Një 31-vjeçare, e cila iu premtonte disa qytetarëve se do t’i ndihmonte për të nxjerrë licencën e farmacistit kundrejt përfitimit monetar, është arrestuar nga Policia e Tiranës.
Gruaja e re me iniciale S.K., u arrestua në flagrancë në rrugën “Josif Budo”, duke marrë një shumë prej 10 mijë eurosh, pasi kishte mashtruar disa persona.
Mësohet se ajo bisedonte me qytetarët në rrjetin social Instagram përmes adresave false të krijuara me emra të punonjësve të një institucionit shtetëror, me pretendimin për t’i ndihmuar në nxjerrjen e licencës për ushtrimin e profesionit të farmacistit.
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se nëpërmjet mashtrimeve, 31-vjeçarja ka përfituar 16 mijë euro.
Nga këqyrja e telefonit të saj, janë gjetur edhe shumë biseda të tjera me persona të ndryshëm, me të cilët komunikonte me qëllim mashtrimin për përfitim të paligjshëm të parave.
Në cilësinë e provës materiale, policia i sekuestroi 1 kompjuter, 2 aparate telefonike, 10.000 euro, 50.000 lekë të rinj dhe 61 fatura tatimore shitjeje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




