Lajme

Si pasuria kulturore do të menaxhohet me fondacion të posaçëm?

Sabina Veizaj-Qeveria ka vendosur që Pasuritë Kulturore tia jap përmes konkursit privatit për administrim ose edhe përdorim për një periudhë kohore deri në 20 vite.

Kërkesa për menaxhimin e Monumenteve të Kulturës mund të vijë si nga institucioni publik që e administron, ashtu edhe nga subjekti privat i interesuar.

Në rastin e administrimit kjo mund të ndodhë vetëm përmes një fondacioni të posaçëm që si fillim miratohet në Këshillin e Ministrave e mandej në Parlament.

Por në të dyja rastet, sipas vendimit të Këshillit të Ministrave të miratuar në ditët e fundit të vitit që sapo lamë pas, shteti do të qëndrojë mbi kokë për monitorim.

Ministria e Kulturës shpjegon për gazetën “Si” se në rastin e administrimit, ligji njeh administrimin direkt, kur menaxhimi i pasurisë kulturore kryhet nga institucioni që është ngarkuar me ligj/ VKM për këtë gjë, dhe administrimi indirekt, kur menaxhimi kryhet nga fondacione/ persona juridikë apo fizikë, të cilëve pasuria kulturore u jepet në administrim sipas procedurave publike të përcaktuara në bazën ligjore përkatëse.

Në rastin e përdorimit, ligji njeh përdorimin e drejtpërdrejtë dhe rijetëzimin. Përdorimi i drejtpërdrejtë lidhet vetëm me realizimin e një veprimtarie kulturore, sociale, artistike, kurse rijetëzimi është dhënia në përdorim e pasurisë kulturore për funksione administrative e social-kulturore, me kusht që projekti i rijetëzimit të mos dëmtojë vlerën e pasurisë kulturore.

Në projektin e rijetëzimit të objektit monument kulture, krahas kritereve tekniko-ligjore kërkohet edhe projekti i rijetëzimit, analiza e detajuar e projektit, plani i zhvillimit të territorit, si dhe Plan-biznesi përkatës i detajuar për vënien në funksionim të pasurisë kulturore, ku të përshkruhet qartë plani i punësimit, i investimit dhe treguesit e tjerë që do të realizohen.

Pyetjes se cila do të jetë marrëdhënia e subjektit privat me shtetin në çdo rast, Ministria e Kulturës përgjigjet se në çdo rast, menaxhimi ka për qëllim: administrimin e pasurisë kulturore publike nëpërmjet zbatimit të një modeli administrimi më efektiv nga pikëpamja ekonomiko-financiare dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore; ruajtjen, mbrojtjen, restaurimin, vlerësimin dhe shfrytëzimin në mënyrë joshteruese, qoftë veç e veç, në bazë të standardeve dhe praktikave më të mira botërore; krijimin e kushteve për garantimin e aksesit të barabartë në pasurinë kulturore publike; njohjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore; zhvillimin e aktiviteteve studimore dhe kërkimore; financimin e veprimtarive në lidhje me pasuritë kulturore publike.

Fondacioni i krijuar, sqaron ministria, është një entitet i ri, i posaçëm vetëm për menaxhimin e pasurisë kulturore përkatëse. Krijimi i tij miratohet me ligj/ VKM, sipas tipologjisë së pasurisë. Konkretisht, për pasuritë kulturore me rëndësi universale miratimi i kalimit në administrim bëhet me ligj, kurse për pasuritë kulturore me rëndësi kombëtare/ lokale, miratimi i kalimit në administrim bëhet me VKM. Por, në çdo rast, titulli i pronësisë i mbetet shtetit.

Administrimi dhe rijetëzimi janë dy forma të ndryshme në këtë rast. Koncepti i parë nënkupton kryerjen e të gjitha funksioneve administrative në lidhje me menaxhimin e pasurisë kulturore publike. Qëllimi i administrimit, shpjegon ministria, është menaxhimi më efektiv i pasurisë kulturore, duke vendosur në mbrojtje vlerat e saj kulturore, rritjen e cilësisë së shërbimeve brenda saj, promovimin, etj.

Kurse rijetëzimi ka detyra më të kufizuara dhe lidhet vetëm me përdorimin e pasurisë kulturore nga një subjekt, mbi bazën e kritereve ligjore, si dhe siguron investime, me kushtin ligjor që të mos dëmtohen vlerat e pasurisë të trashëgimisë kulturore.

“Në rastin e administrimit indirekt, çdo proces që lidhet me menaxhimin e pasurisë kulturore realizohet nga fondacioni, që kujtojmë themelohet edhe me pjesëmarrjen e Ministrisë së Kulturës, apo të një institucioni të specializuar të trashëgimisë kulturore. Kjo nënkupton që shteti është gjithmonë pjesë e vendimmarrjeve që i përkasin menaxhimit të pasurisë kulturore publike”- thotë ministria.

Kurse, në rastin e rijetëzimit, subjekti i interesuar konkurron me një projekt, i cili vlerësohet sipas procedurave të përcaktura në VKM. Nëse projekti miratohet, lidhet kontrata përkatëse, ku përcaktohen afatet dhe kushtet që duhet të përmbushë subjekti në realizimin e projektit. Administrimi vazhdon t`i mbetet shtetit, kurse e drejta e përdorimit për një periudhë të caktuar, i kalon subjektit që ka përmbushur kriteret e kualifikimit, mbi bazën e një procedure konkurrimi.

Por si bëhet monitorimi nga ana e shtetit?

Në rastin e administrimit, shteti është bashkëthemelues i fondacionit që do të menaxhojë pasurinë kulturore. Monitorimi bëhet sipas parashikimeve në marrëveshjen e krijimit të fondacionit, si dhe në marrëveshjen e administrimit.

Në rastin e rijetëzimit, në kontratën që lidhet me subjektin, përcaktohen kushtet dhe organet që do të realizojnë monitorimin e përdorimit të pasurisë kulturore sipas planit të menaxhimit të pasurisë kulturore publike, të miratuar paraprakisht. Formati tip i kontratës së rijetëzimit, miratuar me VKM përcakton si detyruese dhe monitorimin.

Sipas ministrisë, në hartimin e VKM-ve nuk është marrë parasysh një rast specifik, (Butrinti) por parimet e përgjithshme. Në këtë kuptim, thotë ministria, menaxhimi i Butrintit mund të përfshihet në secilën nga format e parashikuara nga ligji, në varësi të interesit që do të tregohet nga subjektet e interesuara.

Çfarë thonë ekspertët?

Arkeologu Neritan Ceka mendon se ky vendim është bërë për ti hapur rrugën menaxhimit të Butrintit nga privati, pasi Fondacioni Amerikano-Shqiptar i Zhvillimit investoi në përgatitjen e projektit të menaxhimit të Butrintit.

Neritan Ceka, arkeolog

Për profesor Cekën, parimisht kjo është gjë e mirë, pasi siç e shpjegon ai “Ministria e Kulturës në 10 vitet e fundit ka kontribuuar në shkatërrimin e pasurive kulturore arkeologjike. Si fillim shkëputja nga ministria e këtyre pasurive është arritje, mandej të shikohet mundësia që të kalojnë në institucione të specializuara me profesionistë, siç është Instituti i Monumenteve që është përjashtuar.”

Profesor Ceka shpjegon se kjo është një praktikë e njohur në botë. Në Angli, për shembull, shpjegon ai, administrimi në dukje është privat, por shteti është kudo.
Ai kërkon që ti rijepen kompetencat e hequra në 2008-ën Institutit të Monumenteve sepse pa specialistë të fushës sipas tij, gjithçka është e marrë fund.

Më 15 nëntor 2019 në një tryezë me specialistë e grupe interesi u prezantua në hotel Plaza projekti i menaxhimit të Butrintit.

Specialsitët si profesor Neritan Ceka dhe Auron Tare do të ngrinin pikëpyetje mbi menaxhimin e Butrintit nga të huajt. Pasi sipas tyre fondacioni që do të krijohej, dihej nga ministria tashmë dhe do të ishte një fondacion i huaj.

Ata do të vërenin se menaxhimi nga të huajt do të cenonte sigurinë dhe identitetin kombëtar.

Auron Tare , historian

Për Auron Taren, i cili në vitet 1994-2005 ka qenë përfaqësues i Fondacionit “Butrinti” duke drejtuar të gjitha çështjet që kishin të bënin me krijimin e Parkut Kombëtar të Butrintit si Pasuri Botërore e UNESCO-s dhe bashkautor i Planit të Parë të Menaxhimit të Parkut, “qendra të tilla të rëndësishme shkojnë përtej çështjeve ekonomike, punësimit, përtej çështjeve të turizmit, ato kanë të bëjnë me çështjen e sigurisë dhe të identitetit kombëtar. Është shumë e rëndësishme që vetë shqiptarët të menaxhojnë identitetin e tyre kombëtar.”

Më herët në lidhje me rijetëzimin e monumenteve të kulturës, ka patur një udhëzim të ministrit të kulturës (nr.5110, datë 13.10.2015 “Për dhënien me qira/enfiteozë dhe mënyrën e administrimit të monumenteve të kulturës me qëllim rijetëzimin”, i ndryshuar). Ky udhëzim rregullonte vetëm dhënien me qira/enfiteozë të objekteve brenda monumenteve kulturore, kryesisht për aktivitet tregtare.

Ky udhëzim do të ndizte një debat sa politik, ashtu edhe profesional me eskpertët e fushës asokohe.

Artan Shkreli, arkitekt

“Visar Zhiti është flaka e pishtarit që mban Sali Berisha për të bërë tokë të djegur në njërën ndër fushat më sensitive të shoqërisë shqiptare, asaj të trashëgimisë kulturore, monumentale e arkitekturore”- do të thoshte Artan Shkreli, një prej anëtarëve më aktiv të forumit për mbrojtjen e Monumenteve të kulturës për rijetëzimin e monumenteve të kulturës.
Shkreli do të shpjegonte asokohe se “Kriteret janë: Plani i biznesit – pra monumentet shihen si objekte fitimprurëse, ndërkohë që në të gjithë botën konsiderohen si objekte që kanë nevojë të vazhdueshme për fonde publike e private (donacione), pasi asnjë monument nuk garanton aktivitet fitimprurës.

Po ashtu absurd është kriteri për nivelin e punësimit, që domethënë se kush garanton më shumë vende pune ka përparësi në privatizim – a thua se kështjellat e Shqipërisë do të jenë fabrika çimentoje ku do të punësohen qindra vetë”, deklaronte Shkreli, që sot është zv/ministër në qeverinë "Rama".

Aktualisht Ministria e Kulturës thotë se nuk disponon një listë të Monumenteve të Kulturës që mund të jepen në menaxhim apo përdorim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë