiron vetëm që të shkatërrojë jetët e civilëve izraelitë, por vetë ekzistencën e shtetit izraelit. Po ashtu, Izraeli është një shtet që nuk njihet as nga Koreja e Veriut.

Pas sulmeve fillestare të Hamasit, Ministria e Jashtme e Koresë së Veriut u rreshtua në mënyrë të parashikueshme në anën e Palestinës, dhe më pas nisi lojën e hedhjes së fajit ndaj Shteteve të Bashkuara dhe Perëndimit. Pheniani akuzoi Uashingtonin dhe aleatët e tij se “morën anën e Izraelit” dhe “e maskuan Izraelin si viktimë”.

Ngjashëm me retorikën e saj pas pushtimit rus të Ukrainës në shkurt 2022, Koreja e Veriut fajësoi Shtetet e Bashkuara si “shkakun përfundimtar” të kësaj lufte që po përshkallëzohej me shpejtësi. Qëndrimi anti-izraelit i Koresë së Veriut nuk është i kohëve të fundit.

Ai ka një histori të gjatë, që nis me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Palestinën në vitin 1966. Që nga ajo kohë, Phenani ka argumentuar se Palestina ka një sovranitet legjitim dhe përfundimtar mbi të gjithë shtetin izraelit, tej Lartësive Golan.

Gjatë Luftës së Ftohtë, udhëheqësi i parë i Koresë së Veriut, Kim Il-sung, u përpoq – ndonëse jo plotësisht me sukses – të krijonte miqësi me vendet e Botës së Tretë. Së bashku me Sirinë dhe më vonë me Iranin, Palestina u tregua një mike e tillë.

Ajo u bë përfituese e ndihmës ushtarake nga regjimi i Kim, si dhe një shembull i dobishëm për ta theksuar dëshirën e Koresë së Veriut për të qenë një mbështetëse e regjimeve revolucionare anti-imperialiste në mbarë botën. Ndërsa Kim krijoi marrëdhënie më të ngushta me Yasser Arafat, në atë kohë Kryetar i Organizatës për Çlirimin e Palestinës, u shpeshtuan denoncimet e tij për Izraelin si një “satelit imperialist” i Shteteve të Bashkuara.

Arafat e vizitoi disa herë Korenë e Veriut në vitet 1980, sidomos në vitin 1989, një vit pasi Palestina shpalli pavarësinë e saj, pasi OÇP u përpoq të forconte lidhjet me Korenë e Veriut, në mënyrë që të mund të merrte prej saj armë dhe municione.

Sipas manualit që ndjek Koreja e Veriut, ia vlen të shfrytëzohet çdo mundësi për të forcuar pozicionin e saj kundër Shteteve të Bashkuara. Për Phenianin, shfrytëzimi i krizave gjeopolitike përtej kufijve të tij është me vlerë nëse rast se ai mund t’i portretizojë Shtetet e Bashkuara si një fuqi ‘armiqësore’.

Përveç nxitjes së nacionalizmit në shtëpi, kjo qasje ofron gjithashtu një justifikim të përshtatshëm për përshpejtimin e programit saj bërthamor dhe raketor nga regjimi komunist, devijimin e fondeve të tij nga ushqimi i popullit dhe zhvillimi i ekonomisë së tij të dobët.

Kur flitet për mbështetjen e armatosur, tre brezat e familjes Kim kanë përvojë në shmangien e sanksioneve ndërkombëtare, përfshirë ato nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara. Siç e tregon edhe furnizimi me municione i Koresë së Veriut për Rusinë, armët janë një burim kyç i të ardhurave për regjimin, në një kohë kur ai është i dëshpëruar për para.

Prandaj nuk është për t’u habitur që në sulmin e parë ndaj Izraelit, predhat me raketahedhësit F-7 të përdorura nga militantët e Hamasit, ishin prodhuar nga Koreja e Veriut, një pretendim që regjimi i Kim-it e mohoi me shpejtësi si një “thashethem të pabazë dhe të rreme”.

Nuk është lajm fakti që armët e Koresë së Veriut, po përdoren në konflikte larg Gadishullit Korean, dhe këtu nuk bëjnë përjashtim as luftërat që përfshijnë Izraelin dhe Palestinën. Duke pasur parasysh bashkëpunimin e saj me Iranin dhe Sirinë, janë hedhur themelet për një rrjet të transferimit të armëve nga Pheniani në Teheran dhe në fund në Gaza.

Kjo ndikohet nga një rrjet i gjerë trafikantësh. Tek e fundit, Pheniani ka pasur mjaftueshëm kohë për të mbledhur njohuri të tilla. Në vitin 2007, një sulm ajror izraelit mbi një reaktor bërthamor sirian në Al-Kibar, zbuloi se dizajni i tij bazohej tek reaktorët bërthamorë të Koresë së Veriut në bazën e tij kryesore të armëve bërthamore në Yongbyon.

Synimi i Koresë së Veriut, ishte të eksportonte në Siri sasi të mjaftueshme plutoniumi për të prodhuar armë bërthamore. Më pas ai do të përpunohej, dhe në fund do të prodhohej arma e lakmuar. Kohët e fundit, në konfliktin midis Izraelit dhe Palestinës në vitin 2021, u vu re se Hamasi po përdorte raketat anti-tanke të Koresë së Veriut, por edhe raketahedhës, të cilat ka të ngjarë të jenë kontrabanduar nëpërmjet Iranit.

Gjithsesi, me gjithë mbështetjen e saj për Palestinën dhe denoncimet afatgjata kundër Izraelit, dita kur Koreja e Veriut të ndërhyjë drejtpërdrejt nuk do të jetë e shpejtë. Sepse ky është një hap që Kim Jong Un nuk dëshiron ta hedhë.

Por kjo nuk do ta ndalojë Korenë e Veriut që të bashkëpunojë me armiqtë e Perëndimit, veçanërisht nëse Pheniani mund të ketë hapësirë për të shfrytëzuar gjeopolitikën rajonale me synim rritjen e ndjenjës anti-SHBA. Për Korenë e Veriut, armiku i armikut është gjithmonë miku i saj.

Burimi: The Spectator/Përshtati Gazeta Si

Shënim : Edward Howell është një lektor i politikës në Oksford


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë